Kulturë

Hapet zyrtarisht Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias

pavijoni, bienale, venecia

Kosova ka hapur zyrtarisht Pavijonin në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie. Me instalacionin “Monumentaliteti i Përditshmërisë” të artistit Jakup Ferri shteti prezantohet sivjet në ngjarjen më të madhe në botë të artit bashkëkohor. Gjatë hapjes, është thënë se pjesëmarrja në Bienale është dëshmi e potencialit që ka Kosova.

Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias është inauguruar këtë pasdite dhe “Monumentaliteti i përditshmërisë”, në hapësirën ekspozuese Arsenale, shpërfaq ngjyra vibrante në hapësirën e veshur me piktura e tapiceri.

Veprat e artistit Jakup Ferri sodisin të përditshmen.

Gjatë hapjes, kuratorja gjermane, Inke Arns, ka thënë se në hapësirën prej 120 metrash katrorë nëpërmjet veprave të Ferrit ka ndërlidhje poetike ndërmjet njerëzve, kafshëve dhe objekteve.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se hapja e Pavijonit është një ngjarje jashtëzakonisht me rëndësi.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe deputeti Ardian Gola, kryetar i Komisionit Parlamentar për Kulturë, i cili ka thënë se Pavijoni flet për potencialin që ka Kosova.

Në edicionin e sivjetmë, të 59-in me radhë, Kosova merr pjesë për herë të pestë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit. Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës është krahas atij të Ukrainës që paraqitet me ngjyra të zymta. E Rusia sivjet nuk merr pjesë fare në Bienale.