Kulturë

“Anibari” i thyerjes së besëtytnive ndez projektorin me zërin e Ukrainës

Descriptive Text

Numri 13, ndonëse jo në ditën e premte, ka qenë pikënisje e maratonës së “Anibarit” që sivjet ka për temë besëtytnitë. Që në hapje, “Anibari” është solidarizuar me shtetin e pushtuar nga Rusia. Festivali që në çdo animacion synon të lidhë Kosovën me vendet më të zhvilluara me këtë fushë, me Ukrainën ka pasur mundësi të lidhet vetëm artistikisht

“A e kaloni rrugën kur e shihni macen e zezë?”, ka qenë pyetja që i drejtuar fillimisht publikut të ulur buzë liqenit në Pejë. Ka qenë pikërisht kjo pyetje që e ka kthyer publikun te besëtytnitë. Duke e vënë fokusin te besimet e tilla e organizatorët e “Anibarit” e kanë bërë këtë hyrje për të dëshmuar besnikërinë ndaj temës mbi të cilën përthekohet sivjet edicioni i 13-të i Festivalit të filmit të animuar, i cili do të sjellë 233 filma gjithsej, 177 prej tyre janë pjesë e shtatë kategorive garuese në kuadër të Festivalit. Numri 13, ndonëse jo në ditën e premte, ka qenë pikënisje e kësaj maratone. Kinemaja pranë parkut “Karagaq”, e vendosur pranë liqenit, ka bërë lidhjen me Ukrainën.

Që në hapje, “Anibari” është solidarizuar me shtetin e pushtuar nga Rusia. Festivali që në çdo animacion synon të lidhë Kosovën me vendet më të zhvilluara me këtë fushë, me Ukrainën ka pasur mundësi të lidhet vetëm artistikisht, duke shfaqur një program të filmave të animuar nga Ukraina e paraluftës, i kuruar nga Anastasiya Verlinska, drejtoreshë e Festivalit të animacionit në Ukrainë – “Linoleum”. Nga qyteti i Pejës hapja e edicionit të 13-të ka qenë edhe një thirrje solidarizimi me shtetin e pushtuar.

“Në rrethana të tjera këta animatorë do të mund të ishin me ne në Pejë. Si njerëz që e kemi parë luftën, mungesa e tyre na godet më fort sot. Nga Peja, Kosova, shprehim solidaritet të plotë më popullin ukrainas dhe shpresojmë që e mira do të triumfojë ndaj së ligë”, ka thënë Era Hyseni gjatë ceremonisë së hapjes së edicionit të 13-të të Festivalit.

Në ekranin e kinemasë “Liqeni” është shfaqur filmi i animuar “The surrogate” i Stas Santimov, i cili është realizuar në vitin 2020. Historia e tij është mes përplasjeve të vazhdueshme, ku një burrë shkatërron folenë e një krijese të panjohur rrëqethëse. Më pas është shfaqur filmi “The responsible hero” (Heroi i përgjegjshëm) i Roman Lysenkos, i realizuar gjatë vitit 2021. Në 5 minuta filmi përmbledh një tragjedi-komedi, që shtjellon një përpjekje shpëtimi dhe pasojat e saj. Filmi kryekëput është i bazuar dhe frymëzuar kryesisht nga filmat Supermanit të viteve ’70 e ‘80. Është një histori e thjeshtë e drejtpërdrejtë me një atmosferë gazmore dhe paksa nostalgjike e kontrastuar nga një kthesë e zymtë dhe e papritur. Te historia e një sirene të vetmuar që sjell atmosferë po aq gazmore ka kaluar publiku nëpërmjet filmit “Deep water” (Uji i thellë), nën regji të Anna Dudko. “Paper or plastic” (Letra apo plastika) i Nata Metlukh ka shpalosur jetën e një emigranti idealist. “Dashuria e vërtetë më në fund ka ndodhur në Ukrainë”, është mesazhi i filmit “Deep love” (Dashuri e thellë), që është shfaqur përgjatë mbrëmjes së hapjes së Festivalit. Me mesazhe të tilla, Peja u është bashkuar mesazheve të solidarizimit nga mbarë bota.

Image

Janë gati 300 filma nga të katër anët që për një javë sjellin në Pejë, botën e pakufishme të filmit të animuar


Këtë e ka bërë edhe nëpërmjet muzikës, duke vendosur në monitorin e madh këngën “Hey Hey Rise Up” të “Pink Floyd”, e cila është e bazuar në himnin ukrainas të vitit 1914.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhenet Syka, ka falënderuar organizatorët që për çdo vit e vendosin Pejën në fokus. Sipas saj, “Anibari” nuk i sjell Pejës vetëm benefite kulturore, por edhe të shpalosjes së të drejtave të njeriut, barazisë dhe gërshetimit të kulturave të ndryshme.

“Është verë e jashtëzakonshme, pasi që ‘Anibarin’ për disa vjet e kishim të izoluar për shkak te pandemisë. Dua të besoj fuqishëm që kjo është vetëm hyrja dhe ‘Anibari’ gjatë gjithë javës do t’i tejkalojë besëtytnitë për ta vendosur Pejën në udhëkryqin në vendet botërore”, ka thënë Syka gjatë hapjes.

Arba Hatashi, drejtoreshë e festivalit “Anibar”, ka folur shkurt gjatë ceremonisë, ku ka theksuar vendosmërinë për të zgjedhur temën “Besëtytnitë”.

“Do të doja të theksoj që ky vit është edicioni i 13-të e kemi zgjedhur temën sepse jemi popull me besëtytni të shumta”, ka thënë ajo.

Tema “Besëtytnitë” do të zbërthehet në ekranet e kinemasë “Jusuf Gërvalla”, teatrin “Istref Begolli”, kinemanë “Kubat” dhe kinemanë “Liqeni”, të cilat do të jenë të hapura për publikun në plot një javë, sa shtrihen aktivitetet e Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar. Me programet speciale, “Anibari” synon të prekë tema të ndryshme, kurse nëpërmjet programeve edukative, ofrohen teknika të reja në botën e animacionit. Sipas drejtori të organizatës “Anibar” dhe themeluesit të këtij Festivali, Vullnet Sanaja, këto trembëdhjetë vjet e kanë karakterizuar Festivalin me guxim për t’u përballur me çdo sfidë.

“Këtë edicion premtojmë që do të ketë mundësi për shumë njerëz që të argëtohen dhe të socializohen me njëri-tjetrin, por edhe që t’i rritin aftësitë e tyre dhe të edukohen”, ka thënë Sanaja për KOHËN.

“Anibar” do të shpalosë programin në tetë kategori deri më 19 korrik në qytetin e Pejës.

Image