Kulturë

“Pa limit” e zhvendos jetën dhe realitetin në galeri

Janë katër vepra, të katër artistëve të njohur të Kosovës, të cilët kur bëhen bashkë sjellin një lloj teatri të realitetit jetësor. Adem Rusinovci, Ismet Jonuzi, Mehmet Behluli e Driton Selmani zhvendosin në galeri tema ekzistencialiste. E veprat e tyre pa kufi edhe interpretimin e bëjnë të tillë në ekspozitën “Pa limit” në Galerinë e Fakultetit të Arteve

Sikur koha të ishte ndalur, qindra monedha që po binin nga qielli u ndalën, duke mbetur pezull. Të gjitha ngjajnë të kërkojnë të ndiejnë ujin e pusit që gjendet nën to. Në besëtytni, bashkimi i këtyre dyjave do të përkufizohej me fatin. Litari që vjen prej brendisë së pusit, njëra pjesë e të cilit është e hapur, vë në pah kovën e kuqe që në fakt do të bartte ujin. Me të nuk nxirret vetëm uji si burim jete, por edhe atë që është esenca e të gjallit – gjaku.

Vepra që hap shumë kuptime e interpretime kuptohet nga shumë dimensione, mban vulën e skulptorit Adem Rusinovci. Titullohet thjesht “Bunari”. Aty është paraja që do të luante rolin kryesor në maskimin e krimit. Në kuptimin e kundërt do të shihej si shiu që mbush burimin e zbraztë.

Histori të ndryshme sjellin instalacionet që kanë zënë vend në hapësirat e Galerisë së Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Katër artistë hoqën limitet e imagjinatës dhe të realitetit të martën mbrëma me ekspozitën “Pa limit”.

Adem Rusinovci, Mehmet Behluli, Ismet Jonuzi dhe Driton Selmani sollën vepra arti si arkiva historie me forma dhe motive të ndryshme.

“’Pa limit’ simbolizon konceptin që nuk kufizohet me temën, edhe ideja e aranzhimi nuk ka pasur diçka të limituar sepse, tek e fundit, arti në përgjithësi nuk duhet të ketë limit. Nëse ka diçka që e kufizon, atëherë ai nuk është i lirë, për atë është quajtur kështu”, ka thënë skulptori Ismet Jonuzi, ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Image

“Alkimisti”, Ismet Jonuzi, instalacion, 2022


Veprat e Jonuzit janë të veçanta, jo vetëm për temën që trajtojnë, por edhe për materialin e përdorur. Dy ulëse dhe një tavolinë me trëndafilin mbi të mundohet ta thyejë zymtësinë e ta maskojnë “të errëtën” mbi historinë e objekteve protagoniste. Janë tri objekte të formësuara prej armëve, me tyta të kthyera poshtë, që të deformuara formojnë mbajtëset e tyre. Dy karikatorë bëhen mbështetëse në pjesën shpinore të karriges. Trëndafili i kuq në gotën me ujë vazhdon të ujitet, aq sa nën të ujitet agresioni dhe etja për luftë.

“Unë merrem me periudhën paslufte, me transformimin e armëve të shkatërruara prej të cilave kam krijuar instalacionin. Ideja nuk është të ekspozohet arma, por të transformohet. Mbi tavolinë ka paqe, por pas saj fshihet e gjithë lufta dhe negativiteti”, ka thënë Jonuzi, teksa ka treguar se në ngjyrë ari ka veshur veprat e tjera artistike. Shtëpi prej arme, forma figurative e zemrës dhe ajo e njeriut janë po ashtu pjesë e instalacionit. Të veshura në ar tentojnë të mbulojnë dhimbjen për shtëpinë e humbur pikërisht nga këto armë që krijojnë themelet e miniaturës. Ky faktor ka vrarë e thyer zemrat fizikisht e shpirtërisht. Materialet e siguruara janë pushkë ushtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat profesori Ismet Jonuzi i siguroi nga KFOR-i, kur fill pas luftës nisën shkatërrimet e asgjësimet e armëve.

“Dominon ngjyra ari, ‘mbeturinat’ kthehen në ari, në vepra artistike”, ka thënë ai më tej. Veprën, qe vjen në katër pjesë, e ka quajtur “Alkimisti”.

Katër autorë, katër punime në koncepte të ndryshme, por që janë të lidhura përbrenda. Në ballë të njërës nga hapësirat e Galerisë së Fakultetit të Arteve qëndron mbi tre këmbë posteri me shkrimin “Kismet”, i autorit Driton Selmani. Vepra e tij “Calm before the storm” flet për impaktin e së përditshmes, që ka krijuar teknologjia mbi jetën e njeriut.

“Vepra është marrë nga rruga dhe është intervenuar në të, i është vendosur një letër fluoreshente. Është ndërlidhje personale me realitetin që çdo ditë e më shumë po shndërrohet në metaversionin tonë”, ka thënë Selmani. “Kismet” e ka burimin në arabisht, e në shqip e standardizuar si “kësmet”, ka kuptimin e fatit të mirë.

“Nuk është vetëm fjala për fatin personal, është bashkëdyzim i fatit që na pret”, ka thënë Selmani.

Instalacioni i prodekanit të Fakultetit të Arteve, Mehmet Behluli, me “I love you”, sjell aromën e luleve të thara, si kontinuitet dhe si vepër që i është dhënë i gjithë fokusi.

“Jam fokusuar në lulet e thata, pasi më janë dukur poetike, melankolike, zgjojnë një lloj mallëngjimi”, ka thënë Behluli. Këto instalacione synojnë të bëhen tradicionale në mënyrë që t’u shërbejnë sa më shumë studentëve të artit përmes galerisë, por edhe artdashësve. Sipas tij, vepra nuk duhet të jetë ilustrative a konkrete, por diçka që lë hapësirë për imagjinatën.

Image

“I love you”, Mehmet Behluli, instalacion, 2022


“Të këtë dialog me veprën e të bëhesh pjesë e saj”, ka thënë Behluli. Instalacionit i ka bashkangjitur lule të vyshkura edhe në hapësirën prej letre të ngjyrosur aty-këtu, si dhe kornizën e zezë të punuar prej katrani. Ka forma zogjsh që fluturojnë nëpër errësirë. Lulet e thara vijnë si ironi e temës së vetë instalacionit, si kundërthënie e saj për lulet e vyshkura nga negativiteti që i rrethon. Autori ka thënë se i pëlqen të punojë me materiale organike, pasi ndryshojnë format dhe ngjyra, siç ndryshojnë edhe lulet kur vyshken.

Profesori Adem Rusinovci vlerëson se instalacionet janë skenografi, teatër në vete, pasi vetë ato janë skenike.

“Dhe për të bërë një skenografi duhen edhe gjëra të tjera sepse nuk mund të shfaqesh vetëm ashtu, pasi përgjegjësia është te publiku kur dilni para audiencës”, ka thënë Rusinovci. Instalacionet, sipas tij, janë shumëdimensionale dhe më gjithëpërfshirëse, pasi kanë më shumë elemente. Kështu e trajton edhe “Bunarin”.

“Kemi dashur që studentët të mos na marrin shembull, por të shohin se si vjen deri tek ideja, të shohin relacionin mes veprës dhe artistit, të shohin sesi mundemi përmes veprës të shtrojmë dilema“, ka thënë ai.

Kritiku i artit, Labinot Kelmendi, në fjalën hyrëse në hapje të ekspozitës, instalacionet i ka vlerësuar si arkivat më të bukura. “Ne e zgjedhim instalacionin si arkivin më të bukur të jetës sonë, pasi tërë ekzistencën tonë e instalojmë në një galeri. Këto vepra janë të ndryshme edhe për nga motivi dhe forma, por e kanë një gjë të përbashkët: tregojnë lindjen dhe vdekjen”, ka thënë ai, duke ftuar të pranishmit të jenë pjesë e galerisë, ngase vetëm ashtu nuk janë spektatorë.

Lloje të tilla të ekspozitave synojnë të bëhen tradicionale, si udhërrëfyes të artistëve të rinj dhe model për ta. Ekspozita “Pa limit” mbetet e hapur deri më 1 korrik.

Image

“Calm before the storm”, Driton Selmani, instalacion, 2022