Kulturë

“Tfillo” si thirrje alarmuese e “Green Festit”

Që në fëmijëri shprehja popullore “tfillo” kishte kuptimin e kërkesës së thënë nga nënat për të larguar rrëmujën në shtëpi. Në kontekstin e një të rrituri ajo tingëllon si zgjidhje problemi, kryerje pune dhe mbi të gjitha përgjegjësi për një çështje. Sidomos kjo e fundit, organizatorëve të festivalit “Green Fest” ua ka tërhequr vëmendjen ndër vite, qysh nga nisja e rrugëtimit të tyre 12 vjet më parë. Pavarësisht që, sipas tyre, prania e një festivali të tillë në Mitrovicë në atë periudhë ka qenë veç ide që s’është ditur kur do të shihet realizimi në horizont. Ndërkaq tash që ka vite të jetësimit, është bërë dëshmi e marrjes së përgjegjësisë për ruajtjen e ambientit si mision parësor i tij dhe aktivizimit të jetës kulturore të qytetit që dikur njihej për rock-grupet e tij.

Në festivalin që mëton ta kthejë Mitrovicën në një qytet të gjelbër, “Tfillo” nisi kumbimin si tema e edicionit të sivjetmë në mbrëmjen e së dielës. Aventura e sivjetme përfshin muzikën, filmin, botën digjitale e atë sportive. Por, ajo që ia dha dritën jeshile ishte pikërisht zëri i Rona Nishliut i përcjellë edhe nga tingujt e kitarës së Driton Bejtës.

Oborri i Muzeut të qytetit me pamjen simpatike dhe ndriçimin e skenës u kthye në vendin prej ku u cakërruan gotat nën meloditë e vjetra shqipe. “Mallëngjimi”, “Lule bore”, “Moj e bukura More”, “Asaman o trëndafili çelës” ishin veç disa copëza të programit. Përpara se duartrokitjet të dëgjoheshin për herë të fundit në këtë koncert, Nishliu paralajmëroi se këngën e fundit ia dedikon anëtarit të vdekur të një prej bendeve ikonike në vitet ‘90’. “Moj e mira te pojata” u këndua njëzëri me publikun, si kujtim për Haki Misinin e grupit “MAK”.

Afër 3 vjet mungese në skenë dhe më shumë se 5 vjet pa performuar në “Green Fest”, Nishliut koncerti i fali ndjesi të veçantë.

“Ky program është si një përmbledhje e këngëve, të cilat i kam trajtuar dhe ripunuar në dy albumet e mia me motivet tona”, ka treguar ajo. “Kemi punuar që këto t’i sjellim enkas për festivalin ‘Green Fest’, kështu që është një lloj premiere”.

Tutje ajo pohoi se kjo përzgjedhje, sipas saj, rrinte shumë mirë në programin e përgjithshëm dhe se Festivali bashkon ithtarët e muzikës së vjetër shqipe.

“Skena të bën të ndihesh mirë, s’ka rëndësi madhësia e publikut. Skena, mënyra se si organizohet, kushtet teknike kanë shumë rëndësi që një produkt të prezantohet ashtu siç duhet”, vlerësoi Nishliu pas performimit në vendin e saj të lindjes.

Mitrovicën e cilësoi si qytetin më nikoqir në Kosovë, ndërkaq organizatorët si këmbëngulës që ia kanë dalë mbanë ta mbajnë më këmbë festivalin.

“Në çdo koncert ia kam dedikuar disa këngë qytetit tim, njëra nga to është ‘Mallëngjimi’ të cilën e ka bërë të famshme Muharrem Qena”, përfundoi ajo.

Mirëpo, në anën tjetër, drejtori i organizatës “7 Arte”, Lulzim Hoti, ka thënë se para më shumë se 10 vjetësh në Mitrovicën “e zymtë dhe me shumë telashe politike”, ka qenë problematike ideja e një festivali të tillë.

“Të mendoje për një festival tradicional ishte pak e çuditshme dhe nuk pranohej aq mirë nga miqtë përreth, meqë nuk përkonte shumë me gjendjen ku ishim”, u shpreh Hoti.

Për të kanë qenë vizioni dhe dëshira për një festival tradicional, ato që e kanë bërë ta shtyjë para këtë ide.

“Ne vlerësojmë se çështjet mjedisore janë fillimisht të kulturës, si rezultat i kësaj kemi ardhur me ‘Tfillo’”, ka thënë ai, duke thënë se nuk i kanë cilësuar si kompetente veç institucionet për ta lënë mënjanë këtë temë.

Sipas tij, synimi i Festivalit është krijimi i një Mitrovice të gjelbër.

“Na është thënë nga nënat tona që sa herë është dashur me ‘tfillu’ a kry ndonjë punë, është dashur me pasë shumë përgjegjësi”, tregoi ai për fillet e gjetjes së temës së edicionit të sivjetmë. “Qëllimi ynë është të dalim përtej kufijve të dhomës e shtëpisë, të kryejmë punët me përgjegjësi në institucione e vendin e punës në nivel më të gjerë të qytetit apo shtetit”.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka vlerësuar se kjo temë ka porosi për cilindo, duke përfshirë edhe atë personalisht.

“’Green Fest’ është vlerë e jashtëzakonshme e qytetit, një eveniment që gjithnjë ka lënë mbresa te artdashës, (ka qenë) promovues i vlerave kulturore”, ka thënë Hamza.

Në anën tjetër, drejtoresha për Kulturë, Valdete Idrizi, ka cilësuar se organizatorët ia kanë dalë mbanë ndër vite.

“Është vlerë e Mitrovicës që ka kontribuuar me gjithë sfidat ndër vite, ka arritur të kalojë një dekadë deri në edicionin e 12-të”, ka thënë ajo.

Programi i sivjetmë ndahet në “Green Music” duke përfshirë performimin e Shpend Lilës, “Zwada”, “Blla blla blla”, “Asgjë sikur dielli”, Bojken Lako e “Offchestra”. “Green talks” janë diskutimet të cilat do të organizohen me Xhevdet Gegollajn, Florina Jerliu, Shpend Lila. Për fëmijët është program “Green Kids” që përfshin kurse për art. Ndërkaq në “Green movies” do të shfaqen filmat “Honeyland”, “There will be water”, teksa praktikim të jogas do të ketë përmes “Green Yoga”. Programi, që do të zgjasë deri më 23 korrik, përfshin edhe “Green sport” dhe “Green Workshop”.