Kulturë

Ramë Lahaj me miq ia japin Prishtinës madhështinë e skenave botërore

Tenori i njohur i Kosovës u ka prirë mysafirëve dhe në një koncert ku ai i sjell miqtë e tij, s’ka se si të jetë ndryshe pos i nivelit botëror. Në skenë i janë bashkuar sopranoja Pretty Yende, baritoni Franco Vassallo, tenori Jan Bernard Thomas dhe sopranoja Anna Bodarenko, këngëtarja Erza Muqolli e kori i zërave të bardhë, “Okarina”. Prej kryeveprave botërore, e deri te tingujt shqip ka qenë menyja e koncertit në sheshin “Skënderbeu” , e në nivel superior ka qenë edhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Valerio Gallit

Radha e publikut për të hyrë brenda “sallës” në ambient të hapur ka shkuar gati në gjysmë të bulevardit qendror të qytetit. Atmosferë e tillë mund të shihet vetëm në organizimet e Filharmonisë së Kosovës, siç ishte koncerti i sivjetmë, ku u luajt vepra “Carmina Burana” me të cilën është mbyllur sezoni.

Gala-mbrëmja “Ramë Lahaj & Friends” ka bërë bashkë 2 mijë e 500 veta brenda hapësirës së kufizuar për koncert. Me ata që ishin përreth, numri i publikut mund të ketë shkuar në 3 mijë veta. Pa iu ofruar fort qendrës, është vërejtur se një ngjarje e madhe po zë vend aty. E kur anëtarët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës kanë nisur t’i zënë vendet, publiku veç ka nisur ta krijojë një lidhje më të fortë me ngjarjen.

Krejt kjo ka bërë që dirigjenti Valerio Galli veç t’i përshpejtojë hapat e daljes në skenë. Është impresionuar nga numri i të pranishmëve. Interpretimi i uverturës “Nabucco” të Verdit nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës i ka prirë daljes në skenë të tenorit me nam botëror, Ramë Lahaj. E Lahaj gjithnjë pritet me ovacione nga publiku. Në natën finale të Festivalit Ndërkombëtar të Operës, që mban emrin e tij, para se të nisë interpretimin, ka thënë se për ta rritur një fëmijë – siç po synohet të bëhet me këtë ngjarje – duhet shumë punë.

Image
“I kam premtuar stafit dhe gjithë juve që vini të më nderoni, se do të jem bashkë me ju, do ta rrisim këtë Festival dhe do ta bëjmë edhe Operën e Kosovës, gjithsesi”, ka thënë Ramë Lahaj

Lahaj: “Ne kemi audiencë dhe zemër të madhe”

Por Lahaj, i cili ka interpretuar në skenë botërore nga Australia deri në SHBA, synimet i ka të qarta.

“I kam premtuar stafit dhe gjithë juve që vini të më nderoni, se do të jem bashkë me ju, do ta rrisim këtë Festival dhe do ta bëjmë edhe Operën e Kosovës, gjithsesi”, ka thënë ai para të pranishmëve, gati një vit pasi shteti ka marrë vendim për themelimin e Operës së Kosovës. Prania e gjithë atyre njerëzve i ka dhënë entuziazëm edhe Lahajt.

“Më bëhet shumë qejfi të ju shoh së bashku këtu, pasi kjo është një dëshmi e madhe, pasi që edhe pse akoma nuk kemi një teatër opere, një sallë koncertesh, ne kemi audiencë dhe zemër të madhe”, ka thënë ai. Miqtë e gala-mbrëmjes i ka prezantuar si ikona të botës së operës.

“Janë këtu pasi e dinë historinë tonë. Dikush nëpërmjet meje e dikush nëpërmjet historisë”, ka thënë ai. Interpretimin e ka nisur me “Musetta!.. testa Adorata” nga opera “La Boheme” të Leonvallos. Lahaj, si një mjeshtër i skenave botërore, menjëherë e ka futur publikun në ngjyrat e muzikës klasike. Bashkë me Orkestrën e drejtuar mjeshtërisht nga italiani Valerio Galli, ai ka bërë që sheshi “Skëndërbeu” para shtatores së heroit kombëtar të shqiptarëve të marrë pamjen e një skene operistike.

Image
Sopranoja Pretty Yende, baritoni Franco Vassallo, kanë qenë dy prej mysafirëve të koncertit

Zërat mjeshtërorë të yjeve

Lahaj këtë interpretim e ka pasur veç si intro të një nate të gjatë muzikore. Radhën ia ka lëshuar mikes së tij, Pretty Yende. Sopranoja nga Afrika e Jugut, pas fluturimit rreth 16 orë, nuk ka pasur shumë kohë për pushim. Qe e ftuar mysafire speciale e natës përmbyllëse të Festivalit dhe ka zëvendësuar sopranon Angela Gheorghiu, e cila, sipas organizatorëve, ka rezultuar pozitive me COVID-19.

Me “Una voce poco fa” nga “Il barbiere di Siviglia” e Rossinit, Yende është prezantuar për herë të parë në shtetin më të ri të Evropës. Ajo është një soprano e njohur që ka zotëruar skenat gjithandej. Në konferencë për medie në mesditën e së dielës, pak orë para koncertit, ka thënë se me kënaqësi e ka pranuar ftesën e Lahajt.

Publiku i pranishëm nuk ka vazhduar të jetë në këtë zhanër edhe me baritonin Franco Vassallo. Atë Lahaj e ka prezantuar si një prej baritonëve më të famshëm italian. “Cortigiani, vil raza dannata” nga opera “Rigoletto” e Verdit ishte vepra e parë nëpërmjet së cilës baritoni nxori në pah shkathtësitë e tij para publikut kosovar.

Image
Tenori Jan Bernard Thomas, është rikthyer para publikut pa një kohe të gjatë. “L’ultima Canzone”, ka qenë njëra prej veprave që ka interpretuar

Nuk ka vonuar që prapë Lahaj t’i kthehet skenës. Kësaj radhe ka shkuar te bota operistike gjermane. “Dein ist mein ganzes Herz” nga “Das Land des Lachelns” e Leharit ka qenë pjesë e repertorit të tij. Në interpretimin e dytë Lahaj ka qenë edhe më në formë. Por nuk e ka zgjatur me qëllimin që Yende të jetë prapë në skenë me “Quando me’n vo” nga opera e njohur “La Boheme” e Verdit. Më pas ka qenë radha e një këngëtareje shqiptare, e cila vlerësohet si një yll në ngritje në Francë. Prezantimi që i ka bërë Lahaj asaj, është parë se ylli i operës gëzon konsideratë të madhe për Erza Muqollin. Me “Hallelujah” të Cohenit, ajo i është kthyer publikut të Kosovës. Muqolli përcjell një energji të jashtëzakonshme te publiku. Interpretimi i saj del të jetë shumë i sinqertë.

Ngjyrat e tingujve shqip

E kur mbrëmja veç ka filluar të marrë formatin e një ngjarjeje që do të radhitet lart në listën e koncerteve operistike në vend, mjeshtri Jean Bernard Thomas është ngjitur në skenë. Ai për më shumë se dy dekada nuk ka interpretuar shkaku i një tragjedie familjare. Është mjeshtër i zërit, i cili punon me gjenerata të ndryshme. Për tetë ditë ka mbajtur edhe punëtori me studentë të Kosovës. I ka çmuar shumë për nivelin që kanë.

Por muzika shqiptare mbetet kryesorja sa i përket atmosferës në ngjarje të tilla. Suita simfonike “Skëndërbeu” e Çesk Zadesë ka bërë që krejt të pranishmit të jenë në linjë me atë që luhej në skenë. Muzika që është përdorur edhe në filmin për heroin kombëtar të shqiptarëve gjithnjë ndez ovacionet te publiku. Pastaj këngët si “Dashnor tu bana”, “Të gëzojmë se erdh pranvera” bashkë me “Bishtalecat palë, palë”, të interpretuar nga Lahaj, kanë kthyer në skenë meloditë e vargjet shqiptare.

Sa i përket muzikës shqipe, “O moj bukuroshe”, e interpretuar nga Muqolli dhe Lahaj, ka qenë “pika” më e fortë e melodive të këtyre anëve. Veçanti ka qenë edhe dalja në skenë e korit të zërave të bardhë, “Okarina”, që bashkë me Lahajn ka interpretuar ikoniken “O moj e bukura Arbëri”.

Image
Këngëtarja Erza Muqolli ka sjellë “Hellelujah” të Cohenit

Galli: “Publiku është shpirti i muzikës”

Dirigjenti Galli koncertin e ka përshkruar si një ngjarje të jashtëzakonshme.

“Është më e vështirë të bëhet një koncert i tillë sesa një operë. Në koncerte si ky duhet shikuar secili interpretim dhe ato janë të ndryshme. Këtu janë të gjitha dhe mungon vetëm infrastruktura. Orkestra mund të ketë dirigjentin, por muzika e ka primare dëgjimin. Dhe ata duhet të kenë sallë, ku dëgjohet mirë”, ka thënë ai. Sipas dirigjentit, më i rëndësishmi i koncertit të së dielës mbrëma ishte publiku. Ai ka thënë se publiku është shpirti i muzikës.

“Në Itali fatkeqësisht nuk e kemi më publikun si këtu. Për operë duhet teatri e për orkestër një sallë koncertale. Shpresoj që politika t’i bëjë këto”, ka thënë ai.

Politika ka qenë e pranishme në koncert. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se bëhej fjalë për një ngjarje fantastike.

Image
Gjatë mbrëmjes, me dy këngë ukrainase publikut u është drejtuar edhe sopranoja nga Ukraina, Anna Bondarenko. Qysh prej fillimit të luftës ajo është zhvendosur në Rumani e më pas në Austri

“Një numër i madh i artistëve botërorë u bënë bashkë nëpërmjet Ramë Lahajt. Publiku pati mundësinë që të ndjekë një performancë të nivelit botëror. Aty ishin 5 mijë shikues dhe ishte ndjenjë fenomenale. Ndjenjë që Prishtina nuk e ka pasur më parë”, ka thënë ai. Ka treguar se mendon që si udhëheqësit komunalë bashkë me Qeverinë ua kanë me borxh artistëve infrastrukturën. Sipërfaqësisht ka folur për sallën koncertale dhe teatrin e operës. Për të parin ka thënë se janë duke i pritur termat e referencës nga Ministria e Kulturës.

“Për sallë koncertale BE-ja është duke negociuar me arkitektin Kengo Kuma. Po thonë që projekti është më i shtrenjte sesa është planifikuar. Ne si kryeqytet bashkë me MKRS-në jemi të gatshëm ta financojmë atë pjesë që BE-ja nuk mundet. Kështu që të dyja do të ndodhin. Një vit merr vetëm dizajnimi e pastaj dy vjet transformimi. Kështu që brenda tri vjetëve do ta kemi”, ka thënë ai.

Image
Në nivel superior ka qenë edhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Valerio Gallit

Dy këngë për Ukrainën

Gjatë mbrëmjes, me dy këngë ukrainase publikut u është drejtuar edhe sopranoja Anna Bondarenko. Qysh prej fillimit të luftës ajo është zhvendosur në Rumani e më pas në Austri.

“Në prill në Rumani kam pasur koncertin e parë, pasi nisi lufta dhe nuk ishte e lehtë, pasi njeriu në raste të tilla ndien shumë tension brenda vetes. Kurse tash, kur isha në skenë, kisha shumë emocione dhe kisha nevojë t’i ndaja me njerëzit këto. Sidomos kur interpretoj në gjuhën ukrainase, emocionohem shumë”, ka thënë ajo. Bondarenko nuk e ka ndërmend të ndalet. Tash është mysafire e Operës së Vjenës. Ka treguar se mundohet shumë që t’i gjendet afër vendit të saj.

“Muzika na bashkon, por lufta po na ndan”, ka thënë ajo, duke folur për njerëzimin në përgjithësi.

“Brindisi” nga “La Traviata” e Verdit i ka bashkuar të gjithë në skenë. Artistët kanë jehuar tamam sikurse në skena botërore, duke i ofruar publikut madhështinë e skenave të mëdha.

Image
Prej kryeveprave botërore, e deri te tingujt shqip ka qenë menyja e koncertit në sheshin “Skënderbeu”. Dy vepra i janë dedikuar Ukrainës