Kulturë

“Një arkiv në nënçati” ia heq pluhurin historisë së Galerisë e të artit në Kosovë

Aty ka materiale që lehtësisht mund të kenë peshën e artefakteve. Për dekada kishin qëndruar nëpër pako. Hana Halilaj i ka hapur ato e nëpërmjet tyre krijon “Një arkiv në nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës” që tejkalon peshën e një ekspozite. Trajton boshllëqet në shkrimin e historisë së artit në Kosovë. Vjen si edhe si argument për mungesën e mbështetjes institucionale për arkivat e Galerisë, si këputje e sistemit dhe strukturave të artit në Kosovë

Dokumentacioni për historikun e Galerisë Kombëtare të Kosovës, artikuj gazetash, katalogë të ekspozitave e të tjera materiale, janë përmbledhur si informator për këtë institucion kulturor që ka hyrë në dekadën e pestë. Aty ka edhe materiale më të moçme që për më shumë se gjysmëshkulli kanë qëndruar brenda pakove në një pjesë të pashfrytëzuar të objektit. Deri të mërkurën, kur janë ekspozuar në rafte e tavolina ekspozuese në njërën nga hapësirat e Galerisë.

E kuruar nga Hana Halilaj, “Një arkiv në nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës”, mëton të shpalosë rrëfimin historik për artin që ishte anashkaluar në narrativat rajonale e globale.

Dokumentet e periudhës para themelimit si institucion kulturor të asaj që sot është Galeria Kombëtare e Kosovës e deri në ekspozitën e fundit të Driton Haradinajt, janë shpalosur për publikun si pasqyrë e aktivitetit të saj si institucion kulturor. Numër i madh i njerëzve ka vizituar njërën nga sallat e Galerisë për të parë historikun me aktivitetet e vetë institucionit ndër vite, që nga themelimi, por edhe më parë. Tri tavolina ekspozuese janë mbështetur për mure. Në to gjenden artikuj gazete për themelimin e Galerisë, fjalime nga ceremonia e themelimit të saj në shkurtin e vitit 1979, si ai i Pajazit Nushit, i cili ka qenë kryetar i Komisionit për Themelimin e Galerisë; procesverbale, dokumente për aplikim për ekspozitë e shumë të tjera. Aty janë edhe të tjera dëshmi, si propozimet dhe beteja e para 15 vjetëve për shndërrimin e objektit të ish-hotelit “Union” në muze a në galeri e që sot është butik në zemër të Prishtinës.

Image
Kuratorja e ekspozitës Hana Halilaj ka disa katalogë për të prezantuar aktivitetet e institucionit, pasi ka thënë se ka qenë e pamundur të përfshihet i gjithë materiali nga arkiva

Tri pjesë të tjera janë rezervuar për raftet pjesë-pjesë të ngjitur në mur ku janë renditur katalogët e ekspozitave të mbajtura që nga viti 1967. Ato vijojnë periudhën prej themelimit të Galerisë së Arteve më 1979 e deri më sot. Kuratorja e ekspozitës Hana Halilaj ka përzgjedhur nga një, dy a tre katalogë për të prezantuar aktivitetet e institucionit, pasi ka thënë se ka qenë e pamundur të përfshihet i gjithë materiali nga arkiva. Një pjesë e murit pranë derës është veshur me tekst informues për Informatorin e si historik i shkurtër për Galerinë, derisa një tavolinë ka zënë vend mu në mes të sallës në të cilat janë vendosur katër informatorë të viteve të paraluftës bashkë me “informatorin” e vitit 2022, që në fakt është katalog me të dhëna rreth projektit të kuratores. Tri pikturat nga ekspozita “Ana Karenina I” të Violeta Xhaferit nga koleksioni i Galerisë, janë vendosur përballë me pamjet e materialeve nga arkivi që shoqërohen me bashkëbisedimin e kuratores Hana Halilaj me artisten Lirije Buliqi. Xhaferi ka qenë artistja e parë grua që ka fituar një çmim kryesor në fushën e saj si dhe kryetarja e parë e artistëve figurativë në Kosovë. Ndërsa Lirije Buliqi ndër vite kishte ruajtur çdo dokument të mundshëm përgjatë dyzet vjetëve sa ka punuar në Galerinë Kombëtare, deri në pensionim, në fillim të qershorit më 2020.

“Videon e kam bërë për ekspozitën e parë, është komentim i Lirijes, jemi ulur dhe ia kam treguar fotot. Kam dashur t’i komentojë ajo që ta njohim ne punën e saj ngase është interesante që ajo ka ruajtur ato në çdo detaj, pa dallim se kush ka qenë drejtor dhe zhvillimeve politike në vend”, ka thënë kuratorja Hana Halilaj e cila e ka vlerësuar unik kompletimin e arkivit ndër vite.

Nga pjesa e arkivit të ekspozuar ka edhe koleksione që janë trashëguar që nga koha e ish-Jugosllavisë nga Bashkia Krahinore për Kulturë. Bashkë me to edhe gjithë dokumentacioni tjetër po sistemohet në njërën nga hapësirat e këtij objekti.

“Kështu e kemi shndërruar dhomën, e kemi shtruar tepihun, raftet i kemi marrë nga biblioteka ‘Hivzi Sylejmanit’ që ka qenë duke e rinovuar ‘Manifesta’ dhe gjithçka që ka qenë nëpër pako e kemi vendosë, e kemi palosur në rafte. Hapësira nuk është ende e qasshme, pasi ka punë ende”, ka thënë Halilaj derisa ka treguar pamjet nga projektori. Në fakt pamjet janë përgatitur për ekspozitën e parë informuese të saj që ishte mbajtur në Qendrën për Studime Kuratoriale në “Bard College” në New York në kuadër të punimit të temës së diplomës për studimet master. Kjo ekspozitë kishte qëndruar e hapur prej 2 prill deri më 29 maj të këtij viti. Halilaj e vlerëson si shumë të rëndësishme trajtimin dinjitoz që Lirije Buliqi u ka bërë dokumenteve, duke mos e lënë asnjë nga to dëmtohet nga faktorë të ndryshëm.

Image
Tri pikturat nga ekspozita “Ana Karenina I” të Violeta Xhaferit nga koleksioni i Galerisë, janë vendosur përballë me pamjet e materialeve nga arkivi që shoqërohen me bashkëbisedimin e kuratores Hana Halilaj me artisten Lirije Buliqi

Dokumentet e ekspozuara përfshijnë po ashtu statutin e Galerisë, libër-arkivin me regjistrimin e datave, mbledhjeve, pikave të rendit të ditës e diskutimeve, shënime për dokumentet që nuk duhet humbur; planin e objektit, procesverbalin e mbledhjes së Pleqësisë, hartën e lëvizjeve të artit në Kosovë dhe një dokument për plan afatmesëm për vitet 1981 deri 1985 rreth asaj se për çfarë ka nevojë skena e artit në Kosovë. Hulumtimet për ekspozitën i ka nisur verën e kaluar për punimin në universitet, e fillimisht koncepti i saj ka qenë të pasqyrojë vetëm një pikëpamje të katalogëve dhe të llojeve të ekspozitave. Veprat e ekspozitave ndërkombëtare, ato prezantuara gjatë bienaleve, të Ibrahim Kodrës, Hamdi Bardhit, Simon Shirokës, Rosemarie Trockel, Ismet Jonuzi, Shyqri Nimanit e shumë të tjerëve, janë ekspozime indirekte përmes katalogëve.

Derisa ka folur për Shyqri Nimanin, drejtori i parë i Galerisë së Arteve (1979 – 1989), Hana Halilaj e ka cilësuar si kapitull të rëndësishëm ngase përfshin periudhën deri pas rënies së Jugosllavisë, që është pikënisje për hulumtimin e saj. Mospërfshirja e historisë së artit të Kosovës në literaturën e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe cilësimi i saj si art i ish-Jugosllavisë, e ka shtyrë atë edhe më shumë drejt projektit.

“Kosova është shumë pak dhe në shumicën e herëve, komplet e papërfshirë. Kështu që hulumtimin e kam nisur për ta kuptuar çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë Jugosllavisë sa i përket zhvillimit të skenës kulturore dhe historisë së artit”, ka thënë Halilaj.

Përzgjedhjen e gjithë dokumentacionit e ka bërë sipas rëndësisë që kanë për Galerinë si vend i rëndësishëm duke marrë parasysh faktin se është një nga institucionet kulturore më të vjetra në vend.

Zëvendësuesi i drejtorit, Naim Spahiu e ka cilësuar arkivin si aset të veçantë të këtij institucioni ku materialet e mbledhura janë nxjerrë për herë të parë në ekspozim për publikun.

“Ideja për konceptin ka ardhur fillimisht nga një marrëveshje që kemi pasur me Universitetin për Studime Kuratoriale në New York, ku ka studiuar Hana Halilaj dhe pikërisht ka dalë një hulumtim i tillë. Është i nevojshëm ngase shumë kuratorë e historianë ndërkombëtarë nuk kanë pasur njohuri për Kosovën, pasi zakonisht jemi identifikuar si jugosllavë dhe kanë pasur problem të dinë për historinë tonë”, ka thënë Spahiu i cili informatorët i ka konsideruar si dëshmi kryesore të aktiviteteve që mbahen brenda vitit, por të cilët mungojnë që nga paslufta. Ato kanë filluar të botohen për çdo vit me themelimin e Galerisë në vitin 1979, por që nga paslufta ka vetëm publikime të veçanta në kuadër të prezantimeve të ekspozitave. Ka vlerësuar se është më se i nevojshëm ekspozimi i arkivit, të cilin e ka cilësuar si pjesë të edukimit që jep mundësi për njohjen e Galerisë e me vlerat të cilat i prezanton. Spahiu ka përmendur edhe procesin e digjitalizimit të arkivit për të krijuar qasje më të lehtë në dokumente si dhe për t’i ruajtur ato origjinale. “Digjitalizimi është më se i nevojshëm për shkak se ofron mundësi shumë më të lehtë njerëzve që intereson për historinë e Galerisë. Thjeshtë të ketë qasje më të lehtë rreth dokumenteve, pasi origjinalet ruhen në mënyrë të veçantë dhe nuk janë të qasshme gjithmonë për secilin”, ka thënë ai.

“Një arkiv në nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës”, qëndron e hapur deri në fund të tetorit.