Kulturë

“Shtegut historik” i hapet rruga për lidhjen e monumenteve në Prizren

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore pas shumë muajsh ka lëshuar pëlqimin për projektin e “Shtegut historik” pasi Komuna e Prizrenit së fundmi është pajtuar me vërejtjet dhe rekomandimet e dhëna. Sipas zyrtarëve komunalë, një gjë e tillë pritet t’i hapë rrugën Komunës për ta nënshkruar marrëveshjen me Zyrën e BE-së për realizimin e këtij projekti, i cili parasheh lidhjen e disa monumenteve në Qendrën Historike

Mospajtimet midis Komunës së Prizrenit dhe Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore lidhur me projektin “Shtegu historik”, që parasheh lidhjen e disa monumenteve në Qendrën Historike së fundmi janë eliminuar. Autoriteti i trashëgimisë kulturore ka lëshuar pëlqim për këtë projekt, pasi që Komuna është pajtuar me vërejtjet dhe rekomandimet e dhëna. Një gjë e tillë pritet t’i hapë rrugën Komunës për ta nënshkruar marrëveshjen me Zyrën e BE-së.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prizrenit, Jona Hoxhaj, ka thënë se ky projekt ka mbetur i bllokuar prej vitit të shkuar, pasi që ish-qeveria lokale nuk i kishte zbatuar rekomandimet e QRTK-së. Sipas saj, Komuna rishtazi i ka përmbushur të gjitha vërejtjet e dhëna për këtë projekt, i cili synon që t’i prezantojë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe të jetë një atraksion për turistët.

“Tani, në këtë fazë ne jemi në pikën kur ne jemi dakorduar dhe i kemi përmbushur të gjitha rekomandimet e komisionit të QRTK-së dhe tani jemi duke e përgatitur lejen e ndërtimit për këtë pjesë dhe do të bëjmë nënshkrimin e marrëveshjes me BE-në me fondet IPA dhe do të bëjmë realizimin e projektit”, ka thënë Hoxhaj.

“Shtegu historik”, sipas projektit të Komunës, parasheh vendosjen e kalldrëmit e mobilerisë urbane që do të krijojë lidhjen midis disa monumenteve nga Ura e Arastës drejt lokalitetit arkeologjik dhe Kroit të Beledijes, për të kaluar te minarja e Arastës, te Monumenti i Lirisë dhe për t’u përmbyllur te Hamami i Gazi Mehmed Pashës. Këto vlera të trashëgimisë kulturore prezantojnë një histori gati dy shekullore, prandaj edhe shtegu ndryshe quhet mijëvjeçar.

Image

Në mesin e tyre bën pjesë “Arasta”, që aktualisht prezantohet me Urën dhe me minaren. Sipas shënimeve të historianëve të prezantuara vite më parë nga Komuna e Prizrenit, Evrenos-Zade Jakup Beu mes viteve 1526 dhe 1538 ndërtoi mesxhidin, ku pastaj ndërtohet edhe xhamia me minare (Arasta), që kryesisht shfrytëzohej nga tregtarët. Përreth xhamisë ndërtohen dyqane, kështu që kjo pjesë shndërrohet në një treg të mbyllur (“Arasta”, Kapali Çarshinë e Prizrenit), që u dogj tërësisht në vitin 1913. Aty thuhet se Xhamia e Arastës ka pasur funksionin burimor të saj deri në vitin 1960, dhe se në emër të “modernizimit” dhe “zhvillimit” qeveria e atëhershme ka rrënuar komplekse të tëra në bërthamën e vjetër të Prizrenit, ku nga këto ndërhyrje rrënohet tërësisht tregu i mbyllur “Arasta” sikurse edhe xhamia, ku minarja e saj kursehet duke lënë atë si “obelisk” para kompleksit të banesave shumëkatëshe. Në vitin 1970 minarja e xhamisë restaurohet dhe konservohet me ç’rast regjistrohet si monument kulture.

Ndalesa tjetër në këtë shteg është lokaliteti arkeologjik i zbuluar në fund të vitit 2014, gjatë gërmimeve të dheut për ndërtimin e një fontane si pjesë e projektit të ndërtimit të Sheshit të Lidhjes. Sipas një shkrese të Këshillit të trashëgimisë kulturore të Qendrës Historike bazuar në mbetjet arkitektonike-arkeologjike, supozohet se ato përbëjnë pjesë të objektit romak të vilës rustica-e apo urbana-e, dhe se mund të supozohet se objekti i përket një kompleksi më të madh, ndërtuar në shekullin III-IV, pjesët e të cilit janë në mbetjet e fragmentuara të zbuluara në oborrin e xhamisë Arasta.

Afër lokalitetit arkeologjik freskia mund të gjendet te Kroi i Beledijes, që daton nga periudha osmane, kur edhe qëndronte në oborrin e Beledijes, për t’u zhvendosur në vitet ‘60 në vendin ku ndodhet sot. Në këtë shteg vizitorët mund të njihen edhe me vlerat e luftës së fundit në Kosovës, pasi ai kalon afër monumentit të Ismet Jasharit-Kumanovës, por edhe ngërthen në vete Monumentin e Lirisë me shtatoren e Remzi Ademajt – Petritit. Shtegu përmbyllet te Hamami i Gazi Mehmed Pashës, që sipas shënimeve të Komunës së Prizrenit, është ndërtuar në vitet 1563-74 dhe ka shërbyer si banjë publike deri në vitin 1927/44, derisa në vitin 1954 u shpall përmendore kulturore. Pas vitit 2000, pjesa e ftohtë e Hamamit shfrytëzohet si galeri, për ekspozita të ndryshme.

Ndalesa tjetër në këtë shteg është lokaliteti arkeologjik i zbuluar në fund të vitit 2014, gjatë gërmimeve të dheut për ndërtimin e një fontane si pjesë e projektit të ndërtimit të Sheshit të Lidhjes. 

Krejt kjo, sipas drejtorit të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka për qëllim rehabilitimin e njërës pjesë të zonës historike, si dhe promovimin e disa aseteve të trashëgimisë kulturore, për të cilën gjë tashmë është dhënë pëlqimi nga kjo qendër.

“Projekti i Drejtorisë së Turizmit për shtegun mijëvjeçar së fundmi ka marrë pëlqimin e QRTK-së. Janë marrë për bazë të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e dhëna në disa takime radhazi që kemi zhvilluar me ta dhe, hiç më larg se dje, është dorëzuar në Komunë të Prizrenit për t’u pajisur me leje nga Drejtoria e Urbanizmit”, ka deklaruar Hoxha. Ai beson se realizimi i projektit do të jetë i dobishëm.

“Do t’i hap rrugë dhe mundësi promovimit të aseteve të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit”, është shprehur Hoxha.

Dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkufizojnë se për çdo ndërhyrje në infrastrukturën e kësaj zone nevojitet pëlqimi paraprak nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore.