Kulturë

Rrëfimi muzikor me piano e flaut zbërthen edhe “Nocturno” shqiptare

Descriptive Text

Një opus të gjerë veprash e stilesh kanë qenë në repertorin e koncertit të radhës së “Chopin Piano Fest”, me pianisten Pauline Post në piano dhe Jana Machalett e Enkelejda Zajmi-Gorani në flaut. Mjeshtërinë e kanë zbërthyer në vepra jo të lehta për interpretim, përderisa premierë ka ardhur “Nocturnon” e akademik Rauf Dhomit, e ngjyrosur me tis tingujsh shqip

Që nga themelimi, “Chopin Piano Fest” ka ftuar artistë nga mbarë bota e në koncertin e radhës, skena u ka takuar pianistes Pauline Post dhe flautistes Jana Machalett nga Holanda, përderisa u është bashkuar edhe flautistja shqiptare, Enkelejda Zajmi-Gorani.

Një opus të gjerë veprash e stilesh kanë qenë në repertorin e së martës mbrëma, që ka kulmuar me “Nocturnon” e akademik Rauf Dhomit, e ngjyrosur me tis tingujsh shqip, e interpretuar premierë.

Koncerti u hap me performancën e dy artisteve nga Holanda, të cilat luajtën “Sonatën” e kompozitorit francez, Francis Poulenc. Post me lojë elegante ka gjetur lehtë harmoninë e sinkronizimin me Jana Machalett.

Mjeshtërinë e lojës në piano, Post, të cilën kritika e shquan për “lojë të shkëlqyer, virtuoze, që kalon shpejt midis emocioneve të ndryshme”, ajo e dëshmoi me solo-performancë me “In the mists” të Leos Janacekut, e kompozuar prej këtij kompozitori çek më 1912, e që konsiderohet si kryevepra e tij për piano.

Enkelejda Zajmi-Gorani iu bashkua dyshes në Terzo Capriccio të “Traviatas” së kompozitorit dhe flautistit italian, Raffaele Galli.

Vepra nisi me ritmet e njëjta nga dy flautistet në bazën harmonike nga pianistja Post, përderisa Machalett dhe Zajmi-Gorani kanë pasur edhe “duelet” e tyre. Post është rikthyer edhe me dy vepra solo: një këngë folklorike ukrainase për solo-piano, “Magnets” nga kompozitori rus Leonid Polovinkin, në kombinim me “Vagarshapat dance”, të kompozitorit dhe pianistit armen, Arno Babadjanian.

Treshja u ribashkua në skenë me “Rigoletto” të Giuseppe Rabbonit, që nisi me nota të larta të dy flautisteve dhe me të tilla karakterizohet gati e gjithë vepra.

Ende pa nisur performanca, të pranishmëve u është drejtuar ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, e cila është shprehur e kënaqur për bashkëpunimin midis Ambasadës së Holandës dhe “Chopin Piano Festit”,

“Jam shumë e lumtur që sot kemi dy muzikante, Jana dhe Pauline, nga Holanda, të cilat edhe unë i takova këtu për herë të parë dhe të cilat do të luajnë bashkë me artisten shqiptare, Enkelejda. Ardhja e tyre për herë të parë këtu në Kosovë ishte një eksperiencë mjaft e mirë. Sigurisht, ato e pëlqyen shumë kafenë e Kosovës. Ne jemi shumë të lumtur që kemi bashkëpunuar me ‘Chopin Piano Fest’ dhe kjo vetëm se do ta thellojë bashkëpunimin tonë me Kosovën”, ka thënë Lobbezzo.

E në fund të programit, pianistja nga Holanda, Pauline Post, u shpreh shumë e kënaqur për pjesëmarrjen e saj në këtë festival, si dhe për bashkëpunimin që patën me artisten shqiptare, Enkeljda Zajmi- Gorani.

“Ishte me të vërtetë kënaqësi të jem këtu me gjithë këtë audiencë kaq të mirë dhe bashkëpunimi me Enkelejdën shkoi shumë i mirë dhe ishte kënaqësi për ne të performojmë me të”, ka thënë Post, e cila që nga viti 2002 është pianiste e Ansamblit Schönberg, i cili në vitin 2009 u shndërrua në Asko|Schönberg. Me këtë ansambël, ajo ka interpretuar në koncerte të shumta për piano dhe vepra të famshme për solo-piano, të kompozitorëve bashkëkohorë, si: Olivier Messiaen, Francis Poulenc, György Kurtág, Hans Abrahamsen, Yannis Xenakis, John Adams, Alban Berg, Leos Janaçek, Klaas de Vries, Robin de Raaff.

Lidhur me performimin e veprës së kompozitorit Rauf Dhomi, Post ka thënë se ka hetuar disa elemente, të cilat i kanë pëlqyer shumë.

Bashkëvendësja e saj, flautistja Jana Machalet, u shpreh po ashtu se kjo ishte hera e saj e parë në Kosovë dhe se gjatë performancës së dhënë para publikut në Kosovë “ishte ndier jashtëzakonisht mirë.”

Për Enkelejda Zajmi-Goranin, performanca me dy artiste si Machalett dhe Post ishte shumë e vështirë.

“Edhe programi ishte mjaft i vështirë, por është kënaqësi. Është shumë kënaqësi kur punon me dikë me të cilin do të punosh”, ka thënë ajo.

Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejlja Pula, këtë mbrëmje e ka konsideruar të mrekullueshme, duke shtuar se kjo ishte hera e parë që në këtë festival kishte performuar një duet flautesh.

“Me të vërtetë sonte kemi pasur një mbrëmje shumë të bukur, një mbrëmje të jashtëzakonshme. Një mbrëmje e cila shkon në vazhdën e edicionit të dymbëdhjetë, i cili synon të sjellë risi. Kjo është hera e parë që kemi pasur duet flautesh dhe jam shumë e lumtur që kemi pasur mundësi t’i kemi këto dy artiste të jashtëzakonshme”, u shpreh Pula.

“Chopin Piano Fest” ka shënuar natën e trembëdhjetë të aktiviteteve, edicioni i dymbëdhjetë do të përmbyllet me 8 qershor.