Piktura e vjedhur nga spiunia ruse rikthehet në muzeun gjerman

Piktura e vjedhur nga spiunia ruse rikthehet në muzeun gjerman

19 July 2017 15:00

Drejtori i muzeut “Suermondt Ludwig Museum” në Aachen të Gjermanisë, Peter van den Brink, prej kohësh e kishte ditur se ku ndodhej piktura “Flowers in a Wan-Li Vase” e Balthasar van der Ast. I takonte një koleksionuesi privat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qysh prej vitit 1973, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e DW.

“E kam njohur koleksionistin për 30 vjet dhe qysh atëherë e kam ditur edhe për pikturën”, ka thënë ai. Në një ekspozitë në Delft të Holandës, Van den Brink madje edhe e kishte prekur këtë pikturë. Por ai s’e kishte pasur idenë që vepra e shekullit shtatëmbëdhjetë ishte plaçkitur.

Rrëfimi pas kësaj vepre, që në origjinal ishte pjesë e koleksionit të “Suermondt Ludwig Museum” në Aachen dhe më pastaj qe zhdukur për 75 vjet, i shkon për shtati Hollywoodit. Tani, Van den Brink e ka sjellë pikturën nga New-Yorku dhe mund të shihet në një pjesë të muzeut publik të ashtuquajtur “Fireside Room”. Van den Brink e vlerëson vlerën aktuale të pikturës për 4 milionë euro.

Balthasar van der Ast ishte në mesin e piktorëve më të njohur të shekullit shtatëmbëdhjetë. Pikturat me lule ishin në modë asokohe – veçanërisht ato që pasqyronin lule ekzotike dhe importe ekskluzive, siç ishte vazoja kineze “Wan-Li”, që shihet në pikturën e Van der Ast. E krijuar më 1620, vepra qe bërë pjesë e koleksionit të muzeut “Suermondt Ludwig Museum” më 1910.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë koleksione veprash arti qenë vënë nëpër depo për t’i mbrojtur nga bombardimet. Vepra e Van der Ast qe sjellë bashkë me pikturat e tjera në një depo të madhe arti në kështjellën “Albrechtsburg” në Meissen në lindje të Gjermanisë. Pas luftës okupuesit sovjetikë i kishin konfiskuar veprat, por “Flowers in a Wan-Li Vase” dhe 12 piktura të tjera nga muzetë në Aachen dhe Dresden nuk ishin në mesin e tyre. Në vend se të ndodhte kështu, Alice Tittel nga Meissen, më vonë e njohur si Alice Siano, ishte marrë vetë me artin e vlefshëm.

“Nuk ishte plaçkitur nga nazistët, por ishte vjedhur”, shpjegon Van den Brink. Deri më 2005 nuk u bë e ditur që Alice Siano ishte një spiune që punonte për Bashkimin Sovjetik. Ajo i mori veprat e artit në Berlinin Perëndimor, ku ajo ishte në kontakt me trupat amerikane. Më 1951, ajo mori një vizë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Dokumentet doganore për 12 pikturat që posedonte ishin rishkruar, edhe pse në to nuk përmendet vepra e Van der Ast.

“Do të ishte tepër e kushtueshme për të paguar detyrimet doganore”, shpjegon Van der Brink.

Më 1954, prokurori publik kanadez e kishte shqyrtuar çështjen pasi që kishte zbuluar se ka ndodhur një lloj vjedhjeje. Alice Siano u kishte treguar autoriteteve lejet e saja të eksportit e importit. Pikturat ishin supozuar të ekspozoheshin në “Gallery of Fine Arts” në Windsor, Ontario, gjë që e kishte konfirmuar drejtori i muzeut. Por ai e kishte pohuar se pikturat nuk kanë qenë të vlefshme. Piktura e Van der Ast i ishte shitur një tregtari njujorkez brenda tre muajsh.

“Alice Siano nuk ka mundur ta shesë vetë, sepse ajo nuk ishte e regjistruar si pronare e pikturës së kontrabanduar”, ka shpjeguar Van der Brink. Por për një drejtor muzeu, nuk ka qenë e vështirë të shiste piktura asokohe.

“Shumë muze kanë vepra në koleksionet e tyre pa regjistrim të provave. Kemi të tillë edhe këtu në Aachen”, ka thënë Van der Brink. Këtyre veprave u referohen si “inventar i vjetër”.

“Artikujt janë dhënë si dhurata apo dokumentet e vjetra thjesht nuk ekzistojnë më”. Në rastin e Van der Ast, mashtrimi shkon edhe më tej. Më 1855, një pikturë kishte dalë në sipërfaqe dhe ishte e ngjashme me “Flowers in a Wan-Li Vase”.

Koleksionuesi holandez i artit, Sidney van den Bergh, e kishte ekspozuar veprën në Hagë. Në katalogun e ekspozitës shpjegohej se piktura ndryshonte pak nga piktura e zhdukur nga Aachen - një pjesë mungonte nga qoshja e majtë. Mendohej se ishte kopje me disa dallime të vogla, kështu që vepra u bë pjesë e një koleksioni privat në New-York më 1973. Origjinali i humbur i veprës së Van der Ast nuk u gjet deri më 1997 derisa Fred G. Meijer nga Instituti Holandez për Historinë e Artit zbardhi enigmën.

“Më vonë e kemi konfirmuar këtë duke i krahasuar detajet”, ka thënë Meijer. “Ngjyra ishte aq e hollë në disa vende saqë mund të shihej përtej saj”. Për shkak të kësaj, ishte përcaktuar që dy pikturat në të vërtetë ishin një - dhe kur vepra u restaurua mund të shiheshin edhe pjesët që mungonin. Kur u identifikua, u deshën edhe 20 vjet që vepra të kthehej në Aachen.

Regjistri me art të humbur në Londër e ka gjurmuar rrugën deri tek vjedhja që ka ndodhur në Meissen. Me dëshmi në dorë, drejtori i muzeut, Van den Brink, e kishte publikuar rrëfimin më 2008. Sidoqoftë, nuk ka mundur të kërkojë kthimin e pikturës, duke qenë se koleksionuesi nga New-Yorku e kishte blerë “në mirëbesim”.

Duke qenë se blerja qe bërë në Holandë, ishte punë e ligjeve holandeze që përcaktonte se koleksionuesi mund ta mbante veprën. Sidoqoftë, Van den Brink e ka shpjeguar se koleksionuesja s’mund ta mbante atë: “Janë bërë hulumtime dhe janë betuar, që koleksionuesi të mos e shiste.

Cilido blerës mund ta blinte në mirëbesim, deri më 2008”. Megjithatë, koleksionisti që preferon të mbetet anonim ka marrë shumën prej 400 mijë eurosh. Për Peter van den Brink dhe ekipin e tij, vepra nuk është e përfunduar. Shumë aspekte janë ende të paqarta. Plus, janë dy piktura të tjera në listën e Alice Sianos që ende mungojnë. Van den Brink shpreson që një ditë edhe ato do t’u kthehen.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme