Kulturë

Grabitësit në kërkim të artefakteve shqiptare

Copa qeramike mbushin fushat e një qyteti antik në Shqipërinë juglindore, ku grabitësit kanë bastisur malësitë e zonës në kërkim të këtyre copëzave, të cilat ua shesin trafikantëve ndërkombëtarë.

Gjuetarët e paligjshëm të thesarit operojnë pothuajse pa u ndëshkuar nga shteti, duke nxitur kështu zemërimin e arkeologëve për vjedhjen e trashëgimisë të paçmuar kombëtare, e cila ushqen një treg të zi global.

Qeveria thotë së është duke punuar për të ndërmarrë masa për të mbrojtur dhe për të ruajtur vendet të cilat janë pre e grabitësve, por deri tani pa sukses – edhe pse plaçkitja e objekteve arkeologjike është një krim, si në shumicën e vendeve.

Tani e mbuluar me bimësi të egër, rajoni afër Korçës së sotme dikur ishte shtëpia e qytetit "Hija e Korbit".

I vendosur përballë një kodre, vitet e fundit ai është rrënuar nga grabitësit e armatosur me lopata që kërkojnë objekte dhe artefakte.

“Njerëz të cilët vijnë për të gërmuar këtu, janë nga të gjitha regjionet”, thotë 60-vjeçari Axhem Lageshtari, banor vendës. “Kudo që gërmojnë ata gjurmojnë me shpresë për të gjetur ar, argjend apo gjëra të tjera të çmuara”.

Zona fitoi famë në vitin 1980, pas zbulimit të më shumë se 600 monedhave prej argjendi, përfshirë edhe të tilla që datojnë shekuj më parë, që nga sundimi i Aleksandërit të Madh.

Image
Ekspertët thonë se nuk është bërë mjaftueshëm që ligjërisht të ndalohet plaçkitja

Ekspertët i kanë thënë AFP-së se gërmime të paligjshme janë zbuluar pothuajse në çdo vend të rëndësishëm arkeologjik të rajonit, i cili është shtëpia e nekropoleve historike, kalave dhe mbetjeve të tjera, që datojnë nga epoka e bronzit deri në mesjetën e hershme.

“Problemi është veçanërisht shqetësues në Hijen e Korbit, një vend i rëndësishëm arkeologjik që ende nuk është eksploruar nga arkeologët”, ka thënë Rovena Kurti, shefe e Departamentit të Parahistorisë në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë. “Ata kanë dëmtuar vendin dhe plaçkitur trashëgiminë”, ka shtuar Kurti.

Grabitësit shpesh shkatërrojnë të dhëna shkencore dhe heqin objektet nga konteksti i tyre mjedisor, gjë që është e nevojshme që ekspertët të kuptojnë historinë e zonës, ka shpjeguar Cecile Oberweiler, ish-drejtoresha e misionit franko-shqiptar në Korçë.

Në verilindje të kryeqytetit të Tiranës, mbetjet e një kishe të shekullit XI ose XXI janë shpërfytyruar me gropa të lëna hapur nga grabitësit.

Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë Mari, duhej të mbrohej si një monument kulture i njohur, por kjo nuk i ndaloi shkelësit të plaçkitnin zonën.

“Ne mund t’i japim çdo emër, por në të vërtetë, tani për tani ajo është një gërmadhë rënë pre e grabitësve”, ka thënë arkeologu Skender Muçaj.

Image
Rajoni afër Korçës së sotme dikur ishte shtëpia e qytetit “Hija e Korbit”. Zona fitoi famë në vitin 1980, pas zbulimit të më shumë se 600 monedhave prej argjendi

Plaçkitja e zonës ka qenë veçanërisht e dhimbshme për banoren vendëse Nora Braia.

“Unë vij çdo të martë për t'iu lutur virgjëreshës Mari. Ajo shpëtoi jetën e djalit tim të sëmurë, por unë isha e pafuqishme për ta shpëtuar këtë strehë”, ka thënë në lot Braja, duke shtuar se shpreson që sulmuesit “do të ndiqen nga fatkeqësitë”.

Ekspertët thonë se nuk është bërë mjaftueshëm që ligjërisht të ndalohet plaçkitja.

Ministria e Kulturës e Shqipërisë i ka thënë AFP-së, se po bëhen përpjekje për të luftuar “trafikimin e paligjshëm të pasurive kulturore”, duke përfshirë një plan kombëtar veprimi, të shpalosur më 2018, së bashku me iniciativat, për të përmirësuar koordinimin me organizatat ndërkombëtare.

Nuk ka asnjë vlerësim zyrtar për vlerën që kanë në treg objektet e marra nga Shqipëria.

Por studiuesit janë të sigurt se disa nga artefaktet kanë rënë në duart e trafikantëve ndërkombëtarë dhe më pas janë shitur në ankande, në muze dhe koleksione private jashtë vendit.

“Është një luftë që Shqipëria nuk mund ta udhëheqë e vetme, përgjegjësia bie edhe mbi autoritetet e vendeve të tjera që mbyllin sytë kur këto objekte ekspozohen në muzetë e tyre”, ka thënë Neritan Ceka, arkeolog dhe historian arti.

Aktakuza e fundit e Jean-Luc Martinez, ish-kreut të Louvreit në Paris, i cili u akuzua për komplotin për shkak të tendencave për të fshehur origjinën e thesareve arkeologjike, vuri në pah shtrirjen e tregtisë së paligjshme të gjësendeve antike.

Arkeologu francez, Pascal Darcque, ka thënë se ky është një problem mjaft i përhapur dhe se muzetë shpesh nuk e marrin seriozisht procesin e verifikimit të objekteve të shitura dhe origjinës së tyre.

“Shitja e tyre duhet të bllokohet dhe nëse mund të përcaktohet origjina e tyre gjeografike, objekti duhet të kthehet”, ka thënë Darcque.

Marrë nga AFP-ja. Përktheu: Mirjetë Sadiku