“Festivali i festivaleve” ka gati një javë që ka lënë prapa edicionin i cili e ka rikthyer glamurin e shkëlqimin që i takon. Ka mbyllur një kapitull, por “DokuFesti” e kinematografia e Kosovës presin që të hapin kapituj të rinj në kontekstin e urave të bashkëpunimit e të promovimit të kinematografisë e të kineastëve të vendit. Dyshja Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda numërojnë disa “pasoja” të pranisë së tyre në Cannes
“DokuFesti” ka kohë që është adresë ndërkombëtare sa u përket festivaleve të filmave dokumentarë dhe atyre të shkurtër. Por së fundmi, stafi i Festivalit që sivjet do ta ketë edicionin e 21-të në Prizren, ka shtuar në listën e kontakteve dhe atë të mysafirëve që do t’i presin prej 5 deri më 13 gusht në Prizren. Kjo falë pranisë së përfaqësuesve të “DokuFestit” në një prej tregjeve më të mëdha në botë sa i përket filmit. Kur janë bërë pesë ditë pasi ngjarja e madhe mbylli kapitullin e një edicioni që e riktheu shkëlqimin për të cilin shquhet, prania e “DokuFestit” atje hap kapituj të rinj për edicionin në ardhje të më të madhit festival në Kosovë dhe jo vetëm. Dyshja Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda numërojnë disa “pasoja” të pranisë së tyre në Cannes. Kanë qëndruar atje si partnerë të atij që njihet si festivali i festivaleve. Kanë zhvilluar takime e kanë qenë pjesë e diskutimeve me regjisorë e producentë të botës së filmit dokumentar. Të pranishmëve ua kanë dhënë një pasqyrë të “DokuFestit” e po ashtu edhe të potencialit të Kosovës në fushën e kinematografisë, sidomos sa i përket filmit dokumentar.
Si pjesë e “Cannes Docs”, “DokuFesti” qe midis partnerëve të Festivalit të Cannes. “Cannes Docs” ofron një vend të posaçëm dhe program ngjarjesh për të gjithë profesionistët e filmit dokumentar, përfshirë emrat më të rëndësishëm të industrisë.
Selektori i “DokuFest”, Samir Karahada, ka thënë vetëm në ditën e tretë të Festivalit të Cannes, të hënën e 26 majit, ka qenë në dy aktivitete. “Në ‘Meet festival’, ku regjisorët e producentët që ishin në garë kanë pasur mundësi t’i takojnë bashkëpunëtorët e Festivalit të Cannes. Aty kemi folur për mundësinë e bashkëpunimit. Ka qenë një takim informues se çfarë bën ‘DokuFest’”, ka treguar Karahoda. Po atë ditë ishte edhe pjesë e panelit “The values of wathching short films”, ku si selektor ka treguar se ka nisur të punojë vetë edhe filma.
“Ka qenë jashtëzakonisht interesante. Ka pasur shumë pyetje dhe interesimi ishte shumë i madh. Edhe kjo ka qenë mënyrë e mirë ta promovojmë ‘DokuFestin’ para audiencës ndërkombëtare që ishte aty”, ka thënë Karahoda.
Ai është rikthyer në Cannes pas suksesit të vitit 2021, që ishte historik për Kosovën, pasi për herë të parë një film vendor ishte në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa vend”, ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër.
Karahoda ka treguar se në edicionin e sivjetmë të 75-tin me radhë kam pasur disa takime me produksione për një projekt të ri.
“Kemi mbetur të bisedojmë më tutje se si mund të bashkëpunojmë. Kanë shprehur goxha interesim. Po punojmë për një film të gjatë”, ka thënë ai.
Derisa e ka përshkruar pjesëmarrjen atje si mundësi për të takuar njerëz nga të katër anët e botës, ka thënë se po ashtu e kanë vërejtur edhe sa është i madh “DokuFesti”, pasi shumë organizata e institucione janë shprehur të gatshme për bashkëpunim. Krijimi i urave të bashkëpunimit është edhe qëllimi “Cannes Docs”.
Sipas përshkrimit që i bëhet, “Cannes Docs” synon “fuqimisht të jetë sa më i dobishëm, i rëndësishëm e mikpritës për krijuesit e filmave dokumentarë prej ngado që vijnë, si dhe për të gjithë ata që dominojnë këtë zhanër”.
Eroll Bilibani, që e udhëheq “DokuLabin”, departamentin edukativ të “DokuFestit”, ka thënë se në Cannes kanë pasur takime të vazhdueshme, pasi ishin të listuar si profesionistë të filmit. Ka treguar se kanë pasur mundësi të diskutimit për bashkëpunime me Cannes e edhe me festivale të tjera, pastaj për mundësinë e regjisorëve nga Kosova që të kenë mundësi që në Cannes t’i promovojnë realizimet e tyre.
“Ka qenë përtej pritjeve tona interesimi dhe numri i njerëzve që janë të interesuar se çfarë po ndodh me filmin dokumentar në Kosovë. Se a ka autorë që dëshirojnë të punojnë me dikë nga jashtë me produksione të mëdha”, ka treguar Bilibani.
Takimet i ka përshkruar si një mundësi të mirë për t’u hapur edhe me tregje të tjera, si me kineastë që vijnë nga Azia, Amerika Latine e produksione të ShBA-së e të Kanadasë.
“Ka qenë një mundësi e mirë që të flasim me profesionistë të fushës për potencialin që ekziston në Kosovë e në veçanti për filmin dokumentar. Kemi arritur që t’i sigurojmë disa njerëz që këtë vit do të vijnë në ‘DokuFest’ dhe do të kenë takime individuale me autorë tonë të filmave dokumentarë”, ka thënë Bilibani.
Pos dyshes së “DokuFestitit”, edhe një aktor nga Kosova sivjet ishte rikthyer në Cannes. Alban Ukaj e ka arritur atë që do të konsiderohej ëndërr për shumicën e kolegëve të tij: pjesëmarrjen e dyfishtë në Cannes. Do të parakalonte në tapetin e kuq tek dha mesazhe për rolin e artistëve në shoqëri. Ai është Betimi në “Tori and Lokita”, të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, që u dha premierë botërore në Cannes, e në të shtunën e kaluar dyshja belge mori Çmimin Special të Cannes së 75-të. Ukaj qe në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008, kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”.
Po në këtë edicion të Festivalit, Ministria e Kulturës ka formalizuar marrëveshjen midis Kosovës dhe Francës sa i përket bashkëprodhimit në fushën e kinematografisë. Siç është bërë e zakonshme, Qendra Kinematografike e Kosovës u prezantua me shtand të përbashkët me Qendrën Kombëtare të Filmit të Shqipërisë. Por tash kur glamuri e shkëlqimet e kësaj ngjarjeje janë pjesë e historisë së festivalit, “DokuFesti”, e kinematografia e Kosovës presin “pasojat” e pranisë në një ngjarje të tillë.
-
3 qershor 2022 10:00
-
Shpërndaje në: