Kulturë

“DokuFesti”, partner i Festivalit të Cannes, në qendër të botës së filmit

“Tashmë kemi filluar t’i caktojmë takimet. Do të kemi mundësi ta prezantojmë festivalin në ngjarjet publike që do të mbahet atje. Kemi një hapësirë ku do të kemi një video tonën me atmosferën e festivalit tonë. Do t’i shohim filmat e rinj që prezantohen atje”, ka thënë Eroll Bilibani që e udhëheq “DokuLabin”, departamentin edukativ të “DokuFestit”. Sipas tij, për “DokuFestin” si festival i filmit e si organizatë që merret me filmin dokumentar dhe zhvillimin e talenteve, kjo pjesëmarrje është shumë e rëndësishme. “Na vë në qendër të vëmendjes brenda Festivalit dhe të Tregut”

“DokuFesti” si festival ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër nga Kosova, sivjet do të jetë partner i një prej festivaleve më prestigjioze në botë. Hiç më pak se në atë që njihet si festivali i festivaleve. Si pjesë e “Cannes Docs”, “DokuFest” do të jetë në “Tregun e filmit” që është edhe tregu më i madh në botë i fushës së kinematografisë.

Midis partnerëve të Festivalit të Cannes, sivjet janë edhe ngjarje me traditë e nam në botë si “CPH:DOX”, “DMZ Docs”, “DOK Leipzig”, “É Tudo Verdade/It’s All True”, “Movies that Matter”, “RIDM”, “Visions du Réel” dhe “ZINEBI”.

Çdo vit gjatë festivalit, “Cannes Docs” ofron një vend të posaçëm dhe program ngjarjesh për të gjithë profesionistët e filmit dokumentar përfshirë emrat më të rëndësishëm të industrisë. Në kuadër të organizimit mbahet edhe Dita Vjetore e Dokumentarëve si një festë ekskluzive njëditore e kinemasë dokumentare dhe e rolit të saj thelbësor në shoqëritë bashkëkohore.

Sipas përshkrimit që i bëhet, “Cannes Docs” synon “fuqimisht të jetë sa më i dobishëm, i rëndësishëm e mikpritës për krijuesit e filmave dokumentarë prej ngado që vijnë si dhe për të gjithë ata që dominojnë këtë zhanër”.

Eroll Bilibani, që e udhëheq “DokuLabin”, departamentin edukativ të “DokuFestit”, ka thënë se në Cannes do të kenë takime të vazhdueshme, pasi janë listuar si profesionistë të filmit.

“Tashmë kemi filluar t’i caktojmë takimet. Do të kemi mundësi ta prezantojmë festivalin në ngjarjet publike që do të mbahet atje. Kemi një hapësirë ku do të kemi një video tonën me atmosferën e festivalit tonë. Do t’i shohim filmat e rinj që prezantohen atje”, ka thënë Bilibani. Sipas tij, për “DokuFest” si festival i filmit e si organizatë që merret me filmin dokumentar dhe zhvillimin e talenteve, kjo pjesëmarrje është shumë e rëndësishme.

“Na vë në qendër të vëmendjes brenda festivalit dhe të tregut. Ne do të përpiqemi të bëjmë promovimin e filmit dokumentar në veçanti, edhe promovimin e talentëve të rinj nga Kosova”, ka thënë ai. Ka përmendur se kjo pjesëmarrje ndërlidhet po ashtu edhe me programin që është mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Kosovë dhe “DokuFestit” ia ka lehtësuar krijimin e rrjeteve të mëdha ndërkombëtare e pjesëmarrjen në ngjarje të rëndësishme ku pos festivalit, promovohet edhe Kosova.

“Këtë vit kemi filluar të japim grante për regjisorët e rinj. Shpresojmë që këta filma të kenë mundësi të jenë në festivale të mëdha. Cannes është mundësi e mirë e zgjerimit të rrjetit tonë dhe ta mbajmë këtë nivel të kinematografisë”, ka thënë Bilibani.

Stafi i “DokuFest” rikthehet në Cannes pas suksesit të vitit 2021, që ishte historik për Kosovën, pasi për herë të parë një film vendor ishte në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa Vend”, ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Po ashtu, vjet u dha premiera botërore e filmit “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit në “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes.

Në anën tjetër, edhe një aktor nga Kosova sivjet rikthehet në edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes. Alban Ukaj e ka arritur atë që e konsideron ëndërr për shumicën e kolegëve të tij: pjesëmarrjen e dyfishtë në Cannes. Ai do të jetë në festival prej 17 deri më 28 maj, pasi luan në “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Sikurse sivjet, Ukaj qe në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008 kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”.

“Pas 13 vjetësh pata prapë nderin dhe fatin të punoj me vëllezërit Dardenne. Për mua, puna me ta është një shkollë e posaçme para kamerës”, kishte thënë Ukaj muajin e kaluar derisa po qëndronte në Kosovë për xhirimet e projektit kinematografik “Era” nën regji të Parta Kelmendit.

E për këtë edicion të Festivalit, Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se në Cannes do të bëhet edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Francës sa i përket bashkëpunimit në fushën e kinematografisë. Zakonisht Qendra Kinematografike e Kosovës qëndron në të njëjtin shtand me Qendrën Kombëtare të Filmit të Shqipërisë.