Kulturë

“Babai dhe babai” risjell plagët e pashëruara për të pagjeturit

teatri, shfaqja, kultura,

“Kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër... dhe i mbajmë! Pavarësisht palumturisë që na përplaset në fytyrë si ujë i ftoftë, pavarësisht ëndrrave që na e kujtojnë realitetin e vetmisë. Është një dramë për vetminë e thellë e për mërzinë që kullon dhimbje”, është përshkrimi që i bëhet shfaqjes me tekst të Jeton Nezirajt, në regji të Kushtrim Koliqit, e cila do ta jepet premierë këtë të hënë

Tash më shumë se dy dekada prej luftës së fundit, në Kosovë janë një mijë e 620 të pagjetur, të cilët kanë lënë plagë të pashlyeshme te familjarët e tyre. Një familje e tillë, me përditshmërinë monotone të pritjes së pambarim, është tema që shfaqja “Babai dhe babai” trajton.

Premiera e shfaqjes, nën regji të Kushtrim Koliqit dhe me tekst nga Jeton Neziraj, do të jepet të sot (e hënë) dhe për të ka një vend specifik: Muzeu Etnologjik i Kosovës. Janë vetëm 35 ulëse në dispozicion.

Siç e përshkruar organizata joqeveritare, “Integra”, shfaqja “Babai dhe babai” shpalos para publikut dramën e të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, duke u fokusuar te ata, të cilët të pagjeturit i lanë pas. Në të jepet përditshmëria e një familjeje normale kosovare me sfidat, si dhe monotoninë e përditshmërisë së saj.

Përmes një postimi në Facebook, regjisori i kësaj shfaqje, Kushtrim Koliqi ka treguar, në pika të shkurta, sinopsisin e kësaj shfaqjeje teatrale. Në të publiku do të mund të shohë familjen treanëtarëshe, e cila përbëhet nga babai Dini, nëna Sara dhe vajza e tyre Lola. Siç tregohet në sinopsis, Dini, për shkak të probleme shëndetësore, është i papunë, por pret që shumë shpejt të dalë në pension dhe të fitojë disa të ardhura, kurse gruaja e tij, Sara, punon në një fabrikë për qepjen e uniformave, me të cilat mban familjen dhe siguron të ardhurat për studimet e vajzës së tyre, Lolës.

Përveç monotonisë së përditshmërisë dhe njëtrajtshmërisë, shtëpia e tyre duket se ka një “palumturi të pashpjegueshme”, ku sherret plasin edhe për gjërat më të vogla të mundshme. Thellë-thellë, brenda kësaj familje duket se diçka është thyer dhe se askush nuk është i gatshëm të kthehet mbrapa.

Drama fokusohet veçmas te historitë tronditëse dhe traumat e thella shoqërore, që çështja e të zhdukurve ka shkaktuar tek ato familje.

“’Babai dhe Babai’, në dukje, një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë...”, thuhet në sinopsis.

Por kjo shfaqje, pos tjerash, është një dramë që përveç vetmisë së thellë të realitetit të familjeve të të pagjeturve, tregon edhe për njerëzit që janë këtu me ne, që i duam dhe i mbajmë afër.

“Kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër... dhe i mbajmë! Pavarësisht palumturisë që na përplaset në fytyrë si ujë i ftoftë, pavarësisht ëndrrave që na e kujtojnë realitetin e vetmisë. Është një dramë për vetminë e thellë e për mërzinë që kullon dhimbje”, shpjegohet në sinopsis.

Lidhur me konceptin regjisorial të këtij projekti teatror, regjisori i shfaqjes, Kushtrim Koliqi, ka shpjeguar për KOHËN se “Babai dhe babai” është një shfaqje minimaliste dhe intime, e cila në fokus ka dramën e personazheve. Për ta arritur këtë, ai ka përdorur metoda të ndryshme teatrale, të cilat përfshijnë lojën me muzikë, dritat, skenën e të tjera. Edhe vendimi për ta shfaqur në një hapësirë të ngushtë të Muzeut Etnologjik është bërë me qëllim të krijimit të një atmosfere emocionuese, komfor temës.

“Kjo shfaqje në thelb është minimaliste dhe intime, e cila në fokus e ka dramën e personazheve, e pastaj nëpërmes gjetjeve të ndryshme regjisoriale, që nga vendosja e shfaqjes në një hapësirë të vogël, trajtimi i situatave dhe skenave, ndërtimi jo i zakonshme i karaktereve dhe marrëdhënieve, shfrytëzimi i muzikës dhe efekteve, kontribuohet në krijimin e një atmosfere dhe një gjendjeje shumë emocionuese. Publiku do të tundohet, tronditet dhe befasohet nga historia dhe përjetimet e personazheve në skenë dhe nga trajtimi estetik i shfaqjes”, ka shpjeguar Koliqi.

Tema e të pagjeturve është një çështje shumë e ndjeshme dhe trajtimi i saj kërkon guxim të madh. Një gjë të tillë e pohon edhe vetë regjisori i kësaj shfaqjeje, i cili thotë se është munduar që këtë temë ta trajtojë me kujdes dhe guxim.

“Çdo herë është e vështirë dhe e ndjeshme të trajtohen tema që prekin shoqërinë. E sidomos kur bëhet fjalë për temën e të pagjeturve. Meqenëse unë merrem që një kohë të gjatë me trashëgiminë e luftës, jam munduar që nëpërmes shfaqjes të trajtoj me kujdes dhe me guxim një traumë dhe dhimbje të madhe të shoqërisë sonë, që vështirë se rikuperohen”, ka thënë ai.

Kushtrim Koliqi tash e një kohë merret me çështjen e të pagjeturve dhe në gusht të 2019 ka botuar edhe veprën “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.

© KOHA Ditore