Kulturë

Baleti Kombëtar i Kosovës i kthehet klasikes në bashkimin e dy botëve

Premiera e dytë e sivjetme e Baletit Kombëtar të Kosovës do të dalë nga rregullat e një shfaqjeje lineare. Nëpërmjet dy pjesëve do të shfaqë botë krejtësisht të ndryshme. Por pikëtakimi i “Concerto Con Brio” nga Yannick Boquin dhe “Untitled” nga Siner Gonenc Boquin do të jetë stili klasik, premiera e së cilës do të jepet sonte

Premiera e dytë e sivjetme e Baletit Kombëtar të Kosovës do të dalë nga rregullat e një shfaqjeje lineare. Nëpërmjet dy pjesëve do të shfaqë botë krejtësisht të ndryshme. Por pikëtakimi do të jetë stili klasik.

Në konferencën për media, të mërkurën, një ditë para premierës, balerinët e koreografja kanë premtuar cilësi e shkathtësi teknike përgjatë ekzekutimit të shfaqjes së aranzhuar për balerinët kosovarë “Concerto Con Brio” nga Yannick Boquin dhe premierës botërore të “Untitled” nga Siner Gonenc Boquin.

Në procesin e provave në fillim ishin prezentë të dy koreografët, mirëpo rrugëtimi i mëtutjeshëm vazhdoi me asistimin e Siner Gonenc Boquin, koreografja turke, e njohur në disa institucione baleti nëpër botë si ligjëruese e koreografe.

Ajo ka nisur përpjekjen për të sjellë shfaqjen, e cila u luajt për herë të parë në skenën e Norvegjisë në 2015, “Concerto Con Brio”, e që në Kosovë vjen si aranzhim i veçantë, nën përcjelljen muzikore të tingujve të “Piano Concert No.2” të Dmitri Shostakovich, e që cila karakterizohet nga ritmi paqësor dhe gazmor. Ndërkaq “Untitled”, si nismë e koreografes për ta lënë pa emërtim qëllimshëm, vjen me muzikën të cilën ajo e vlerëson si gjeniale: “Simfoninë Nr 25” të Mozartit, e që do të jetë një manifestim i ndryshimeve skenike.

Boquin ka diplomuar në Shkollën e Baletit dhe Operës dhe Konservatoriumin Ndërkombëtar të dyja në Paris, teksa si balerin ka performuar në Baletin e Bonit, Baletin Mbretëror të Flandrisë, Operën e Baletin e Romës dhe Deutsche Opera Berlin.

Ndërkaq Siner Gonenc Boquin ka qenë pjesë e Operës dhe Baletit shtetëror në Izmir të Turqisë për 16 vjet, duke qenë balerinë, drejtoreshë dhe drejtoreshë artistike.

Për balerinët e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, koreografja ka thënë se janë pak, por meritojnë respekt për mënyrën se si punojnë.

“Ka qenë shumë proces i lodhshëm, por të gjithë kemi punuar shumë”, ka thënë ajo në konferencë. “Balerinët janë duke i ndihmuar njëri-tjetrit tejet shumë dhe kështu edhe po realizojnë gjëra. Ndihem e mahnitur nga kjo”.

Për të prezenca fizike përgjatë punës artistike me balerinë ka qenë shumë e rëndësishme. Ka thënë se ka ardhur në Kosovë për t’u njohur për së afërmi me secilin balerin dhe të nisin një sfidë të re së bashku.

“Balerinët janë fëmijë të luftës, kanë ende gjëra që u mungojnë nga baza e baletit klasik. Por ata janë këtu sepse punojnë me zemër. Nëse shtrojnë kërkesa për këtë pjesë, do të arrijnë të bëjnë edhe balet klasik sepse ata veç duhet të nisin punën në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Image

Kur është pyetur për dallimet midis dy pjesëve të shfaqjes, rendit disa prej tyre, por nuk harron të shtojë se klasikja është ajo që i bashkon. Për “Concerto Con Brio” ka thënë se ka kërkesa të larta teknike, mirëpo ndahet në tri pjesë, e cila ashtu siç është edhe si krijim, nis me motive akademike, kapërcen te romantikja dhe nga fundi fiton intensitet të lëvizjeve.

“Ne jemi ligjërues mysafirë ndërkombëtarë, të njohur për koordinimin dhe anën muzikale”, ka thënë për të tërhequr paralelen se të njëjtën do ta bëjë edhe në skenën kosovare.

Për “Untitled” thotë që qëllimshëm nuk i ka vënë emërtim, teksa rëndësi të veçantë në këtë pjesë për të ka muzika dhe loja në skenë.

“Unë e dua lojën me skenën, e dua matematikën. Kjo është diferenca në mes të pjesëve”, ka thënë koreografja turke. “E kam quajtur ‘Untitled’ sepse sot emërtojmë çdo gjë, ndjenjat, personalitetet, problemet psikike. Kam dashur të shkoj veç me sensin muzikor, e kam zgjedhur Mozartin, ai është gjeni për mua”.

Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, e ka cilësuar shfaqjen si simpatike dhe elegante.

“Është një balet klasik i cili po besoj që pas një periudhe të vështirë që e kemi kaluar me pandeminë ka me i dhënë audiencës një mbrëmje shumë të bukur sepse me të vërtetë edhe koreografia edhe loja e balerinëve edhe muzika janë kombinuar në mënyrë fantastike”, ka thënë ai.

Për të, që në provat e para është fituar bindja se janë në përgatitje të një shfaqjeje të bukur. Ka premtuar se do të jetë gjatë në repertor për shkak se në aspektin dramaturgjik s’është e ngarkuar dhe se teknikisht mund të mbahet.

“Të gjithë balerinët për një muaj e kanë pasur një periudhë bukur të vështirë të punës për arsye se dihet që baleti është goxha i vështirë dhe specifik”, ka thënë drejtori i institucionit të vetëm shtetëror të baletit në Kosovë.

Balerina Luljeta Ademi ka thënë se këtë shfaqje e bën të veçantë të qenët “klasikë e pastër”.

“Kemi realizuar gjithmonë shfaqje klasike, mirëpo realizimi i kësaj ka qenë më i vështirë sa i përket anës teknike. Me punën e koreografes dhe neve balerinëve po mendoj që secili kemi dhënë mundin maksimal”, ka thënë ajo.