Kulturë

“Shtet” brenda Kosovës, artistët aneksojnë territor

Pa shumë bujë e larg qendrës së kryeqytetit, Fatmir Mustafa-Karllo dhe kolektivi slloven IRWIN, kanë aneksuar një copë tokë dhe aty kanë ngulitur flamurin. Hapësira e kufizuar në një prej kodrave të fshatit Butovc të Prishtinës simbolikisht është shpallur shtet i pavarur. Do të jetë i tillë për tre muaj

Prej kësaj jave Kosova, është tkurrur për nja 40 metra katrorë. Artisti nga Kosova me grup artistësh sllovenë, kanë aneksuar një copë toke, prej ku kryeqyteti shihet qartë. E kanë kufizuar hapësirën dhe kanë ngritur një flamur duke e shpallur atë territor, shtet më vete. Krejt kjo është bërë pa shumë bujë dhe institucionet i ka zënë në punë e sipër duke u marrë me çmimet e disa produkteve e po ashtu edhe me bienalen nomade “Manifesta 14”. Krejt këtë huti e ka shfrytëzuar artisti Fatmir Mustafa-Karllo dhe kolektivi slloven IRWIN.

Në kuadër të projektit “NSK Territory Prishtina” ata kanë ngritur flamurin e NSK-së dhe hapësira e kufizuar në një prej kodrave të fshatit Butovc të Prishtinës simbolikisht është shpallur shtet i pavarur. Do të jetë i tillë për tre muaj.

Fatmir Mustafa-Karllo njihet për provokimet e tij goxha specifike. E kolektivi slloven IRWIN është i njohur botërisht me aktivitetin e këtij lloji. Qysh prej themelimit më 1983 Dushan Mandiq, Miran Mohar, Andrej Savski, Roman Uranjek dhe Borut Vogelnik bënë emër fillimisht në ish-Jugosllavi e më pas në gjithë botën. Vepra e tyre kryesore është “NSK State in Time” (Shteti i NSK-së në kohë), që shqyrton dhe sfidon idenë e asaj se çfarë do të thotë shtet sovran.

Në konceptimin e tyre shteti i NSK-së (Neue Slovenische Kunst – Arti i Ri Slloven) nuk ekziston në hapësirë, por në kohë dhe çdo vend e po ashtu çdo njeri mund të bëhet pjesë e tij. Ky shtet numëron mbi 60 mijë anëtarë dhe lëshon pasaporta. Madje edhe diplomatike.

Fatmir Mustafa-Karllo ndër vite ndërhyn në hapësira për ta mbrojtur ambientin. Synon të provokojë, në mënyrë që disa pjesë të mos preken nga tendenca e komercializimit. Kodrën ngjitur me rrugën “Kavaja” në Butovc para disa vitesh e ka “shndërruar” në një lloj galerie. Projektin e ka quajtur “On Top Residency”. Nuk ka bërë kurrfarë ndërhyrjeje aty paraprakisht. E me IRWIN kanë vendosur, që të shkojnë një hap më tej. Era e valon vazhdimisht flamurin e NSK-së. E hapësira e kufizuar me miell e përcakton “kufirin”. Karllo është në panik. Ndërtimet sidomos në vijë ajrore nuk janë edhe larg rezidencës së tij. Thirrja e Karllos shkon përtej hapësirës së kufizuar.

“Më 2020 unë e kam demarkuar një hapësirë për ta bërë një galeri të artit bashkëkohorë në Butovc. Kjo ishte hapja e parë dhe ky bashkëpunim ka ardhur në mënyrë natyrale. Ideja e projektit ‘On Top Residency’ është mbrojtja e natyrës, shfrytëzimi i hapësirave publike e mbrojtja e tyre nga komercializimi”, ka shpjeguar Karllo pak metra nga “shteti” më i ri brenda Kosovës. Si artist ai gjurmon për hapësira të reja. Njëkohësisht kujdeset që simbolikat të jenë të forta e mesazhet nganjëherë edhe të drejtpërdrejta.

“Ne si artistë duhet të krijojmë hapësira të reja. Ato krijohen për shkak të mungesës së hapësirës. Normalisht që një prej qëllimeve është dhe mbrojta e natyrës”, ka thënë ai.

Për anëtarin e kolektivit IRWIN, Miran Mohar kjo nuk është hera e parë në Kosovë. Ka qenë shumë herë, midis të tjerash edhe si ligjërues në një kolegj privat.

Image

Hapësira e kufizuar me miell e përcakton “kufirin” e shtetit të artistëve brenda shtetit të Kosovës


Ka rrëfyer se Karllo e kishte sjellë në Butovc, dhjetë kilometra nga qendra e Prishtinës dhe i kishte shpjeguar se në këtë kodër do të jetë galeria e tij pa mure. Në atë rast edhe e kishte ftuar atë me kolegë, që ta bëjnë një intervenim në kuadër të “shtetit” të tyre të njohur gjithandej botës.

“Kemi vendosur që këtu ta shpallim një territor të shtetit tonë. Kemi aneksuar një pjesë të Kosovës. Për tre muaj ky territor do të jetë i aneksuar”, ka thënë Mohar.

Për “shtetin”, që u krijua duke u shpërbërë ish-Jugosllavia, ishte jonormale që në atë kohë kjo anë e globit të merrte flakë, e nacionalizmi të rritej. Pesëshja e IRWIN po e “bluanin” këtë ide në mendje në kohën kur baroti po ndizej në ish-Federatën, që bashkonte gjashtë republika e dy krahina.

“Kështu që ne shpallëm shtetin tonë në kohë e pa territor. Ne kemi filluar të hapim ambasada e konsullata gjithandej botës. Kemi qenë më të fokusuar te arti vizual. Ndoshta shteti ynë nuk është shumë i pasur me para, kemi shumë shtetas gjithandej botës dhe për këtë jemi superfuqi”, ka thënë Mohar. “Shteti” i tyre lëshon edhe pasaporta. Normalisht që ato janë dokumente simbolike.

Prej 5 prillit të vitit 1992 për 1 mijë e 460 ditë Sarajeva ishte rrethuar nga forcat serbe. Kolektivi IRWIN pikërisht në atë vit kishin shpallur projektin “Shteti i NSK-së në kohë”. Pesëshja madje kishte lëshuar edhe pasaporta simbolike për boshnjakët. Bile, disa prej tyre kishin ikur me këtë dokument pa pikë vlere në kuptimin zyrtar. Rrëfimet se pasaportat, sidomos ato diplomatike të NSK-së kanë mundësuar kalime kufijsh pa u vënë re nuk janë të pakta. Gjatë ngjarjes në Butovc kolektivi është pyetur nëse po funksionojnë pasaportat e tyre sa i përket udhëtimit. Duke qeshur janë përgjigjur se “në disa raste po”.

Shtetasit e Kosovës i takojnë republikës së vetme në Evropë ku kërkohet vizë për të udhëtuar në zonën “Schengen”. Se kushtet janë plotësuar në raport me Bashkimin Evropian – por çështja qëndron te disa shtet anëtare të BE-së – është një rrëfim i vjetër rreth një dekadë.

Bash në ditën kur është mbajtur ngjarja në periferi të Prishtinës, pasaporta e Kosovës është renditur e 104-ta sa i përket fuqisë. Vendin e njëjtë e mbajnë edhe Bangladeshi e Libia, meqë me këto tri pasaporta mund të lëvizet në vetëm 41 shtete pa regjim të vizave.

Raporti i kompanisë së njohur për konsulencë “Henley & Partners” nga Londra bazohet në të dhënat e Shoqatës Ndërkombëtare e Transportit Ajror. “Indeksi përfshin 199 pasaporta të ndryshme dhe 227 destinacione. Pasaporta më e fuqishme mbetët ajo e Japonisë. Me të mund të lëvizet pa viza në 193 vende. Përfundi Kosovës janë listuar vetëm edhe 9 pasaporta. E fundit është ajo e Afganistanit, me të cilën mund të lëvizët lirshëm në vetëm 27 vende.

Jo pak qytetarë të Kosovës synojnë pasaportat e vendeve të rajonit. Qëllimi kryesor është mundësia e lëvizjes lirshëm. Por për pasaportat e NSK-së nuk duhet plotësuar shumë formular e as për të dhënë adresë. Shteti nuk ka territor. Ekziston veç në kohë. Nëse për asgjë tjetër, kjo pasaportë simbolikën e ka të madhe, ashtu sikurse aneksimi në Butovc, që kërkon moskomercializimin e disa hapësirave publike.

VIDEO: