Kulturë

Kështjella Davis, ku historia e Amerikës takon turizmin

Gjatë udhëtimit në Texas, vizitori i parqeve kombëtare, Mikah Meyer, u ndal edhe në fortesën historike në pjesën perëndimore të vendit, që e ktheu shumë pas në kohë.

Gjatë rrugëtimit në Teksasin perëndimor, aventurieri i parqeve kombëtare, Mikah Meyer, pati rastin të futej thellë në historinë amerikane.

“Kështjella Davis është një bazë ushtarake e viteve ‘800, që u ndërtua për të mbrojtur interesat amerikane në shkretëtirën Chihuahuan, në Teksasin Perëndimor”, thotë Mikah.

Shkretëtira Chihuahuan, që përbën më shumë se gjysmën e kufijve midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, zë shumicën e hapësirës së Teksasit perëndimor; një vend i përsosur për të ndërtuar një fortesë.

“Nga njëra anë shikon muret prej guri, që ose të mbrojnë, ose e bëjnë vendndodhjen e kalasë më të pasigurt, teksa nga ana tjetër shikon shkretëtirën e pamasë, falë së cilës ushtria amerikane mund të shikonte armiqtë teksa afroheshin”, thotë vizitori i parqeve kombëtare, raporton Zëri i Amerikës.

Ja pse Fortesa Davis, e ndërtuar në 1854-ën, cilësohet si një ndër shembujt më të mirë të mbijetesës së një baze ushtarake në Amerikën Jugperëndimore.

Kjo pikë turistike nderon kujtimin e ushtarëve “buaj”, ish skllevër afro-amerikanë, të cilët iu bashkuan ushtrisë së Shteteve të Bashkuara pas Luftës Civile.

Quheshin “ushtarët buaj” nga vendasit, pasi flokët e tyre dukeshin si të buallit, një kafshë që indianët e Amerikës e cilësonin të shenjtë.

Ushtarët “buaj” u vendosën në Kështjellën Davis, ku shërbyen nga viti 1867 deri në 1885-ën; ata luajtën një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e Amerikës Perëndimore.

Detyra e tyre ishte të mbronin udhëtarët në segmentin rrugor San Antonio-El Paso, si dhe të ndihmonin ushtrinë amerikane të mbante nën kontroll indianët e Amerikës që ishin të dhunshëm e të rrezikshëm.

Fortesa Davis ishte bastioni kryesor i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Teksasin Perëndimor.

“Kareem Abdul-Jabbar, ish yll i NBA-t, ka realizuar një reklamë për parkun. Ai është i dhënë pas historisë së ushtrisë së “buajve” dhe gjurmëve që lanë në histori. Këta ushtarë luajtën një rol kyç në shndërrimin e Shteteve të Bashkuara në atdheun e të gjitha racave që ai është sot”, thotë Meyer.

Kështjella e vjetër mund të shihet edhe si simbol i konfliktit tragjik midis banorëve vendas të Amerikës Veriore dhe të ardhurëve që u treguan të pamëshirshëm.

Shërbimi Kombëtar i Parqeve është i ndjeshëm ndaj gjendjes së vështirë që kaluan indianët e Amerikës në këtë zonë, gjatë kohës që fortesa u ndërtua, por ky shërbim është gjithsesi krenar për ruajtjen e kësaj pike turistike “në kujtim të ushtarëve amerikanë që i shërbyen vendit me besnikëri për mëse një shekull.