Kulturë

Prishtinës i rikthehet Observatori si dritare e gjithësisë dhe trashëgimi

Prej kupolës së Pallatit të Rinisë, qytetarët e Kosovës do të mund ta vështrojnë gjithësinë nëpërmjet Observatorit të Prishtinës. Ca shkallë të ngushta, ngjyrosur me ngjyra shumë, mure me yje, planetë që krejt bashkë sjellin imazhin e gjithësisë, janë rruga që duhet arritur deri në majë të kupolës me dysheme, me mozaikun që paraqet sistemin diellor, të punuar nga pllakat e ricikluara. Aty do të jetë hapësira më e re observatorike e Prishtinës, përkatësisht Kosovës, e cila në fakt rigjallet pas hiç më pak se 35 vjetësh, si hapësirë e rinovuar e me teknologji të avancuar. Observatori i Prishtinës qe funksional prej vitit 1977 deri më 1988. Prej atëherë s’u funksionalizua kurrë. Të mërkurën pasdite me ceremoni i është prerë shiriti Observatorit.

Duke parafrazuar astronautin e famshëm Neil Armstrong, Suhel Ahmeti, drejtor i “Astronomy Club of Kosova” ka thënë se ndonëse hapja e Observatorit mund të duket si një hap i vogël për të gjithë të pranishmit, ai është një hap i madh për Kosovën.

“Një studim zbuloi se nëse fëmijët që në moshë të vogël fillojnë të mësojnë astronomi, kjo do të ketë një ndikim të mirë në jetën e tyre. Me teleskopin tonë diellor, teleskopin e natës dhe materialet mësimore, shpresojmë që fëmijët dhe të rinjtë nga komunitete të ndryshme të vijnë këtu dhe të mësojnë”, ka thënë ai

Sipas Ahmetit, për shkak të historisë së tij, Observatori i Prishtinës në të ardhmen do të shërbejë edhe si një pikë turistike.

“Çka është e rëndësishme është se tani ne do të kemi njerëz të cilët do ta vizitojnë Kosovën dhe ky vend do të jetë një destinacion turistik sepse ai me të vërtetë ka një histori”, ka thënë ai.

E tërë pjesa e Observatorit është rinovuar duke u pastruar, gëlqerosur, rilyer e madje edhe pikturuar. Murali, i cili përfshin tërë korridorin, si dhe dy sallat e vogla, atë të observimin dhe një tjetër e cila do të shërbejë si sallë e edukimin dhe informimit, është vepër e artistes zvicerane, e njohur si Made by Stern.

“Ne jemi munduar ta mbajmë këtë vend sa më origjinal që është e mundur dhe ne kemi instaluar teleskopët e përkohshëm, sepse teleskopi i cili do të vijë nga ShBA-ja nuk ka mbërritur ende”, ka shpjeguar Ahmeti.

Ai ka bërë të ditur se teleskopët e tjerë do të instalohen pas përfundimit të “Manifestas”, bienales nomade evropiane, e cila sivjet, në edicionin e 14-të, vjen në kryeqytet prej 22 korrikut deri më 30 tetor.

“Ne shpresojmë që pas përfundimit të ‘Manifestas’ do t’i instalojmë edhe teleskopët e tjerë, të cilët do të mund të përdoren për nevoja të ndryshme, për të observuar planetët, yjet, hënën e të tjera”, ka përfunduar me shumë entuziazëm Ahmeti.

Image

Rivitalizimi i Observatorit të Prishtinës në një qendër shkencore rinore u bë nga ekipi rinor multietnik i “Klubit Astronomik të Kosovës” dhe u mbështet financiarisht nga UNMIK-u dhe Komuna e Prishtinës.

Caroline Ziadeh, përfaqësuese speciale e sekretarit të përgjithshëm për Kosovën dhe shefe e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke folur për rëndësinë e hapësirës së Observatorit të Prishtinës, ka theksuar se mbështetja e vazhdueshme e mësimit shkencor është thelbësore.

“Qielli nuk ka kufij dhe ju inkurajoj të gjithëve që të ëndërroni gjëra të mëdha”, ka thënë PSSP Caroline Ziadeh gjatë fjalimit të hapjes së Observatorit të Prishtinës.

Ziadeh ka thënë se UNMIK-u ishte i nderuar të financonte dhe të mbështeste këtë projekt ambicioz.

“Arti, shkenca dhe astronomia janë gjuhë universale, që i lidhin njerëzit e të gjitha moshave, prejardhjeve, etnive. Shpresojmë që në dekadat e ardhshme, Observatori i Prishtinës do të shërbejë si qendër shkencore dhe multietnike e të rinjve”, ka përfunduar Ziadeh.

Observatori do të çojë përpara trashëgiminë e tij si një qendër e rëndësishme shkencoro-arsimore.

Image

I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, i cili ka thënë se ishte i lumtur që hapja e Observatorit në Prishtinë po korrespondonte me pamjet magjepsëse që po qarkullojnë këto ditë nga teleskopi “James Webb”.

Duke folur për historikun e Observatorit, Rama ka rikujtuar gjendjen e mjerueshme në të cilën ky vend kishte mbetur deri më tani.

“Observatoriumi i Prishtinës, i cili kishte mbetur i pashfrytëzuar që nga vitet e 80-a, me sot po vihet prapë në funksion. Aq gjatë pati mbetur jashtë funksionit, saqë breza të tërë e njohën vetëm si njëfarë strukture cilindrike e Pallatit të Rinisë, pa e ditur se kishte shërbyer si pikëvrojtim i gjithësisë gjatë viteve 70-a, kur edhe u ndërtua Pallati i Rinisë”, ka thënë ai.

Në fund kryetari i Prishtinës ka shtuar se që nga sot e tutje, i pajisur tashmë edhe me një teleskop, ky observator do të jetë në shërbim jo vetëm të anëtarëve të pasionuar të klubit të astronomëve, por edhe të të gjithë qytetarëve e në veçanti të të rinjve dhe nxënësve, duke i nxitur ata të bëhen studiues e kërkues të zellshëm.

Pas prerjes së shiritit nga kryetari i Prishtinës, përfaqësuesi i ACK, Suhel Ahmeti, dhe Caroline Ziadeh (PSSP), Klubi Astronomik i Kosovës ka shpalosur para të pranishmëve edhe një videoincizim të shkurtër, i cili shfaq punën që ACK së bashku me “Under One Sky Initiative” dhe Jana Minochkina, këshilltare dhe koordinatore për të rinjtë në UNMIK, kishin bërë deri në hapjen e këtij Observatori.

Kjo video e shkurtër, e cila, që siç u paralajmërua nga përfaqësuesi i ACK-së, ka qenë një lloj traileri i dokumentarit, i cili pritet të kompletohet së shpejti.

Në fund, ACK së bashku me Under One Sky Initiative dhe Jana Minochkina shpërndanë disa certifikata falënderimi për përkrahësit e kësaj iniciative. Po ashtu gjatë ceremonisë së hapjen nga një çelës simbolik u dha për kryetarin Rama dhe Caroline Ziadeh (PSSP), që, siç deklaroi Suhel Ahmeti, nënkuptojnë se dyert e Observatorit do të jenë gjithmonë të hapur për ta.

Vitin e kaluar ACK-ja ka ekzekutuar një sërë aktivitetesh astronomike për të rinjtë, duke prezantuar mrekullitë e universit me shumë të rinj nga komunitete të ndryshme.