Kulturë

Reshat Randobrava – ikona e muzikës së lehtë shqiptare

Për kompozitorin Reshat Randobrava, në monografinë kushtuar atij, flasin edhe miqtë e bashkëpunëtorët. Në kompozimet e tij ishte strikt – bashkëpunonte me emrat më të njohur. Ky ishte edhe çelësi që ia shtoi jetëgjatësinë këngëve të tij që edhe sot këndohen. E disa prej të tyre janë lëshuar në sfond gjatë promovimit të monografisë. Në kapituj të monografisë së autores Rreze Kryeziu- Breznica përmblidhen rrëfime që e kanë karakterizuar mbi gjashtë dekada të Randobravës në muzikë

Krahas vargjeve të poetëve më të njohur, Reshat Randobrava krijonte tinguj për t’i shndërruar ata në këngë që dëgjohen ngado. Vargjet që i ka shndërruar në këngë tash i paraprijnë çdo kapitulli që lidh copëzat e jetës së tij në libër. Historia e tij më muzikën që nisi në qytetin e tij të lindjes në Prizren tash është përmbledhur në monografinë, e cila mban emrin e kompozitorit dhe është përuruar të enjten mbrëma në “Kino Armata”. Libri në gjuhën shqipe dhe angleze përmbledh punën e tij në mbi gjashtë dekada me muzikën. Aty Randobrava rrëfehet në vetën e tretë dhe në të parën.

Për të flasin edhe miqtë e bashkëpunëtorët. Në kompozimet e tij ishte strikt – bashkëpunonte me emrat më të njohur. Ky ishte edhe çelësi që ia shtoi jetëgjatësinë këngëve të tij që edhe sot këndohen. E disa prej të tyre janë lëshuar në sfond gjatë promovimit të monografisë. Në kapituj të monografisë së autores Rreze Kryeziu- Breznica përmblidhen rrëfime që e kanë karakterizuar mbi gjashtë dekada të Randobravës në muzikë.

Sipas autores që deri tani ka publikuar katër monografi, ky libër u shndërrua në një hulumtim ku puna në monografinë e Reshat Randobravës, veç të tjerash, u shndërrua në një hulumtim në të cilin mund të gjenden të shënuara fenomene të jetës shpirtërore, shoqërore, ekonomike e politike, të dhëna në mënyrë relieve me forcën e emocioneve më të thella njerëzore.

Image
Historia e Reshat Randobravës me muzikën, që nisi në qytetin e tij të lindjes, në Prizren, tash është përmbledhur në monografinë, e cila mban emrin e kompozitorit dhe është përuruar të enjten mbrëma në “Kino Armata”. Libri në gjuhët shqipe dhe angleze përmbledh punën e tij në mbi gjashtë dekada me muzikën. Aty Randobrava rrëfehet në vetën e tretë dhe në të parën

“Fundja, ajo të cilën e krijoi me aq mjeshtëri Reshat Randobrava – kënga, për kulturën shqiptare mbetet në rëndësinë e një dokumenti që shërben për studimin e jetës dhe të kulturës së popullit tonë, sepse shumë këngë mbështeten në të vërtetën historike, në të kaluarën e në të sotmen e popullit shqiptar”, ka thënë autorja Kryeziu-Breznica. Reshat Randobvrava u lind më 5 gusht të vitit 1939 në Prizren. Si fëmijë u lidh ngushtë me këngën, sepse atë ia transmetoi nëna e tij që, siç e përshkruan Randobrava në monografi, ajo kishte zë kristal. Ai përfundoi shkollën e mesme të muzikës në Prizren, kur edhe filloi të shfaqte tendencat e para drejt kompozimit. Ai i takon gjeneratës së parë të profesionistëve në muzikës të cilët gradualisht filluan ligjërimin në gjuhën shqipe. Kompozitori Randobrava në mungesë të institucioneve përkatës në vend u obligua që studimet muzikore t’i ndiqte në Akademinë e Muzikës në Beograd, ku ishte në klasën e pedagogut Marko Tajçeviq.

Pas përfundimit të Akademisë ka ligjëruar disa lëndë muzikore në dy shkolla të mesme, në Prishtinë dhe në Prizren, dhe pesë vjet punoi si profesor në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prishtinë. Randobrava formimin e tij profesional e zgjeroi duke realizuar edhe shkallën e dytë të studimeve në vitin 1963 në Sarajevë. Tutje Kryeziu-Breznica ka treguar se gjatë krijimit të kësaj monografie ka përjetuar emocione të përziera që ia zgjonin edhe më tepër kureshtjen për personalitetin e Randobravës. “Qetësia, edukata e butësia me të cilat më drejtohej Reshati në mua zgjonin një kureshtje edhe më të madhe për t'u thelluar edhe më tepër në vetë personalitetin e tij. Pse? Një afeksion i jashtëzakonshëm vazhdon të më shoqërojë edhe sot për gjeneratën e Randobravës, komunitetin artistik të asaj kohe, sepse për mua janë mishërim i intelektit krijues dhe edukues”, ka theksuar tutje Kryeziu-Breznica.

Në vitin 1972, Randobava u bë pjesë e Radio-Prishtinës si producent e redaktor i produksionit muzikor. Kolegët e kishin përshkruar si kërkues e bashkëpunëtor të shkëlqyer. Pas masave të dhunshme të regjimit serb, në vitin 1990/91, Randobrava u largua me forcë nga puna kur edhe vazhdoi karrierën si kompozitor dhe artist i pavarur. Në pozitë të rënduar ekonomike, ai u kthye në vendlindjen e tij në Prizren. Këtë periudhë e përshkruan veten si “refugjat në vendlindje”. Në krijimtarinë e tij jo pak këngë ia kushtoi pikërisht vendit të tij të lindjes. Në vitin 1988 e mori drejtimin e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, anëtar i së cilës vazhdon të jetë edhe sot. Promovimin e parë e mori në edicionin e parë të festivalit “Akordet e Kosovës”. Randobravës ia deshi me të parën. Për herë të parë i prezantuar si kompozitor dhe për herë të parë doli fitues me këngën “Ty, vetëm ty” të interpretuar nga Ismet Koshutova. Ky festival Randobravën do ta nxirrte fitues edhe për shumë herë të tjera. Më pas mori edhe shumë çmime e mirënjohje brenda dhe jashtë Kosovës.

Randobrava është kompozitor i cili në opusin e tij krijues preferon shansonën. Këtë zhanër të pazhvilluar Randobrava e solli për herë të parë në Kosovë. Kur ishte prezantuar në festivalin e shansonëve në Slloveni, Randobrava ishte obliguar të këndonte vetë këngën “Mall” me tekst të Ismail Kadaresë. Duartrokitjet nuk kishin munguar. “Shansona më bëri edhe këngëtar”, titullohet kapitulli që tregon kur kënga shqipe, e cila do të prezantohej për herë të parë në një festival të atyre përmasave, rrezikohej të mos paraqitej. Këngëtarit të cilit i ishte dedikuar kënga për arsye të panjohura mungoi. Me gjithë gjurmët e thella në muzikën e lehtë shqiptare, Randobrava është vlerësuar si shumë modest. Fitnete Tuda, gazetare e kulturës e këngëtare, ka ndarë disa kujtime që e dëshmojnë këtë.

“Kur e kam takuar për herë të parë profesorin Reshat Randobrava jam befasuar shumë për mënyrën e komunikimit të tij – një komunikim i nivelit shumë miqësor. Ai është kompozitor i njohur, por është shumë modest. Ka lënë gjurmë në muzikën tonë të lehtë shqiptare e këngët e tij janë hite dhe 23 prej tyre janë të përfshira në CD. Një falënderim për këngët që do të këndohen ndër breza”, ka thënë Tuda gjatë përurimit të librit të enjten mbrëma. Të enjten mbrëma është promovuar edhe CD me këngët hite të Randobravës. E kompozitori që njihet për krijimin e shansonëve është vlerësuar si kompozitor që ka hapur rrugë për gjeneratat e reja.

“Nëse këngët e tij akoma jehojnë në ehon e mendjeve tona dhe zemrave tona muzikore, atëherë duhet ta falënderojmë krijuesin që na ka begatuar me një person që ka hapur shtigje për frymëzime e krijimtari të reja”, ka thënë Selatin Kaçaniku, që ka qenë një prej pjesëmarrësve në promovim të monografisë. Vetë kompozitori Randobrava është fjalëpakë. Edhe në promovimin e monografisë fjalën e mori vetëm për falënderime, ndërsa priti gjatë mysafirët për t’ua nënshkruar librin.

Reshat Randobrava një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij si kompozitor ua dedikoi dhe më të vegjëlve, fëmijëve. Disa prej fëmijëve që u krijoi këngë përbëjnë emra të njohur për skenën muzikore kosovare, mes tyre: Armend Rexhepagiqi, Violeta Rexhepagiqi, Elida Kryeziu, Zana Badivuku. Reshat Randobrava mblodhi krijimtarinë e tij në 13 CD, si trashëgimi e rëndësishme për gjeneratat e reja. Ai veçohet si kompozitor që në kompozimet e tij u jepte rëndësi vijës melodike, tekstit dhe orkestrimit – e me muzikën e tij të lehtë i bëri ato këngë të paharrueshme për publikun.