Kulturë

Ministria e Kulturës me 300 mijë euro në tentimin e dytë për të blerë art

Gati pesë muaj pasi dështoi që të blinte vepra arti dhe 247 mijë euro shkuan në suficit, Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen që të blejë “skulptura, vizatime, grafika, tekstil, qeramikë, dizajn industrial, art digjital, video-art, fotografi, performanca, instalacione, kompozime e vepra të tjera”. Në dhjetor, me pompozitet doli me listën e përfituesve, por pas 48 orësh e anuloi krejt procesin që nxiti reagime publike

Krejt artistët e artit pamor që duan t’i shesin shtetit nga një vepër e kanë mundësinë që ta përgatisin “ofertën”. Ministria e Kulturës ka hapur thirrje publike që me 300 mijë euro të blejë vepra të artit. Krijuesit duhet të llogarisin që çmimi më i ulët që do t’iu paguhet është 1.500 euro. Për më të lartin, nuk ka shifër.

Kjo thirrje e MKRS-së vjen gati pesë muaj pasi institucioni qendror në vend dështoi që të blinte vepra arti dhe 247 mijë euro shkuan në suficit.

Bazuar në thirrjen publike të së enjtes, MKRS-ja do të blejë “skulptura, vizatime, grafika, tekstil, qeramikë, dizajn industrial, art digjital, video-art, fotografi, performanca, instalacione, kompozime e vepra të tjera”.

Nëpërmjet kësaj thirrjeje, MKRS-ja synon “t’i mbledhë, t’i ruajë dhe t’i mirëmbajë veprat e artit që janë krijuar nga artistë vendorë, të pasurojë fondin shtetëror të artit, të iniciojë tregun e shitblerjes së artit në Kosovë dhe të bëjë promovim vendor dhe ndërkombëtar të veprave të artit përmes zhvillimit të diplomacisë publike”.

Pasurimi i fondit shtetëror synohet pa hapësira për vendosjen e veprave e profesionistë për mirëmbajtjen e tyre. Se ku do të vendosen veprat e blera, këtë e di veç MKRS-ja dhe nuk ka treguar ndonjëherë.

Ata që ia mësyjnë thirrjes duhet të plotësojnë aplikacionet dhe t’i dorëzojnë në Ministrinë e Kulturës. Veprat duhet të paraqiten në fotografi ose PDF.

Por, aplikantët duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të aplikojnë me vetëm një vepër artistike, të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit dhe Ministrisë së Kulturës dhe të ofrojnë dëshmi për autorësinë e veprës artistike.

“Procesi i vlerësimit të aplikacioneve do të realizohet nga një (1) juri profesionale që emërohet me vendim të ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, shkruhet në thirrjen që do të jetë e hapur deri më 6 qershor.

Në fillim të marsit të këtij viti Qeveria e Kosovës kishte vendosur që me një milion e 50 mijë euro për tre vjetët e ardhshëm të blejë vepra të artit pamor.

“Shumat që parashihen për blerjen e veprave të artit sipas viteve janë: 300,000 € (treqind mijë euro) për vitin 2022; 350,000 € (treqindepesëdhjetë mijë euro) për vitin 2023; dhe 400,000 € (katërqind mijë euro) për vitin 2024. Obligohet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të përfshijë shumat përbrenda kufijve buxhetorë për vitet përkatëse”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit të Qeverisë.

Ministria e Kulturës hapin e parë për blerje të veprave të artit e kishte bërë në fund të vitit të kaluar. Por i kishte shkuar ters. Në ditën e 9 dhjetorit, procesin e blerjes së veprave të artit pamor – të paralajmëruar me pompozitet e të përuruar si nismë në ndihmë të artistëve edhe nëpërmjet konferencave – Ministria e Kulturës e kishte zhvlerësuar. Për këtë nuk ishte menduar fort. S’i ishin dashur më shumë se 48 orë pasi e kishte marrë vendimin dhe ka publikuar listën e veprave që ka blerë për çerek milioni euro, që ta anulojë krejt procedurën. E kishte anuluar pas një proteste të vogël të nja 20 artistëve para MKRS-së, përderisa debati midis komunitetit artistik kishte marrë hov.

Mënyra se si ishin përzgjedhur 68 përfituesit qe njëra temë. Shuma me të cilën janë paguar disa prej veprave – që arrin edhe në 7 mijë euro – ishte tjetra. Buxheti prej 247 mijë eurosh i marrë nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike kishte shkuar në suficit. Asokohe kundër procesit kishte dalë edhe profesori Adem Rusinovci pasi konsideronte se nuk mund të bëhej thirrje publike si ndihmë për artistët e veprat të paguheshin deri në 7 mijë euro.

KOHA ka raportuar disa herë se Galeria Kombëtare e Kosovës posedon mbi 900 vepra në fundus dhe ka mungesë hapësirash, si dhe mungesë kuadrosh që t’i mirëmbajë ato. Se nuk ka kushte, u konfirmua edhe në janarin e vitit të kaluar kur 125 vepra që dikur zinin vend në hotelin “Grand” u zhvendosën aty. Mungojnë hapësirat e profesionistët që mirëmbajnë veprat.

Në anën tjetër, shteti tash e më shumë se një dekadë synon ndërtimin e një muzeu të artit bashkëkohor, por ende nuk ka një lokacion për të. Se ku do të vendosen veprat që do të blihen dhe me çfarë strategjie do të pasurohet shteti me vepra të artit, ende nuk dihet.