Kulturë

Ramadan Ramadani, dirigjenti e kompozitori i ngritjes së muzikës shqipe

Descriptive Text

Ka një përkufizim të prerë kur pyetet për muzikën. Ajo është gjithçka për të. Koncerti në Ferizaj, dedikuar krijimtarisë së tij, e ka kthyer frymën e “Akordeve të Kosovës”. “M’u duk sikur i dëgjova për herë të parë. Unë jetoj me këto këngë, i këndoj kudo që shkoj”, ka thënë Ramadani, i cili ka kontribut me peshë edhe në punën si dirigjent i koreve për fëmijë. Rreth 60 këngë korale për fëmijë dhe 18 popullore janë thesari që ai ia ka lënë muzikës shqipe

Ramadan Ramadani është një prej figurave me nam të muzikës në Ferizaj, aty ku u lind dhe nisi rrugëtimin në muzikë. Dëshira për melosin popullor e ka zanafillën kur qe anëtar i shoqërisë kulturore-artistike “Kastriotët”, por mësimet në këtë fushë i mori në Prishtinë e Sarajevë e kontributin muzikor e shpërndau kudo, madje edhe në Gjermani.

Si pensionist, tash 69-vjeçar, të mërkurën mbrëma, dy orë para koncertit, me rroba solemne e kravatë të kuqe, tërësisht modest futet në një prej sallave ku muzikantët i ka mbledhur pikërisht krijimtaria e tij ndër vite. Hyn e del pa zhurmë, disa herë. Kur futet në sallë nuk bën asnjë koment veçse mallëngjehet. Emocionet qysh para koncertit dirigjentin e kompozitorin ferizajas do ta bëjnë të endet herë jashtë e herë brenda sallës, ku muzikantët janë gati për t’i shfletuar në skenë kapitujt e tij muzikorë që përthekojnë periudha të ndryshme krijuese të dirigjentit ferizajas Ramadan Ramadani. Të mërkurën mbrëma Trupa Artistike e Ferizajt ka mbajtur një gala-koncert në kuadër të “Gramon Fest 2022”. Në lojën e udhëhequr nga dirigjenti Valton Beqiri, këngëtarët e instrumentistët ferizajas u janë kthyer partiturave e këngëve që janë dëgjuar që nga viti 1983, atëherë kur këngët e kompozitorit Ramadani këndoheshin në “Akordet e Kosovës”. Këngë që himnizojnë jetën e dashurinë janë kënduar për më shumë se një orë në “Berisha Palace”, në Nikadin të Ferizajt. Pamje të qytetit të Ferizajt janë shfaqur në sfond të skenës ku janë kënduar veprat e kompozitorit që në opusin e tij krijues ka 60 këngë korale për fëmijë dhe 18 këngë popullore. Kur merr ndonjë përshtypje për veprat e tij, Ramadani, që jeton në Gjermani, nuk i përdor fjalët si përgjigje. I duhet më shumë se një minutë ta marrë veten. Përnjëherë i mbushen sytë me lot.

“Jam pak i emocionuar”, thotë para koncertit. Muzikën thotë se e ka bërë më shumë si pasion sesa si përfitim.

“Këngët i kam bërë më shumë për kënaqësinë time”, thotë ai mes emocionesh. Gala-koncertin në Ferizaj e ka përshkruar si momentin më të mirë të jetës, ani pse këngët e tij janë kënduar në skenën e festivalit më me nam të dekadave të fundit të shekullit të kaluar – “Akordet e Kosovës”. Për Ramadanin, dëgjimi i këtyre këngëve nga artistët bashkëvendës i jep një ndjesi të re.

“M’u duk sikur i dëgjova për herë të parë. Unë jetoj me këto këngë, i këndoj kudo që shkoj”, ka thënë Ramadani fill pas koncertit, ku edhe ka marrë një mirënjohje për kontributin e tij muzikor nga Komuna e Ferizajt. Rrugëtimi i Ramadanit nis që në bankat e shkollës së mesme të muzikës në Prishtinë, për t’u formësuar edhe më në Akademinë e Muzikës në Prishtinë. Ishte viti 1974, kur për herë të parë filloi punën me korin e qytetit, “Fëmijët e gëzuar”, si dhe me korin e shkollës “Gjon Serreçi” si mësimdhënës njëkohësisht. Pas diplomimit më 1979 qe bashkëpunëtor i jashtëm, këshilltar pedagogjik për lëndën e muzikës në Entin Pedagogjik. Me korin e shkollës “Gjon Serreçi” ai arriti të shpallej fitues i trefishtë i vendit të parë në garat e koreve të fëmijëve të Kosovës të mbajtur ne Prishtinë në vitet 1978, ‘79, ‘80, gjersa nga viti 1981 nisi punën në RTP si dirigjent i korit të fëmijëve, ku me punën e tij u prezantua në emisione të ndryshme, festivale e ngjarje kulturore të kohës. Bëri edhe incizimin e këngëve të shumë kompozitorëve shqiptarë e të huaj në produksionin muzikor të RTP-së. Në këngët e tij janë tekstet e autorëve Rizah Shaqiri, Kemajl Aliu, Isa Shala e të tjerë. Ramadanit mjafton t’i pëlqejë një tekst që ta shndërrojë në këngë, por këtë, siç e shpjegon ai, pëlqen ta bëjë pa e ditur autori i tekstit. Të kundërtën thotë se e ka të vështirë.

Image

Për kontributin në muzikë, Komuna e Ferizajt e ka nderuar Ramadan Ramadanin me mirënjohje


“Kur e shihja ndonjë tekst të bukur që më pëlqente e merrja dhe ia bëja muzikën. Kur ma jep ndonjë poet tekstin nuk kam dëshirë, sepse ndoshta s’mund ta bëj. Më me dëshirë e marr pa e ditur ai dhe pastaj ia tregoj. Këto këngë i kam realizuar ndër vite”, shpjegon tutje ai. Ramadani në vitin 1990 u largua dhunshëm nga puna, por më ai nuk mund të rrinte larg nxënësve dhe muzikës. Vazhdoi punën me korin e shkollës “Rilindja” të Keqekollës. Ishte edhe kontribuues në mbajtjen gjallë të muzikës shqipe. Ai ishte pjesëmarrës i shumë ngjarjeve të rëndësishme, si koncerti jubilar kushtuar Nënës Terezë, i organizuar nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës të mbajtur më datën 5 tetor 1990. Punoi në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, në rrethanat e shtëpive-shkolla, ku me korin e saj u prezantua në akademinë solemne në 23-vjetorin e themelimit të UP-së, në teatrin “Dodona”, në 550-vjetorin e flamurit kombëtar shqiptar në Institutin Albanologjik e të tjera. Në vitin 1994 vendosi të largohej për në Gjermani, por edhe atje ishte me muzikën dhe me fëmijët. Vazhdoi angazhimin nëpërmjet organizimit të mësimit të gjuhës shqipe dhe korit të fëmijëve shqiptarë në Hallwagen dhe Bühl të Gjermanisë, me këtë kor u prezantua në manifestimet kulturore të organizuara nga mërgimtarët shqiptarë me rastin e kremtimit të festave kombëtare. Kori u emërtua “Shkëndija” duke cilësuar befasi nga shtypi gjerman, për sukseset ku u prezantua edhe në Festën e Qytetit Bühl për disa vjet me radhë, si dhe në disa manifestime të ndryshme kulturore gjermane. Për këtë u nderua nga kryetari i qytetit Bühl. Po ashtu u prezantua para publikut gjerman edhe me korin e kopshtit të fëmijëve ”St. Elisabeth”. Kontributi i tij vazhdoi edhe në 2008, kur në Baden Baden themeloi korin e shkollës shqipe “Iliria”, ku punoi deri më 2016, pa lënë anash edhe udhëheqjen e korit dhe punën në edukimin e hershëm muzikor në këtë qytet.

Motive të natyrës që lidhen me pranverën janë në kompozimet e këngëve “Pranvera në vendin tim”, “Këngë dhe cicërime”, që u interpretuan nga solistët në koncert. “Jeta është e bukur” titullohet një prej këngëve të Ramadanit që përcillet me një ritëm të lehtë.

Dirigjenti Valton Beqiri ka udhëhequr koncertin me një formacion orkestral me të cilin është munduar t’i përshtatej zhanrit të muzikës popullore dhe muzikës së lehtë. Sipas tij, nxjerrja në skenë e këngëve të Ramadanit e sjellin para publikut frymën e festivalit të “Akordeve të Kosovës”.

“Dëgjohet ajo fryma e festivalit të ‘Akordeve të Kosovës’, një festival që fatkeqësisht Kosova nuk e ka ende të nivelit të tillë. Këto vepra prezantojnë një standard të asaj kohe dhe është mirë edhe për gjeneratat e reja ta dinë se në këtë vend ka pasur njerëz të aftë dhe punëtorë, kompozitorë dhe këngë të mira, të cilat nuk e kanë humbur akoma vlerën”, i ka thënë ai KOHËS. Sipas tij, nderimi i figurave si Ramadani dhe shfletimi i veprave të tij është kënaqësi e veçantë dhe përgjegjësi.

“Në këto koncerte tematike, kur flitet për një këngëtar gjithmonë është më përgjegjësi pasi që këngët janë dëgjuar më herët, andaj duhet riorkestruar dhe duhet dhënë një petk tjetër. Është mirë kur nderohen njerëzit sa janë ende në mesin tonë”, ka thënë tutje Beqiri.

Trupa artistike regjionale e Ferizajt vitin e kaluar ka organizuar gala-koncert të ngjashëm kushtuar artistit Qazim Dushi. Sipas drejtuesit të kësaj trupe, Bardhyl Abazi, kjo traditë e nderimit të figurave muzikore të qytetit të Ferizajt do të vazhdojë edhe gjatë viteve në vijim.

“Duke e ditur që Ferizaj vazhdimisht i ka dhënë artistë vendit tonë dhe ata artistë i kanë dhënë këtij vendi një opus të gjerë të krijimeve, ne do të vazhdojmë të nderojmë për çdo vit nga një artist të rangut të tillë”, ka thënë Abazi, i cili mbrëmjen të së enjtes ka interpretuar këngën “Kur ndëgjon këngën lulebore”.

Kompozitori Ramadan Ramadani thotë se vazhdon të kompozojë muzikë, ndërsa planifikon edhe një libër ku do të përmbledhë veprat e tij muzikore.

“Iku lulja”, “Moj mikja ime”, “Rruga që të mori”, kënduar dikur prej Afërdita Avdyli apo “Me këngë jemi rritur” kënduar së pari prej Fanushe Ahmetit, mbesin perla të muzikës shqipe.

Kur pyetet për kuptimin që ka muzika për të, thotë se për të muzika është bash gjithçka. Për ta ilustruar më mirë këtë përgjigje Ramadani tregon se kur punonte me fëmijët e korit të shkollës “Rilindja” të Keqekollë, shpesh humbiste autobusin e fundit për t’u kthyer në shtëpi në Ferizaj. Ndodhte që rrugën e bënte edhe më këmbë. Për këtë thotë se kishte arsye të fortë. Zëri i fëmijëve e mbante deri vonë në kryeqytet. Kur i dëgjonte ata, gjithçka tjetër zbehej.

“E humbisja autobusin vetëm sepse doja të dëgjoja edhe një herë më shumë zërin e fëmijëve duke kënduar”, thotë ai, tashmë i zhytur në emocione. Se muzikën e ka bërë për qejf më shumë se për gjithçka tjetër, hetohet edhe tash në mimikën që e tradhton muzikantin 69-vjeçar, edhe atëherë kur ai e pret më së paku. Andaj, publikut më së shumti do që t’i flasë nëpërmjet muzikës. Ashtu siç edhe i ka folur të mërkurën mbrëma.

Image

“Dëgjohet ajo fryma e festivalit të ‘Akordeve të Kosovës’, një festival që fatkeqësisht Kosova nuk e ka ende të nivelit të tillë. Këto vepra prezantojnë një standard të asaj kohe dhe është mirë edhe për gjeneratat e reja ta dinë se në këtë vend ka pasur njerëz të aftë dhe punëtorë, kompozitorë dhe këngë të mira, të cilat nuk e kanë humbur akoma vlerën”, i ka thënë ai KOHËS