Kulturë

Christine Salem me zë unik gjurmon rrënjët e feston paqen

Nuk është nga zërat e rëndomtë që mund t’i ketë dëgjuar publiku në Kosovë. Ka një karakteristikë tejet të veçantë në timbrin e saj. Është nga ata artistë që talenti s’mund t’i definohet ndryshe pos dhunti natyrore. Christine Salem, si një nga figurat eminente të muzikës afrikane, për herë të dytë u rikthye në Prishtinë, pikërisht në festivalit “Femart”, duke i falur Prishtinës një koncert të jashtëzakonshëm. Me zërin e saj, ajo u këndon e falënderon paraardhësit, feston paqen e harmoninë

Kur themeluesja e “FemArtit”, Zana Hoxha, e paralajmëron daljen e saj në skenën e ristrukturuar të teatrit “Oda”, thotë se është artistja e vetme ndërkombëtare, të cilën e kanë ftuar për herën e dytë. Madje e cilëson si muzikanten më të talentuar që e ka dëgjuar ndonjëherë në jetën e saj. Ndërsa vetë artistes nuk i duhet shumë kohë për t’ia dëshmuar publikut këtë.

Ende pa filluar t’u japë zë këngëve të albumit të saj “Mersi”, komunikon me publikun. I flet në gjuhën frënge, duke tentuar t’ua mësoj disa fjalë. E mbush sallën plotë energji e të qeshura për nga mënyra se si krijon familjaritet menjëherë dhe e mban humorin e audiencës në nivel. Ndërkaq kur kap mikrofonin në duar dhe dritat e skenës fillojnë ta gjallërojnë ambientin, shpërndahet krejt tjetër ndjenjë.

Nuk është nga zërat e rëndomtë që mund t’i ketë dëgjuar publiku në Kosovë. Ka një karakteristikë tejet të veçantë në timbrin e saj. Është nga ata artistë që talentin e saj mund ta definojë veç me dhuntinë mbinatyrore. Njësoj është edhe në pamje. Me stilin e veçantë të veshjes, flokët përplot kaçurrela dhe identitetin afrikano–frankofon, këngëtarja nga ishulli Reunion fali një natë që tepër rrallë arrihet të ndihet në Kosovë.

Christine Salem çdo pauzë e shfrytëzon për të lënë gjurmë në mendjet e publikut. Por përtej pjesës kur flet me ta përmes përkthimit nga gjuha frënge në atë angleze, ajo që mbetet më së shumti në kujtesë është pikërisht mënyra se si interpreton. Me një lojë tejet intensive me zërin e saj, sa shkon në skutat e melankolisë e sa e përplas veten në ritmet plot jetë të frymës afrikane.

Albumi i katërt i saj, të cilin e kishte lansuar para një viti, “Mersi” erdhi si falënderim e mirënjohje për paraardhësit, të cilët ia dhanë këtë kulturë, teksa e trajtojnë edhe dhunën ndaj grave, rezistencën e festën. Atë që e piketon më së shumti përgjatë gjithë performancës mbi njëorëshe është lidhja me anën shpirtërore dhe bashkimi njerëzor. E përmend disa herë tolerancën në vendin ku jeton, pavarësisht faktit të ekzistencës së disa religjioneve atje. Kundërpërgjigje e saj bëhet publiku i cili tenton me brohoritma t’ia tregojnë se të njëjtën e gjen edhe në Kosovë.

Image
Me stilin e veçantë të veshjes, flokët kaçurrela dhe identitetin afrikano–frankofon, këngëtarja nga ishulli Reunion fali një natë që tepër rrallë arrihet të ndihet në Kosovë

“S’do përtoja të vij edhe herën e tretë nëse më ftoni”, thotë me humor që në fillim të intervistës. Duket tejet e disponuar nga pritja e publikut. E potencon që në Kosovë ka parë rini të shëndoshë, me plot energji dhe që gjithnjë ka nevojë për muzikë.

“Gjithmonë kam emocione sa herë që jam në skenë, duke e parë edhe publikun që energjia transmetohet nga ata tek unë. Është shumë interesante dhe bashkëndiej me ta”, thotë ajo.

Christine Salem rrugëtimin muzikor e ka nisur në moshën tetëvjeçare, teksa këngën e parë e ka shkruar sa ishte 12 vjeçe. Në vitin 1997 themeloi grupin “Sale, Tradition”, që u bë një nga vulat identifikuese në ishujt Reunion. Tash njihet si një nga këngëtaret më të famshme të muzikës afrikane. “Anou”, “Gerye”, “Izae”, “Tyinbo”, “Yala”, “Lasa”, “Je Dis Non”, “Dolo”, “Why War”, “Mangavo”, “Mama Africa”, “Laye Laye”, “Mersi” me përplot dromca të rockut, blues e maloya, u jetësuan nën shoqërimin e Jacky Malbrouck, Anne Laure Bourget (në perkusione) kitarës së Seb Martel e violinës së Frederic Norel.

Në cilindo skenë që i shkel këmba rreth e qark botës, thotë se është gati të japë më të mirën e saj. E përmend faktin e prejardhjes nga një kulturë e tillë, e cila shpesh është tejet interesante dhe ua rrit kureshtjen për ta dëgjuar Salem në skenë.

“Është një album që ia kam dedikuar prindërve të mi, për kulturën dhe edukatën që e kam marrë nga ta. Janë ndjenja dhe emocionet e mia brenda albumit”, thotë ajo për “Mersi”, i cili ka marrë emrin nga njëra prej këngëve brenda saj.

Vlerat njerëzore, rezistenca e festa janë disa prej dedikimeve të albumit, i cili vjen në gjuhën kreole, e cila është krijuar pas kolonive franceze në popullin afrikan, si një udhëtim në zemrën e rrënjëve të saj.

“Unë s’jam feministë, por duke marrë parasysh situatat e ndryshme, iu bashkohem atyre”, thotë ajo, duke e vënë në pah pozicionimin e saj. Kur e thotë këtë, duket sikur për të më e rëndësishme janë shpirtërorja e njerëzorja dhe jo ndarja në lëvizje. “Është ritmi që vjen nga vendi im dhe është më ndryshe, është i veçantë dhe nganjëherë për evropianët dhe të tjerët s’është i lehtë t’i adaptohen”.

Nuk e lë pa potencuar sërish tolerancën ndërfetare në ishullin e saj. Jep mesazhin e bashkëjetesës pa paragjykime e ndasi. Ndërkaq kur flet për Kosovën, ka fjalë të mira për pritjen që iu është bërë. “Ekipi i Festivalit është shumë i mirë, nga sonte do të shkoj me një qejf e dëshirë të rikthimit dhe është kënaqësi”

Themeluesja dhe drejtoresha e festivalit “FemArt”, Zana Hoxha, e cilëson si artiste unike kur e prezanton. Thotë se ajo e nderon këtë festival përmes artit që sjell. Teksa koncerti erdhi në kuadër të Festës së Muzikës, manifestimit i cili qe 40 vjet nëpër shumë vende të botës shënohet si manifestim për muzikën, Valon Ibraj, atasheu i kulturës në Ambasadën franceze në Kosovë ka thënë se data e përvjetshme, 21 qershor, sivjet u zëvendësua për nder të artistes multidisiplinare.

“Kjo është frankofonia”, ka thënë ai për gërshetimin e kulturave brenda saj. “Kur flitet për kulturën franceze, atëherë flitet për një nivel më të gjerë të kulturës. Gjithsesi, një këngëtare speciale edhe pse nuk ishte nga Franca, ishte një natë frënge, duke folur frëngjisht me ne dhe me publikun. Ishte kënaqësi ta kishim në mesin tonë”, përfundoi ai.

Në anën tjetër, aktorja Anisa Ismajli ka thënë se ndihet mirë ta dëgjojë Salem pas pesë vjetësh.

“Nuk jemi një popull që na bie shumë të udhëtojmë dhe të shohim shumë koncerte, nga mungesa e vizave dhe të gjitha të tjerat. Kur na ftoi të shkojmë në ishullin e vet, i thashë se s’kemi viza”, tha ajo, duke thumbuar gjendjen në të cilën ndodhet Kosova.

“Shumë e bukur sepse gjuha frënge është një gjuhë shumë melodike dhe shumë e bukur. Edhe nëse nuk ka një përkthyes, neve nuk na duhet se po e kuptojmë gjuhën e trupit që Christine e jep”, ka thënë Ismajli.

Image
Gjithmonë kam emocione sa herë që jam në skenë, duke e parë edhe publikun që energjia transmetohet nga ata tek unë. Është shumë interesante dhe bashkëndiej me ta”