Kulturë

“Muslim Mulliqi” për akademik Rexhep Ferrin si figurë qendrore e artit modern në Kosovë

“Është njëri nga personalitetet kryesore në historinë e artit modern dhe bashkëkohor në Kosovë. Njëri nga themeluesit e shumicës së institucioneve artistike, kulturore dhe edukative, të cilat merren me art dhe kulturë në vendin tonë”, shkruhet në arsyetimin e jurisë, e cila ia dha akademik Rexhep Ferrit çmimin kombëtar për veprimtari jetësore në artet pamore “Muslim Mulliqi”

Si piktor u takon brezave që vunë themelet e artit pamor në Kosovë, veprat e tij janë vlerësuar ndërkombëtarisht, e ekspozuar në qendra botërore të kulturës. Si mësimdhënës është prej atyre veteranëve që edukuan brezat e parë të Universitetit të Prishtinës. Nuk u ndal me kaq. Kritika, publicistika, proza, poezia e esetë e tij janë midis veprave të tij të njohura në këto anë.

Për krejt kontributin e tij prej piktori, Rexhep Ferri, i lindur më 1937, është nderuar me çmimin kombëtar për veprimtari jetësore në artet pamore “Muslim Mulliqi”. Ky është Çmimi më i lartë që jep Kosova në artet pamore.

Në një ceremoni të mbajtur në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, Ministria e Kulturës të mërkurën ia ka dorëzuar Çmimin Ferrit në prani të kolegëve, ish-studentëve e familjarëve të tij.

Juria, në përbërje të Mehmet Behlulit, Lorik Sylejmanit e Lirije Bulliqit, ka zgjedhur që Ferri të jetë laureat i çmimit “Muslim Mulliqi” për vitin 2021 në një konkurrencë ku ishin edhe Nusret Salihamixhiqi, Esat Valla e Shyqri Nimani.

“Është njëri nga personalitetet kryesore në historinë e artit modern dhe bashkëkohor në Kosovë. Njëri nga themeluesit e shumicës së institucioneve artistike, kulturore dhe edukative, të cilat merren me art dhe kulturë në vendin tonë”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Aty po ashtu shkruhet se akademik Ferri ka prezantuar Kosovën edhe në ngjarjet më të mëdha artistike në vend dhe jashtë tij.

“Ka një nga karrierat më të bujshme në fushën e arteve pamore në vend”, shkruhet në arsyetim.

Në emër të jurisë gjatë ceremonisë, e cila është hapur me interpretimin e Korit të Fakultetit të Artit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, profesori universitar, Mehmet Behluli, ka dhënë edhe arsye shtesë për vendimin e treshes.

Behluli ka thënë se veprimtaria e akademik Ferrit është e pandashme dhe shkon krah për krah me arritjet e Kosovës.

“Profesori ynë së bashku me brezin e tij ka qenë dashur t’i katërfishojnë përpjekjet për ta fituar të drejtën për të qenë të barabartë me të tjerët në atë kohë. Kjo ka qenë betejë e përditshme”, ka thënë Behluli.

Sipas tij, me kthimin e Ferrit në Kosovë pas studimeve, ai së bashku me brezin e tij medoemos i vunë themelet e një Kosove moderne me aspiratat e saj që të jetë e barabartë me të tjerët në Evropën Juglindore.

“Betejë e madhe zhvillohej edhe brenda Kosovës, duke luftuar me prapambeturinë. Themelimi prej zeros i institucioneve të arsimit dhe artit ishte punë që profesori me shokët e shoqet e tij e kanë përfunduar me sukses. Na mbetet neve të vazhdojmë rrugën e tij”, ka thënë ai. Sipas Behlulit, pa veprat e Ferrit arti i Kosovës do të ishte shumë më i vobektë.

Rexhep Ferri u lind në Kukës më 1937. Më 1958 ai përfundoi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para, nga cikli “Shëtitësit e lodhur” në revistën letrare “Jeta e re” në Prish­tinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monu­mentale në Akademinë e Arteve në Beograd, ndërsa në vitin 1970 përfundoi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Pri­shtinë.

Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës zgjidhet në vitin 1996, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000.

Biografia e tij përfshin ekspozita personale në Kosovë, ish-Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt e vende të tjera.

Akademik Ferri pasi ka pranuar Çmimin, ka thënë se të flasësh për vetën është shumë e vështirë pasi, sipas tij, njeriu gjatë jetës shpesh takohet me njerëz që janë shumë provokues, edhe kur nuk duhet.

“Shpesh edhe na e prishin mendjen e na turbullojnë ujërat. Bëjnë disa hile në jetë, të cilat kushtojnë. Por ne duke e falënderuar harresën, që i ndihmon njeriut ta ruajë drejtpeshimin e jetës, shpëtojmë edhe nga ato nëpër të cilat kalojmë”, ka thënë ai. Sipas Ferrit, është e vështirë të flitet për vetën kur njeriu mendon se është bërë pak person publik, pasi aty përzihen shumë interesa.

“Nuk dua t’ju mërzis për arsye se krejt çka kisha të them është e zbehtë në krahasim me atë çka ka qenë në mua, të cilën jam munduar në disa fusha ta shprehi dhe t’ua lë juve që jeni më të rinj se unë dhe fëmijëve, nipave e mbesave tona”, ka thënë ai, pasi ka pranuar Çmimin që ka vlerë financiare 5 mijë euro. Ka falënderuar Ministrinë e Kulturës që e nderoi atë në moshën që është, pasi i takon një kohe kur Kosova ka krijuar vepra me të cilat mburrej atëherë shumë më tepër atëherë sesa sot.

E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se duke e kujtuar e respektuar Muslim Mullqin, në të njëjtën kohë nderohen edhe artistët e tjerë.

“Veçantia e kësaj dite është profesor Ferri, të cilin e falënderojmë shumë për atë që ka barë për vendin e tij e për artin e Kosovës. Besoj që ky vlerësim meritor e transparent i jurisë është më e pakta që institucionet shtetërore mund të bëjnë dhe duhet të bëjnë për të nderuar figurat e veçanta të vendit tonë”, ka thënë ai.

Juria sivjet nuk ka ndarë Çmimin vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor. I vetmi propozim për këtë çmim ishte ai për piktorin Hajrush Fazliu. Sipas raportit të jurisë, mungonte konkurrenca e mirëfilltë për ta ndarë këtë çmim.