Kulturë

Zbulimi i autoportretit të fshehur – kapitull i ri për Van Goghun

Ishte e premte mbrëma, kur duke shikuar me vëmendje në pjesën e pasme të pikturës së një gruaje me kapelë të gjerë dhe shami, u vu re një autoportret i panjohur deri më tani i Vincent van Goghut, njërës prej figurave më të njohura dhe më me ndikim të historisë së artit perëndimor, e cila kishte qenë e fshehur në pikturë që veçse kishte qenë e ekspozuar. Ajo zinte vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Skocisë, për më shumë se gjysmë shekulli.

“Ishte absolutisht emocionuese”, ka thënë Lasley Stevensonm, konservuese e lartë e pikturave në Galerinë Nacionale të Skocisë, teksa ka përshkruar momentin kur gjatë një rutine të rrezatimit me rreze X të pikturës tjetër të Van Goghut, “Head of a Peasant Woman”, zbuloi këtë gjetje të jashtëzakonshme në anën e pasme të kanavacës, të fshehur pas shtresave të kartonit, për më shumë se 100 vjet.

“Nuk kishim pritje të mëdha për pikturën e vogël modeste”, ka thënë Stevenson, duke folur për veprën e cila më 1960 iu dhurua këtij institucioni nga avokati prej Edinburgut, Alexander Maitland. Ajo ishte duke u rrezatuar me rreze X si pjesë e katalogimit dhe përgatitjes për ekspozitën verore të impresionizmit francez të Akademisë Mbretërore Skoceze. Megjithëse Van Goghu ishte holandez, pjesën më të madhe të karrierës së tij artistike ai e kaloi në Francë.

Pllakat me rreze X u përpunuan në një dhomë të errët të stilit të vjetër dhe kur Stevenson shikoi imazhet ajo kuptoi se ishte duke shikuar fytyrën e vetë Van Goghut.

“Dhe ja vini re! Ne nuk shohim edhe shumë nga fshatarja, por ajo çfarë vërejmë është një e bardhë me pigmentim të fortë të cilin ai e kishte përdorur për të pikturuar fytyrën e tij, gjë e cila vërehet pasi që rrezet X kalojnë nëpër karton.

Image
Autoportreti i Van Goghut i zbuluar gjatë një ekzaminimi me rreze X të “Head of a Peasant Woman” të vitit 1885. Foto: Galeria Kombëtare e Skocisë

Hulumtimet e mëtejshme sugjerojnë se piktura është pjesë e një seri autoportretesh eksperimentale. Ka edhe pesë vepra të ngjashme, të ekspozuara në Muzeun e Van Goghut në Holandë – të pikturuara në pjesën e pasme të një kanavace të mëparshme nga koha kur ai kishte jetuar në Neunen, në jug të vendit, nga dhjetori i vitit 1883 deri në nëntor të vitit 1885. Atje ai ndërmori një sërë studimesh në përgatitje të kryeveprës së hershme “The Patato Eaters” të pikturuar më 1885.

Frances Fowle, një kurator i lartë i artit francez, ka thënë se zbulimi – mendohet të jetë i pari për çdo institucion në Mbretërinë e Bashkuar – që na ndihmon edhe më shumë në kuptimin e një periudhe vendimtare të zhvillimit artistik të Van Goghut, kur ai u ndesh për herë të parë me punën e impresionistëve francezë pas transferimit në Paris më 1886, mbështetur nga vëllai i tij Theo dhe pas takimit me artistë avangardë si Henri de Toulouse - Lautrec dhe Émile Bernard.

I frymëzuar nga artistë si Georges Seurat dhe Paul Gauguin, ai adoptoi një stil pikture më të gjallë dhe ekspresive, duke e përdorur veten si model për të eksperimentuar për herë të parë me penel të thyer, duke ripërdorur kanavacat në mënyrë që të kursejë para.

“Kjo periudhë kur ai filloi të prodhonte autoportrete ishte kyç në formimin e stilit të tij, kur filloi të eksperimentonte me goditjen e veçantë të penelit. Van Goghu ishte një mendimtar shumë i pavarur dhe ai e zhvilloi stilin e tij të ri radikal shumë shpejt”, ka thënë Fowle.

Tani konservuesit do të fillojnë procesin e zbulimit të autoportretit, i cili është në një gjendje të pasigurt nën shtresat e ngjitësit dhe kartonit, duke ruajtur pikturën origjinale. “Është si të hysh në të panjohurën”, ka thënë Stevenson. “Sfida do të jetë heqja e ngjitësit nga shtresat e bojës së vajit, duke shfrytëzuar ndryshimin në tretshmërinë e ngjitësit me bazë shtazore dhe bojës me bazë vaji”.

Në një vit të zakonshëm, Muzeu Van Gogh në Amsterdam ka deri në 300 kërkesa nga njerëzit që besojnë se kanë zbuluar një Van Gogh të humbur, por vetëm pak prej tyre kanë rezultuar të vërteta.

Në vitin 2013, peizazhi i “Sunset at Montmajour”, i pikturuar më 1890, dy vjet para vdekjes së tij dhe i harruar në një papafingo norvegjeze, u shfaq në Amsterdam, ndërsa vitin e kaluar një skicë e një punëtori të rraskapitur e bërë me laps, “Worn Out” u ekspozua pasi kishte qëndruar për më shumë se një shekull në një koleksion privat të një familjeje holandeze.

“Zbulimi i një vepre të re është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Stevenson. “Çdo gjë që na ofron më shumë informacione për artistin është një bonus i madh dhe tregon për përfitimin e analizave teknologjike dhe faktin se ne ende mund të zbulojmë gjëra të reja”.

Marrë nga “The Guardian” Përktheu: Mirjetë Sadiku