Kulturë

Ramadani – muzikanti që themeloi kore fëmijësh deri në Gjermani

Në muzikë thotë se e udhëheq përherë dashuria e madhe për të krijuar. Bashkëpunëtorët e tij më të mirë janë fëmijët. Andaj për ta ka kompozuar 60 këngë korale e zërat e tyre i ka dërguar nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. Muzikën shqip, kompozitori e dirigjenti Ramadan Ramadani e ka bërë të dëgjohet edhe në Gjermani ku jeton dhe vepron që nga viti 1994

Vargjet janë ato që e frymëzojnë për të krijuar. Kompozitorit Ramadan Ramadani mjafton t’i pëlqejë ndonjë poezi dhe u rreket partiturave për ta shndërruar në këngë. Këtë pëlqen ta bëjë pa ia imponuar askush. Në muzikë thotë se e udhëheq përherë dashuria e madhe për të krijuar. Bashkëpunëtorët e tij më të mirë janë fëmijët. Andaj për ta ka kompozuar 60 këngë korale e zërat e tyre i ka dërguar nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. Muzikën shqip e ka bërë të dëgjohet edhe në Gjermani ku jeton dhe vepron që nga viti 1994.

“Sot kënaqem kur më lajmërohen fëmijët me të cilët kam punuar dhe kur më thonë se ajo ka qenë pjesa më e bukur e jetës për punën me kor me mua”, rrëfen kompozitori nga Ferizaj, i cili tregon se çdo ditë punonte me fëmijët e korit të ish-Radiotelevizionit të Prishtinës.

Ramadan Ramadani, i lindur në Ferizaj aty edhe gjeti inspirimin për muzikën, si pjesë e shoqërisë kulturore-artistike “Kastriotët”. Aktivitetet me atë formacion e bënë që të dashurohej me muzikën popullore, ku në këtë zhanër ka kompozuar 18 këngë. Shkollimin muzikor e ka marrë në Prishtinë e Sarajevë, por asnjëherë nuk është shkëputur nga vendlindja.

Fill pas studimeve në vitin 1974 ai është kthyer në Ferizaj, ku themeloi korin “Fëmijët e gëzuar”, ndërsa punonte edhe me fëmijët në çerdhe të qytetit ku krijoi korin “Gëzimi ynë”. Paralelisht, ai ka punuar dhe me korin e shkollës “Gjon Serreçi” si mësimdhënës. Pas diplomimit më 1979 qe bashkëpunëtor i jashtëm, këshilltar pedagogjik për lëndën e muzikës në Entin Pedagogjik. Me korin e shkollës “Gjon Serreçi” arriti të shpallej fitues i trefishtë i vendit të parë në garat e koreve të fëmijëve të Kosovës të mbajtur ne Prishtinë në vitet 1978, ’79 dhe ’80. Puna me këtë kor sipas Ramadanit ishte vendimtare për përhapjen edhe më tej të muzikës korale për fëmijë.

“Në atë kohë Ferizaj u bë një qendër e njohur në Kosovë për kultivimin e muzikës korale shumëzëshe për fëmijë”, ka treguar Ramadani për emisionin “Pro X” të KTV-së. Ramadan Ramadani është prej atyre kompozitorëve që nëpërmjet tingujve sjellin freskinë dhe tentojnë të ngjallin dashurinë për jetën. Ramadani është fjalëpak. Emocionet e udhëheqin sa herë u kthehet kujtimeve, veçmas kur bëhet fjalë për fëmijët. Tash, si pensionist 69-vjeçar ende vazhdon të krijojë muzikë, kurse me këngët e tij thotë se jeton çdo ditë. U kthehet atyre herë pas here. Nga viti 1981, nisi punën në RTP si dirigjent i korit të fëmijëve, ku me punën e tij u prezantua në emisione të ndryshme, festivale e ngjarje kulturore të kohës.

“Kori i fëmijëve u bë shumë i dashur për qytetin dhe ndikoi që në shkollat e Kosovës të formohen shumë kore”, ka treguar ai. Ramadani bëri edhe incizimin e këngëve të shumë kompozitorëve shqiptarë e të huaj në produksionin muzikor të RTP-së. Në këngët e tij janë tekstet e autorëve Rizah Shaqiri, Kemajl Aliu, Isa Shala e të tjerë. Takimi me kompozitorin Tonin Arapi e nxiti që ta sfidojë veten edhe në fushën e kompozimit për fëmijë. Përvoja me shoqërinë “Kastriotët” e bëri që të krijojë edhe në fushën e muzikës popullore. Me këngën “Iku Lulja” u bë pjesë e “Akordeve të Kosovës”.

“E interpretoi mrekullisht këngëtarja Afërdita Avdyli. Ajo pas asaj këngë vazhdimisht kërkonte këngët e mija”, tregon Ramadani, i cili me këngën “Iku Lulja” të interpretuar nga Afërdita Avdyli u shpërblye me vendin e tretë në festivalin “Akordet e Kosovës”. Por, Ramadanit i ka mbetur peng kënga e kompozuar për Asim Vokshin, e cila në vitin 1990 nuk arriti të realizohej për shkak të ndërprerjes së Festivalit nga masat e jashtëzakonshme të regjimit serb. Ramadani ka pasur mundësinë ta dëgjojë këtë këngë 30 vjet pas realizmit të saj në gala-koncertin që është realizuar javën e kaluar në Ferizaj në nderim të krijimtarisë së tij. Para largimit nga vendi i punës, Ramadani e kishte përgatitur korin e fëmijëve për interpretimin e operës “Dasma Arbëreshe” të Rauf Dhomit.

“Kori ka tingëlluar shumë bukur në operë. Në incizim dirigjenti me një provë e ka incizuar”, ka treguar tutje Ramadani. Në vitin 1990 u largua dhunshëm nga puna, por ai nuk mund të rrinte larg nxënësve dhe muzikës. Vazhdoi punën me korin e shkollës “Rilindja” të Keqekollës. Ai ishte pjesëmarrës i shumë ngjarjeve të rëndësishme, si koncerti jubilar kushtuar Nënës Terezë, i organizuar nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës të mbajtur më datën 5 tetor 1990. Punoi në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, në rrethanat e shtëpive-shkolla, ku me korin e saj u prezantua në akademinë solemne në 23-vjetorin e themelimit të UP-së, në teatrin “Dodona”, në 550-vjetorin e flamurit kombëtar shqiptar në Institutin Albanologjik e të tjera. Në vitin 1994 vendosi të largohej për në Gjermani, por edhe atje ishte me muzikën dhe me fëmijët. Ai vazhdoi angazhimin nëpërmjet organizimit të mësimit të gjuhës shqipe dhe korit të fëmijëve shqiptarë në Hallwagen dhe Bühl të Gjermanisë. Me këtë kor u prezantua në manifestimet kulturore të organizuara nga mërgimtarët shqiptarë me rastin e kremtimit të festave kombëtare. Kori u emërtua “Shkëndija” duke cilësuar befasi nga shtypi gjerman, për sukseset ku u prezantua edhe në Festën e qytetit Bühl për disa vjet me radhë, si dhe në disa manifestime të ndryshme kulturore gjermane. Për këtë u nderua nga kryetari i qytetit Bühl.

“Ushtonte në mbrëmje zëri i fëmijëve shqiptarë”, rrëfeu tutje Ramadani. Kur i kujton fëmijët me të cilët ka punuar emocionohet. Fjalët i mbesin në gjysmë e u dorëzohet lotëve. I tillë është Ramadan Ramadani sa herë u kthehet kujtimeve të tij me muzikën. Ai po ashtu u prezantua para publikut gjerman edhe me korin e kopshtit të fëmijëve “St. Elisabeth”. Kontributi i tij vazhdoi edhe në 2008, kur në Baden Baden themeloi korin e shkollës shqipe “Iliria”, ku punoi deri më 2016, pa lënë anash edhe udhëheqjen e korit dhe punën në edukimin e hershëm muzikor në këtë qytet. Tutje ai shpjegon se dëshira për lexim i ka ndihmuar edhe në muzikë. “Gjithmonë kam qenë i dashuruar në muzikën. Për mua muzika është gjithçka”, thotë ai në fund të intervistës. Disa herë gjatë intervistës ngulmon se muzikën e ka bërë më shumë për dëshirë se për çdo gjë tjetër. Tash, krijimet e tij muzikore planifikon t’i përmbledhë në një libër. Skena dhe libri për të është komunikimi më i mirë me publikun.