Kulturë

Shuhet regjisori i filmit të parë artistik shqiptar

Kinematografia shqiptare ka humbur regjisorin e filmit të parë artistik. Kristaq Dhamo vdiq në moshën 89-vjeçare.

Pos si regjisor, Dhamo për një kohë të gjatë ishte edhe udhëheqës i institucionit shqiptar të filmit, kinostudios “Shqipëria e re”. Vdekja e Dhamos është përshkruar si një humbje e madhe për artin shqiptar.

Kristaq Dhamo u lindi në Libofshë të Fierit, më 20 prill 1933. Do të ndiqte mësimet në liceun artistik “Jordan Misja” dhe do ta përfundonte atë më 1952. Do të diplomonte në degën e dramaturgjisë. Për një periudhë të gjatë kohe, Kristaq Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i Kinostudios (1973–1981 dhe 1984-1992). Është regjisori që realizoi filmin e parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, “Tana”, i cili qe gjithashtu edhe filmi i tij i parë, me të cilin mbrojti edhe diplomën më (1958). Brenda mundësive kishte edhe tendenca që të sillte risi në projekte.

Dhamo, sipas biografisë, ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë, me organizimin e disa kurseve profesionale. Në 1979 i është dhënë titulli “Artist i merituar” dhe në vitin 1987 është nderuar me titullin “Artist i Popullit”. Në festivalin XI të filmit shqiptar në vitin 2000 është nderuar me “Çmimin e karrierës”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, me rastin e vdekjes së Dhamos e ka vlerësuar atë si gur themeltar që do të mbetet i pavdekshëm në historinë e filmit shqiptar.

“Sot u nda fizikisht prej nesh babai i kinematografisë shqiptare, regjisori i filmit të parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, kineasti vizionar, artisti që na bëri të ëndërrojmë atëherë kur ëndrrat dukeshin aq të largëta; një shkollë për të gjithë brezat e rinj, mjeshtri Kristaq Dhamo! Gur themeli që do të mbetet i pavdekshëm në historinë e filmit shqiptar!”, ka shkruar Margariti në Facebook.

Ilir Meta i cili në korrikun e sivjetshëm ka përfunduar mandatin 5-vjeçar si president i Shqipërisë ka thënë se me hidhërim ka mësuar lajmin për ndarjen nga jeta të kineastit dhe regjisorit të filmit të parë artistik në historinë e kinematografisë shqiptare, "Nderit të Kombit", Kristaq Dhamo.

“Mjeshtërisht ai la trashëgim shumë filma me vlera të mëdha artistike dhe karaktere të ndërtuara bukur, me të cilat kinematografia jonë është përfaqësuar denjësisht ndërkombëtarisht. Por në veçanti ai do të kujtohet me mirënjohje për meritat e mëdha si udhëheqës artistik i kinostudios ‘Shqipëria e Re’ dhe si pedagog i një plejade regjisorësh të rinj të cilët sot ia dedikojnë pikërisht atij profesionin”, ka shkruar Meta në Facebook.

Sipas Metës, falë talentit dhe punës plot pasion, megjithëse krijoi në një regjim plot kufizime, Kristaq Dhamo arriti të jepte mesazhe të përjetshme frymëzuese, njerëzore dhe sociale, përtej fasadave të rreme ideologjike, duke lënë pas vepra të çmuara dhe një kontribut të paharruar për kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.