Kulturë

Politika me “Sunny Hill” në ditën e tretë të “festivalit” të akuzave

“Arsyeja përse ky festival sot është i zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së Qeverisë”, ka thënë prerazi të enjten në konferencë për media kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ka qenë 99-vjetëshi për tokën në Bërnicë, që deri tash përmendet si arsye kryesore e ikjes së “Sunny Hillit” në Tiranë. Por Rama ka thënë se me kontratë e kanë pasur “që çdo tri vjet të rishikohet kontrata”. Pas konferencës së tij, një tjetër e kanë mbajtur edhe anëtarët e VV-së. Asamblistët, Nora Kelmendi e Gëzim Sveçla, kanë akuzuar Komunën si përgjegjëse për mosmbajtjen e Festivalit

S’kanë mbetur as 50 ditë deri te edicioni i tretë i festivalit “Sunny Hill”, tash në Tiranë, ndërkaq në Prishtinë, përplasjet e politikës kanë hyrë në ditën e tretë. Tashmë, në skenën politike vendore ka nisur “festivali” i akuzave midis institucioneve sa i përket zhvendosjes së ngjarjes muzikore.

Për Komunën e Prishtinës është Qeveria ajo që ka zvarritur procesin dhe ka ndikuar direkt që kryeqyteti sivjet të mos jetë nikoqir i “Sunny Hill Festival”. E një orë pas ekzekutivit komunal, në “skenën” e akuzave kanë dalë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje për të treguar se “përgjegjës për zhvendosjen e Festivalit është ekzekutivi i Komunës”. Ndër të tjera, si një ndër shkaqet kryesore për zhvendosje u bënë 17 hektarët në Bërnicë të Poshtme, të cilat “Sunny Hillit” do t’i jepeshin në shfrytëzim për 99 vjet.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të enjten bashkë me një pjesë të kabinetit të tij, në një konferencë për media, mbajtjen e Festivalit sivjet në Tiranë e jo në Prishtinë e ka vlerësuar si një lajm dëshpërues për kryeqytetin, si dhe për të gjithë Kosovën. Po këtë e kishte thënë edhe pak minuta pasi doli lajmi për arratisjen e “Sunny Hillit...”, të martën pasdite.

Si negociues i marrëveshjes me “Sunny Hill Festival” e propozues që Kuvendi Komunal më 10 maj të votonte pro ndarjes së parcelës prej 17 hektarësh për Festivalin, ka thënë se Komuna ka bërë të pamundurën që të krijohen kushtet për mbajtjen e ngjarjes në Prishtinë.

përse ky festival sot është i zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së Qeverisë, e cila pavarësisht se i gjithë procesi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për Festivalin është bërë në pajtim të plotë me ligjin, institucionet qendrore kanë kërkuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e Kuvendit Komunal dhe të kryetarit të Komunës”, ka thënë ai. Sipas Ramës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal gjatë vlerësimit të ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit Komunal kishte kërkuar dokumente shtesë. Rinegocim i periudhës së shfrytëzimit prej 99 vjetësh, sipas tij, kishte qenë një tjetër kërkesë e MAPL-së.

Rama ka thënë se për fat të keq për çështje të tilla, që fare nuk duhet të politizohen, janë bërë përpjekje që për poenë politike të tentohet që vendimin ta rikthejnë në Kuvend Komunal, kundër vullnetit të shumicës së asamblesë që përfaqëson vullnetin e sovranit në Prishtinë.

“Kjo zvarritje e Qeverisë është e pafalshme dhe i ka bërë dëm të madh artit, kulturës, imazhit të vendit, rinisë sonë dhe ekonomisë së Prishtinës dhe Kosovës”, ka thënë Rama. Sipas tij, për shkak të korrektësisë, Qeveria ka qenë vazhdimisht në dijeni për pikat e kontratës, e cila ka qenë e gatshme për nënshkrim.

“Ashtu siç është përcaktuar edhe në ofertën e negociuar, kontrata parasheh që nëse për tre vjet me radhë Festivali nuk mbahet për çfarëdo arsye, prona i kthehet Komunës së Prishtinës”, ka thënë ai, duke shtuar se ka besimin e plotë që Festivali nga viti tjetër do të jetë në Prishtinë, aty ku edhe nisi. Edicioni i parë u mbajt në parkun “Gërmia”, më 2018. Po aty edhe i dyti një vit më vonë, kur edhe dolën në pah synimet e planet për ta zhvendosur në Bërnicë, nja 10 kilometra prej qendrës së kryeqytetit. Qysh asokohe ishte thënë se “Sunny...” do të kishte kapacitet për 100 mijë veta. Prej 45 deri në 50 mijë, për tri ditë, janë llogaritur ta kanë përcjellë Festivalin në dy edicionet e para.

I pyetur për kontestimet që MAPL-ja ia ka bërë vendimit të Kuvendit Komunal, ka thënë se ato kishin të bënin me periudhën e shfrytëzimit prej 99 vjetësh.

“Ky numër teknikisht është abstrakt për arsye se dy herë në vit duhet raportuar për çdo pronë. Po ashtu në kontratë e kemi që çdo tre vjet rishikohet kontrata. Çdo 25 vjet po ashtu rishikohet kontrata, duke e kthyer pronën dhe duke i dhënë Festivalit pesë vjet për të gjetur një vend tjetër. Numrin 99 e kam gjetur këtu, nuk e kam sjell unë”, ka thënë Rama. Ai i është referuar faktit se në qershor të vitit të kaluar, kur Komuna udhëhiqej nga Shpend Ahmeti, krejt asamblistët e Kuvendit Komunal kishin votuar pro dhënies në shfrytëzim të 17 hektarëve për 99 vjet, gjë që sivjet nuk e kanë bërë kuvendarët e VV-së, AAK-së dhe të AKR-së.

“Kanë qenë tri pika që janë kërkuar: publikimi i listës së pronave komunale, miratimi paraprak i listës së veçantë të pronave komunale dhe negocimi i ofertës me ‘Sunny Hill’ dhe të tria i kemi bërë”, ka thënë kryetari Rama. Këto tri pika kishin bërë që vendimi i qershorit të vitit të kaluar t’i kthehej prapa Komunës së Prishtinë.

Në bazë të kalkulimeve, Komuna ka llogaritur që sivjet të hyrat e kryeqytetit nga mbajtja e “Sunny Hill Festival” të ishin prej 12 deri në 15 milionë euro. Rama ka thënë se në bazë të kalkulimeve të mëparshme, profiti i kryeqytetit ka qenë 7 deri në 8 milionë.

Më të zëshmit kundër marrëveshjes së Komunës me “Sunny Hill Festival” kanë qenë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që udhëheq me Qeverinë.

Pas konferencës së kryetarit Përparim Rama, me një foltore në krah anëtarët e VV-së janë pozicionuar para Komunës.

Asamblistja Nora Kelmendi ka folur gjatë për procedurat, që, sipas saj, nuk janë përfillur nga ekzekutivi komunal. Ka thënë se ka munguar autorizimi i përfaqësuesve të Festivalit, dosjet nuk kanë qenë të plota dhe ka përmendur edhe afatin prej 99 vjetësh.

E shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, ka akuzuar Komunën si përgjegjëse për mosmbajtjen e Festivalit. Ai ka qenë më i zëshmi kundër vendimit që ka kaluar në Kuvend Komunal. Ka shkuar përtej duke qenë i pranishëm edhe në takimet midis përfaqësuesve të Festivalit dhe Qeverisë. Kundërshtimin që kanë bërë është munduar ta ndajë bashkë me asamblistë të partive të tjera, si me ata të AAK-së dhe AKR-së.

“Vërejtjet tona janë të drejtuara në tri drejtime: Çështja e parë ka qenë aspekti procedural, çështja e dytë kohëzgjatja e kontratës dhe çështja e tretë ka qenë qasja për festivalet e tjera”, ka thënë ai.

Më 14 qershor, kur edhe u bë i ditur lajmi se Festivali është zhvendosur, Sveçla nëpërmjet “Facebookut” kishte thënë se është arritur një synim i tyre.

“Duhet ta mirëpresim heqjen dorë të ‘Sunny Hill’ nga insistimi për 99 vjet pronë. Tash çdo gjë është në rregull. Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga ky festival, përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë pazar tjetër, i mëhershëm”, kishte shkruar ai.

Reagimet pas zhvendosjes së Festivalit kanë qenë të shumta. Gabim e skandal i jashtëzakonshëm të Qeverisë e ka vlerësuar krejt këtë situatë ish-ministri i Kulturës, tash kryetar i PDK-së, Memli Krasniqi. Në një intervistë në emisionin “Desku” në KTV, të enjten mbrëma, ai ka thënë se bëhet fjalë për një “shuplakë në fytyrën e rinisë së Kosovës”.

“Ka qenë eventi më i madh kulturor, artistik, pop-event tepër i rëndësishëm që Kosovës i ka dhënë identitet evropian. Kam qenë vetë në edicionin e fundit. Jam ndier jashtëzakonisht mirë. Ka qenë emocionuese me e pa në Prishtinë diçka të tillë”, ka thënë ai. Sipas Krasniqit, pas pandemisë do të ishte mundësi e hatashme për të rinjtë e Kosovës dhe për bashkatdhetarët që ta kenë “Sunny Hillin” në Prishtinë.

“Kjo neglizhencë, ky refuzim, ky pengim është i padrejtë. Nuk bëhet politikë me këto gjëra. Unë pikërisht pse kam qenë ministër i Kulturës ju them se kam 10 shembuj t’ju them. Nuk bëhet politikë me këto gjëra”, ka thënë ai.

Zhvendosja e Festivalit qe konfirmuar nga një letër e gjatë e organizatorit të ngjarjes, Dukagjin Lipa, dërguar institucioneve të shtetit, ku ankohej për politizim të procesit e zvarritje të gjatë.

Në dy edicionet e para “Sunny Hill Festival” kishte sjellë emra të mëdhenj të botës në muzikë me në krye Dua Lipën. Qysh prej 2019-s organizatorët kanë kërkuar që t’u jepet në shfrytëzim një hapësirë për ta rritur Festivalin. Ndërkohë, Tirana e ka mirëpritur Festivalin, duke i ofruar mundësinë që sivjet të mbahet te Parku afër Liqenit Artificial.