Kulturë

“Shqiptari imagjinar” dhe “Lulet e Srebrenicës” – skanojnë të kaluarën bashkë me thirrjen për paqe

Në ditën e fundit të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, e kaluara e Ballkanit ka qenë temë qendrore. “Shqiptari imagjinar”, vepër e studiuesit Aleksandër Pavlloviq, është promovuar si libër që u bën një “skanim” pikëpamjeve të serbëve mbi shqiptarët. Përderisa Kosova është një mit i rëndësishëm për serbët dhe tejkalimi i shqiptarit imagjinar del të jetë i vështirë, përjetimet e boshnjakëve që i kanë mbijetuar masakrës së Srebrenicës janë pjesë e veprës “Lulet e Srebrenicës” të autorëve Aidan Hehir dhe David Frankum. “Polip” e ka përmbyllur edicionin e 12-të me lexime e performancë të Linda Rukajt. Me temë qendrore “Shkrimtari është i pranishëm”, Festivali është marrë me rolin e krijuesve në shoqëri

Përderisa është thelluar në marrëdhëniet serbo-shqiptare, sidomos te shqiptarët e shekullit të 19-të në sytë e serbëve, ka ardhur deri te titulli “Shqiptari imagjinar”. Studiuesi Aleksandër Pavlloviq në veprën 168-faqëshe u ka bërë një “skanim” pikëpamjeve të serbëve mbi shqiptarët. Ka shqyrtuar literaturë voluminoze prej ekstremeve si “Naçertanija” e Ilia Garashaninit e deri te studiuesit realistë si Dimitrije Tucoviq e Kosta Novakoviq. Përderisa Kosova është një mit i rëndësishëm për serbët dhe tejkalimi i shqiptarit imagjinar del të jetë i vështirë, autori gjatë promovimit të veprës ka paraqitur edhe disa pikëpamje të tjera.

Të dielën, në ditën e fundit të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, është promovuar edhe një tjetër vepër. “Lulet e Srebrenicës” sjell rrëfime autentike të të mbijetuarve të masakrës më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore. Me autorë Aidan Hehir e David Frankum, libri futet në përjetimet e atyre që kanë parë tmerrin e forcave serbe në korrikun e vitit 1996, kur 8 mijë boshnjakë u masakruan në Srebrenicë.

“Pse e konsiderojmë njëri-tjetrin si armik?”

Në ditën e fundit të edicionit të 12-të të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, në kuadër të panelit “Rrëfimet historike dhe kujtesa kolektive si origjinë e luftërave etnike, apo si mjete shërimi dhe pajtimi për shoqëritë e pasluftës? Si mund të ndikojnë shkrimtarët në rezultat?”, dy studiuesit kanë paraqitur pikëpamjet e tyre e po ashtu kanë folur edhe për veprat e tyre.

Aleksandër Pavlloviq ka treguar se nuk është nga Kosova e nuk ka ndonjë të afërm në shtetin më të ri të Evropës. Ka thënë se gjatë studimeve kishte kuptuar se sa pak njihen midis vete serbët dhe shqiptarët.

“Mendova se si është e mundur të ndodhë kjo? Kemi jetuar nën pushtete të njëjta dhe si mund të ndodhë kjo. Pse e konsiderojmë njëri-tjetrin si armik?”, ka thënë ai. Në këtë rast ka ironizuar duke thënë se njeriu nuk ka nevojë t’i vrasë as kafshët e egra për të jetuar.

Sipas tij, perceptimet e serbëve për shqiptarët nuk janë reale dhe ato e kanë rritur nacionalizmin.

“Kosova është fondamentale në identitetin serb. Por është diçka krejt imagjinare”, ka thënë ai. Ka treguar se në këtë rast kjo situatë është ndërtuar edhe nga folklori e pastaj edhe nga prodhimet e tjera artistike”.

Një prej kapitujve të librit “Shqiptari imagjinar”, përkthyer nga Anton Berishaj e botuar nga qendra “Multimedia”, merret me folklorin. “Këngët, mitet dhe territori: Karaxhiqi, epika kosovare dhe themelimi i narrativave nacionale”, titullohet kapitulli ku Pavlloviq ka shqyrtuar rolin e folklorit në rritjen e nacionalizmit.

“Në këtë kapitull do ta shqyrtoj pikërisht procesin e pushtimit poetik të Kosovës në diskursin nacional-romantik serb”, ka shkruar ai. Në këtë rast është marrë edhe me atë që njihet si mbledhësi më i mirë i poezisë gojore serbe, Vuk Stefanoviq Karaxhiq (1786-1864). Ishte një alamet personaliteti për serbët. Në popull preferohej të thirrej vetëm Vuk (Ujk). I lindur në Trslik, autodidakti Karaxhiq njihet si babai themelues i gjuhës letrare serbe. Kishte kodifikuar gramatikën duke e pastruar nga sllovenishtja e vjetër, dhe si shembull të një gjuhe të pastër kishte përkthyer “Dhiatën e Re”. Qe mbledhës i zoti i folklorit serb, e atij në trevën e atëhershme të Kosovës. Por çfarë bie në sy te epika serbe është fakti se dhuna e njollos atë. Aty theren, pritën krahët, nxirren sytë, shkulen dhëmbët, u hapet barku grave me barrë. Këngët popullore ku vlon gjaku i joserbëve janë të panumërta.

Për studiuesin Pavlloviq, i cili është hulumtues në Institutin për Filozofi dhe Teori Sociale në Universitetin e Beogradit, Kosova për serbët është një mit.

“Është mit standard sikurse i kanë krejt kombet. Është mit i rëndësishëm për serbët. Ky mit funksionon për shekuj dhe qe i rëndësishëm për krijuesit. Nacionalistët e shfrytëzuan mitin për pretendime territoriale”, ka thënë autori i librit, që u financua edhe nga Ministria e Arsimit e Serbisë. Këtë fakt e ka paraqitur me ironi e mburrje. Ka thënë se në përbërjen e kaluar të “Parlamentit serb që ngjan me atë të Koresë së Veriut” i vetmi deputet opozitar ishte shqiptari Shaip Kamberi. Ka thënë se Kamberi ka propozuar që libri t’i jepet presidentit serb, Aleksander Vuçiq, dhe kryeministres, Ana Bernabiq, në mënyrë që ta njohin realitetin.

“Por realisht nuk dua të ndodhë kjo”, ka thënë Pavlloviq. Ka treguar se qëllimi ishte edhe promovimi i mendimtarëve liberalë si Dimitrije Tucoviq e Kosta Novakoviq.

“Të përfshirët në këtë libër janë të panjohur për publikun e gjerë. Nuk dua ta ndryshoj botën me këtë libër, po të mundohem për të bërë diçka”, ka thënë ai. Sipas tij, populli serb ka nevojë për informacione të tilla. “Duhet ‘vaksinuar’ publikun me informacione të tjera. Narrativa nacionaliste mbizotëron”, ka thënë ai. Ka ironizuar fort duke thënë se serbët nuk mund ta pranojnë realitetin si gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore, pasi serbët “nuk janë si gjermanët në punë, nuk janë si gjermanët të saktë, e nuk mund të bëjnë as gjenocid sa gjermanët”.

“Aty është një memorial e edhe njerëzit që nuk e pranojnë atë që ka ndodhur”

Me të kaluarën merret edhe vepra e Aidan Hehir dhe David Frankum. Irlandezi Hehir, i cili merret me drejtësinë transicionale dhe është punonjës shkencor i Universitetit të Westminsterit, ka thënë se realiteti duhet pranuar. Gjatë një udhëtimi për në Bosnjë ai kishte shkuar në Srebrenicë, ku edhe ka mbledhur rrëfime të atyre që kanë përjetuar masakrën. Hehir derisa ka folur për librin e botuar nga qendra “Multimedia” në shqip dhe anglisht, ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur duhet të kujtohet. “Memoriali i Srebrenicës është i rrethuar nga Republika Serbe. Aty është një memorial e po aty edhe njerëzit që nuk e pranojnë atë që ka ndodhur”, ka thënë ai duke iu referuar serbëve që nuk e pranojnë as masakrën më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore. Ka përmendur faktin se austriaku Peter Handke ka marrë “Nobelin” për letërsi duke qenë mohues i gjenocidit serb.

“Ato që kanë ndodhur në Kosovë, në Bosnje e në disa vende të tjera janë të vërteta dhe duhet të thuhen”, ka thënë Hehir.

Edhe sivjet shkrimtarë nga Ballkani e Evropa u bënë bashkë për tri ditë në teatrin “Oda” në organizimin që ka nisur si solidarizim me Ukrainën e si ripohim i nevojës së tematizimit të çështjeve, pavarësisht ndikimit jo të drejtpërdrejtë.

“Shkrimtari është i pranishëm”, si temë e këtij edicioni është frymëzimi nga artistja Marina Abramoviq, performanca e së cilës ‘Artisti është i pranishëm’ i theu kufijtë e distancës ndërmjet artistit dhe audiencës së artit të vet, duke qëndruar për 736 orë ulur në një karrige gjatë tre muajve dhe duke shikuar sy më sy 1675 vizitorë të performancës së saj.

Siç edhe tashmë është bërë traditë, çdo mbrëmje ka pasur lexime nga autorë të vendeve të ndryshme e nata e fundit është përmbyllur me performancen e Linda Rukajt.