Kulturë

Raporti i OSBE-së: Reformë ligjore e shtim kapacitetesh për mbrojtje të trashëgimisë kulturore

Botimi prej 109 faqesh shpërfaq një analizë të shoqëruar në konkluzione e rekomandime nga misioni i OSBE-së në Kosovë. Përfshihet periudha prej vitit 2014 deri më 2020. Përderisa OSBE-ja ka kërkuar që autoritetet e Kosovës të kenë parasysh rekomandimet, udhëheqësit institucionalë kanë paraqitur punët e kryera e po ashtu kanë bërë zotime për të ardhmen. Raporti i prezantuar të hënën në Prishtinë shpërfaq se korniza ekzistuese ligjore për trashëgiminë kulturore është përgjithësisht në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Por, sipas Raportit, Ligji për trashëgiminë kulturore duhet të ndryshohet për të përfshirë ligjet dhe aktet nënligjore dhe për të siguruar qasje uniforme në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore

Një ligj i ri për trashëgiminë kulturore, ligji për muze, shtimi i kapaciteteve profesionale në institucione, rritja e buxhetit, reflektimi i realitetit në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme e shtimi i gjobave e dënimeve ndaj vandalëve të trashëgimisë janë disa prej çështjeve që adreson Raporti i OSBE-së, “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kosovë”.

Botimi prej 109 faqesh shpërfaq një analizë të shoqëruar në konkluzione e rekomandime nga misioni i OSBE-së në Kosovë. Përfshihet periudha prej vitit 2014 deri më 2020. Përderisa OSBE-ja ka kërkuar që autoritetet e Kosovës të kenë parasysh rekomandimet, udhëheqësit institucionalë kanë paraqitur punët e kryera e po ashtu kanë bërë zotime për të ardhmen.

Raporti i prezantuar të hënën në Prishtinë shpërfaq se korniza ekzistuese ligjore për trashëgiminë kulturore është përgjithësisht në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Por, sipas Raportit, Ligji për trashëgiminë kulturore duhet të ndryshohet për të përfshirë ligjet dhe aktet nënligjore dhe për të siguruar qasje uniforme në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Aty po ashtu kërkohet që shteti të bëhet me ligj për muze. Ministria e Kulturës numëron mbi një dekadë prej kur synon draftimin e Ligjit për trashëgimi kulturore. Nuk ia ka dalë edhe për shkak se ky ligj hyn në kategorinë e legjislacionit me interes vital dhe kërkon votim në Kuvend me dy të tretat e dyfishta. Varet nga 20 deputet e pakicave që i kanë vendet e rezervuara në Kuvend. “Koha Ditore” ka raportuar se në ditën që Projektligji do të nxirrej në votim më 2015, autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe kishin takuar asokohe kryeministrin Isa Mustafa. Ia kishin bërë të ditur se deputetët serbë nuk do ta votonin atë, meqenëse në asnjë nen nuk përmendej trashëgimia kulturore e Kishës Ortodokse Serbe, por Projektligji përcaktonte se bëhej fjalë për trashëgimi kulturore të shtetit të Kosovës. Më pas MKRS-ja nuk ia ka dalë që të dorëzonte ndonjë draft në Qeveri. Pengesë ishte edhe jetëshkurtësia e kabineteve qeveritare. E ekzekutivi aktual me gjithë premtimet gjatë fushatës zgjedhore pasi kishte marrë pushtetin ishte tërhequr nga synimi për ndryshim të këtij ligji.

Raporti i OSBE-së vë në pah se nevojitet monitorim i rregullt, ndarje e fondeve të nevojshme dhe parandalim i shkatërrimit të mëtejshëm.

“Komunat kanë mbetur prapa me miratimin e planeve të reja hapësinore komunale. Vonesa ka edhe nga institucionet përkatëse në përcaktimin e perimetrit të monumenteve të mbrojtura dhe zonave tampon. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me komunat duhet ta përshpejtojë procesin e plotësimit dhe ndryshimit të planeve hapësinore për t’i çlegjitimuar projektet të cilat pengojnë zbatimin e Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura”, shkruhet në Raport. Aty ceket se rrënimet e qëllimshme dhe shkeljet e tjera të ligjeve të ndryshme që synojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënvizojnë nevojën për monitorim efektiv të trashëgimisë kulturore. Institucionet komunale do të monitorojnë në bazë të Ligjit për ndërtim, ndërsa qendrat rajonale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore do të monitorojnë në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore”, shkruhet në Raport.

Vihet në pah se inspektoratet komunale dhe ato të nivelit qendror kanë nevojë për kapacitet shtesë, përfshirë edhe makinat. Sipas Raportit, në zbatimin e Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura OSBE-ja ka vënë re hapa pozitivë në respektimin e Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura nga ana e institucioneve. Por jepen kritika në raport me ndërtimet. Raporti konkludon se duhet marrë masa që përfshijnë inspektime të rregullta nga institucionet përkatëse dhe shqiptim të gjobave adekuate ndaj kryerësve të cilët dëmtojnë objektet e trashëgimisë.

Aty jepen të dhëna sa u përket vjedhjeve dhe vandalizmave në ndërtesat e trashëgimisë kulturore. Në raste të tilla prijnë xhamitë.

“Vitet e fundit ka pasur rritje të vjedhjeve në xhami. Përfitimi financiar ka qenë njeri nga motivet për veprat penale kundër objekteve fetare. Në anën tjetër, rritja e numrit të rasteve të raportuara në Policinë e Kosovës është po ashtu rezultat i vetëdijesimit më të madh rreth kundërligjmërisë së veprave ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare”, shkruhet në Raport. Miratimi i Strategjisë kombëtare për trashëgiminë kulturore 2017-2027 në vitin 2016, sipas Raportit, përbën një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së vetëdijes për trashëgiminë kulturore.

Raporti nxjerr në pah se në vitin 2018, MKRS themeloi Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, siç parashihet me Ligjin për trashëgimi kulturore. Por aty specifikohet se aktualisht kompetencat kryesore të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore janë përcaktuar në akte nënligjore ose janë përcaktuar në praktikën e përditshme administrative. Kërkohet që përkufizimi i këtyre kompetencave të bëhet edhe me ligjin e ri për trashëgimi kulturore.

“Për më tepër, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duhet të rrisë kapacitetin e tij në drejtim të trajnimit të specializuar dhe numrit të personelit, në mënyrë që të zbatojë mandatin e tij për mbrojtjen e trashëgimisë në mënyrë efektive”, shkruhet në Raportin që listën e rekomandimeve e ka të gjatë. Përmenden raste konkrete të shkatërrimit të disa monumenteve nga vetë pronarët. Në katër raste gjoba maksimale është 1000 euro.

“Vlera e ulët e gjobave dhe mungesa e mbështetjes institucionale për pronarët e monumenteve të mbrojtura janë ndër arsyet kryesore të dëmtimit, shkatërrimit ose largimit të paautorizuar të monumenteve apo objekteve të mbrojtura. Veprime të tilla shkelin ligjet për trashëgiminë kulturore dhe përbëjnë vepër penale”, shkruhet në Raport. Aty specifikohet se në krahasim me përfitimet ekonomike që rrjedhin nga ndërtimi i një godine të re, niveli i ulët i gjobave të vendosura ndaj pronarëve është i pamjaftueshëm për të shërbyer si parandalim ndaj prishjes së një objekti të mbrojtur.

“Prandaj, masat parandaluese duhet të forcohen dhe politika për gjobat duhet të rishikohet. Disa institucione të trashëgimisë kulturore kanë theksuar nevojën për shqiptimin e gjobave më të larta. Në rast të rrënimit me motiv të dukshëm ekonomik, masat ndëshkuese duhet të kompensojnë dëmin e shkaktuar dhe të ndalojnë ndërtimin ose përdorimin e parcelës për qëllime ekonomike për një periudhë të caktuar kohore”, shkruhet në Raport.

Ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka thënë se ky mision ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur dhe të larmishme kulturore në Kosovë, meqë ruajtja efektive e trashëgimisë kulturore është e rëndësishme për të gjitha komunitetet. “Ne besojmë se gjetjet dhe rekomandimet e raportit të prezantuar sot do t’u ndihmojnë institucioneve në përpjekjet e tyre për ta ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore për brezat e ardhshëm”, ka thënë ai.

E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shpalosur një varg nismash të MKRS-së. Po ashtu ka paraqitur edhe disa punë të kryera në raport me trashëgiminë kulturore, siç janë investimet me qëllim të parandalimit të shkatërrimit të monumenteve. Është zotuar se Qeveria do të vazhdojë intensivisht punën për të përmirësuar gjendjen në trashëgimi kulturore.

“Ne kemi një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, e cila është vlerë universale dhe çelës për krijimin e ndërveprimit shoqëror dhe tejkalim të dallimeve ndërmjet komuniteteve. Jemi të përkushtuar që ta vendosim kulturën dhe trashëgiminë kulturore në qendër të parimeve themelore të bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe zhvillimit të një shoqërie demokratike”, ka thënë Çeku.