Kulturë

Vesa Berisha triumfon në “Pianisti i Ri” që hap shtigje për të rinjtë

Mundësinë e performimit me Orkestrën Simfonike të Filharmonisë së Kosovës kësaj radhe e fitoi Vesa Berisha. Kjo përmes çmimit “Pianisti i Ri 2022” në kuadër të festivalit i cili më së shumti u jep hapësirë instrumentistëve të rinj, duke u ofruar bashkëpunime që shpesh as pianistët profesionalë s’mund t’i arrijnë. Përmbyllja e edicionit të 15-të e Festivalit “Pianisti i Ri” erdhi si dëshmi e vazhdimësisë së profesionalizmit dhe bashkëpunimit ndërkulturor në tentim të shtytjes së talenteve të reja, e pasurimit të skenës vendore

Një nga festivalet i cili për çdo edicion u jep hapësirë pianistëve të rinj dhe u hap atyre shtigje drejt rrugëtimit muzikor, “Pianisti i Ri”, ka përmbyllur edicionin e 15-të. Për tri ditë të organizimit, juria profesionale në përbërje prej Lule Elezit, Nadezhda Porodin Jole nga Shqipëria dhe Danica Stojanova nga Maqedonia e Veriut kanë vlerësuar 150 konkurrentë të kategorive të ndryshme. Kulmimi i edicionit të sivjetmë ishte nata finale.

Nga dhjetë instrumentistë në mbrëmjen e së hënës në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës, ishte pikërisht Vesa Berisha ajo e cila me veprën “Romanian Dances Op. 8a Nr.1” të kompozitorit hungarez, Bela Bartok, arriti të fitonte mundësinë e performimit me Orkestrën Simfonike të Filharmonisë së Kosovës në serinë e koncerteve të vitit të ardhshëm. Kjo, falë çmimit “Pianisti i Ri 2022”, që tash e disa vjet krijon mundësi për talentët e rinj nëpërmjet Festivalit, duke pasur fatin të performojnë përkrah formacionit më të lartë të muzikës klasike në vend, e që ka ende shumë pianistë profesionistë që s’e kanë pasur këtë mundësi.

Ëndërr që u bë realitet

Për çmimin të cilën ia ndau ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Berisha ka thënë se nuk e ka pritur.

“Është një ëndërr që është bërë realitet të luhet me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, jo veç imja po e çdo pianisti këtu. Gjithashtu është një rezultat i një pune që po vlerësohet, jo veç e imja po edhe e profesoreshës Pranvera Hoxha”, ka thënë Berisha.

Për të kjo është hera e pestë që merr pjesë në festivalin “Pianisti i Ri” dhe e çmon formatin e organizimit.

“S’ka festivale të tjera të cilat ta japin këtë mundësi të performosh me Orkestrën e Filharmonisë. Gjatë gjithë këtyre viteve, ka qenë festival me emër të madh”, ka thënë laureatja e çmimit “Pianisti i Ri 2022”.

“Momenti magjik për instrumentistë...”

Dardan Selimaj, menaxher i programit në Filharmoninë e Kosovës ka thënë se shumë vjet më parë, gjenerata e muzikantëve të atëhershëm nuk e kanë pasur këtë mundësi.

“Ne nuk e kemi pasur mundësinë me performu përpara publikut. Sot më vjen mirë që e kemi një garë e cila tash e 15 vjet ndan një çmim i cili jep mundësinë me koncertu me orkestër. Shumë pianistë të këtij vendi nuk e kanë pasur mundësinë të përjetojnë një moment kaq magjik, e shumë gjenerata as nuk kanë mundur ta imagjinojnë një shans të tillë për karrierën e një instrumentisti”, ka thënë Selimaj.

Sipas tij, pianistët e gjeneratës së re kanë krejtësisht kushte të ndryshme nga ato të mëhershmet. E këtë po e bën të mundshme pikërisht puna e festivalit “Pianisti i Ri”.

“25 vjet përpara, gjenerata ime – pianistët e vegjël në atë kohë, koncertet i mbanin në Shoqatën e Kompozitorëve, në shtëpi shkolla e në banesat e arsimtarëve tonë. Ndihem shumë mirë kur pianistët e kësaj gjenerate performojnë në rrethana të tjera”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, çmimin “DAM Festival” me mundësi të recitalit në këtë festival prestigjioz e fitoi Era Kume, me “Hopak në G” nga Mussorgsky. Ndërkaq çmimin “Fahri Beqiri” këtë vit e mori Hillari Parangoni nga Shqipëria, e cila performoi veprën “Lodra” të themeluesit të Operës dhe Konservatorit Shqiptar, Albert Paparisto.

“Çmimin ‘Fahri Beqiri’ e mori kushërira ime Klaudia Gjini, atëherë çmimin e vet ia dha vetë Fahri Beqirit dhe e kam njohur që atëherë. Është emocion që këtë çmim që e mori dikush nga familja jote ta marrësh prapë edhe ti”, ka thënë ajo menjëherë pas marrjes së çmimit.

Për Parangonin kjo është ardhja e shtatë në këtë festival, teksa e ka vlerësuar organizimin si të mirë.

“Kur vjen në skenën e ‘Pianistit të Ri’ në çdo konkurs që kam mbajtur kam pasur stres, por këtu meqë kam marrë pjesë para 7 vjetëve ikin emocionet në skenë”, ka thënë ajo për të vazhduar se sa herë që i dëgjon veprat e Beqirit i mendon emocionet që ai i ka pasur përgjatë periudhës së kompozimit.

Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica, gjatë ndarjes së çmimit ka thënë se pavarësisht ndarjes fizike të kompozitorit Beqiri, ka qenë vendimi i familjes që të vazhdohet tradita e ndarjes së çmimit me emrin e tij.

Çmimin special “Okarina”, i cili u dha për herë të parë, e morën pianistet Kejdi Pepaj me interpretimin e “La separation” të Mikhail Glinkas dhe Riola Susuri me “Mazurka Op. 54 Nr.2” të Benjamin Godard.

Ky çmim përtej pjesës së performimit me Filharmoninë e Kosovës dhe Festivalin DAM me çmimet e mëhershme, i hap rrugë edhe bashkëpunimit me korin e fëmijëve “Okarina”. Kështu u krijua mundësia e performimit si pianiste përcjellëse në ndonjërin nga koncertet e korit.

Garuesit e tjerë ishin Yll Kelmendi me “Lojë” të Josef Bayer e Ema Osmanaj me “Waltz” nga Lois Sugarman. Joni Gashi u paraqit me “Clowns” të Dmitri Kabalewski e Gregor Gjini me “Variacione” të Nikolai Ljubarskit. Pas tyre u ndjenë tingujt e Friedrich Kuhlau me “Sonatina Op. 59 Nr. 1” të interpretuara nga Orajën Popa. Laureati i çmimit të vitit të kaluar “Pianisti i Ri 2021” Ledian Shala interpretoi si mysafir “Prelude Op.32 Nr.12” të Rachmaninoffit dhe “Etudes Op.8 Nr.12” të Scriabinit, për çka edhe u duartrokit. Pas tij skena u mbush nga anëtarët e shumtë të korit të fëmijëve “Okarina”, të cilat sollën mjeshtërisht dy pika muzikore me ëmbëlsinë e tyre: “Nothing else matters” nga rock-grupi “Metallica” dhe “Valsi i Lumturisë” nga Avni Mula e aranzhim nga Edon Ramadani.

Kryetarja e jurisë, pianistja Lule Elezi, ka thënë se bashkëpunimi ka qenë privilegj meqenëse festivali tashmë ka bërë 15 vjet duke u dëshmuar për profesionalizmin e tij.

“Për ne jurinë s’ka qenë fare e lehtë të vlerësosh talentë midis talentëve, por besoj që e patë edhe nga duartrokitjet e publikut që edhe ata mbeten të kënaqur”, ka thënë ajo. “Organizatorët me përkushtim dhe durim kanë bërë që ky festival të arrijë në nivelet më të larta artistike, ta ketë profilin e vet”.

Në secilën prej kategorive garuese ka pranuar se është sfiduar për shkak të kapacitetit të pianistëve.

Drejtoresha e Festivalit “Pianisti i Ri”, Vlora Baruti përgjatë ceremonisë ka thënë se e gjithë periudha e organizimit nuk është e lehtë, por e tëra bëhet me dedikim ndaj instrumentistëve të rinj.

“Me një fjalë mund të themi se u rritëm në një moshë adoleshente 15-vjeçare, por lehtë është të shkëlqesh me yje në skena”, ka thënë Baruti, duke thënë se kanë një ekip të jashtëzakonshëm në ecurinë e këtyre viteve. “Do të bëjmë të pamundurën që këta talentë që kemi, të fitojnë ato që ne kemi mundësi t’u dhurojmë”.

Image
Përmbyllja e edicionit të 15-të e Festivalit “Pianisti i Ri” erdhi si dëshmi e vazhdimësisë së profesionalizmit dhe bashkëpunimit

Plotësimi i boshllëqeve kulturore

Në anën tjetër, drejtoresha e korit të fëmijëve “Okarina”, Elikona Hysaj - Shala, ka thënë se bashkëpunimi ka rëndësi të madhe për pasurimin e jetës kulturore në vend.

“Një festival si ‘Pianisti i Ri’ ka një rëndësi të madhe për vendin dhe si i tillë me edicionin e 15-të ka treguar çdo herë edhe më shumë qëndrueshmërinë e tij dhe ka qenë oazë takimi për pianistë të rinj”, ka thënë Hysaj-Shala, e cila ka thënë se beson se pikërisht ky festival ka qenë ushqyes i dashurisë së instrumentistëve për muzikë.

Bashkëpunimin e ndërsjellë e sheh si ndërlidhje urash, teksa beson se veç kështu mund të mbushen ‘boshllëqet’ e jetës kulturore.

“Rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet artistëve është forma më e mirë për të plotësuar boshllëqet e jetës kulturore të dekadave të mëhershme që i kanë ndodhë vendit në mungesë të kuadrove në periudhën edhe para okupimit, e këto boshllëqe fatkeqësisht i ka ndier edhe gjenerata jonë, ngaqë mungesa e festivaleve dhe njohja me muzikën serioze më thellë e më tradicionalisht ka lënë pasojat e saj”, ka thënë ajo.

Sipas saj, çmimi “Okarina” si mundësi e performimit në piano me formacion koral është mundësi e shkëlqyeshme për pianistet e reja. “Dy mysafirë pianistë në koncert do të thotë shumë për rëndësinë e zhvillimit të tyre në skenë së bashku me kor të madh fëmijësh”, ka thënë ajo.