Kulturë

Granti i parë nga “DokuFest” i ndahet projektit filmik “Motra” të Albana Nilës

Projekti filmik i Albana Nilës me titull “Motra”, është një portret i vajzërisë dhe vështirësive të të qenit një vajzë e re në një shoqëri si ajo e Kosovës. Sipas përshkrimit të dhënë nga “DokuFest”, “Motra” nuk është një tregim i një viktime tjetër; është më tepër një tregim i një individi të ri të zgjuar që me ndihmën e motrave të saj e merr çështjen e mirëqenies në duart e saj

Projekti filmik i Albana Nilës i titulluar “Motra”, ka bindur komisionin përzgjedhës të “DokuFestit” se e meriton përkrahjen në kuadër të skemës së granteve mbështetëse për valën e re të filmbërësve nga Kosova. Ky është granti i parë që u ndahet filmbërësve të rinj vendorë, me ç’rast gjatë këtij viti e vitit të ardhshëm synohet të ndahen gjithsejtë 5 grante të ngjashme për projektet filmike të filmbërësve nën moshën 30-vjeçare nga Kosova.

“DokuFest” rishtazi ka përfunduar vlerësimin e aplikimeve për projektet filmike në rundin e parë të skemës së granteve “Mbështetje për valën e re të filmbërësve nga Kosova” nga programi “Promovimi i Shoqërisë Demokratike përmes Artit dhe Kulturës”, që financohet nga Ambasada Suedeze në Kosovë dhe bashkë financohet nga Komuna e Prizrenit.

“Projekti ‘MOTRA’ nga Albana Nila është përzgjedhur fitues nga komisioni përzgjedhës i përbërë nga Melissa Lindgren (kuratore dhe producente e filmit), Blerta Zeqiri (regjisore), Samir Karahoda (regjisor dhe kurator filmi) dhe Veton Nurkollari (kurator filmi)”, shkruhet në njoftimin e “DokuFestit”.

“DokuFest” do të mbështetë projektin me 10 mijë euro dhe përveç mbështetjes financiare me ekipin e vet artistik do të ofrojë këshillim dhe mentorim për Albana Nilën dhe ekipin e saj gjatë produksionit të filmit.

Në njoftim sqarohet se projekti filmik i Albana Nilës, me titull “Motra” është një portret i vajzërisë dhe vështirësive të të qenit një vajzë e re në një shoqëri si ajo e Kosovës. Sipas këtij përshkrimi, “Motra” nuk është një tregim i një viktime tjetër; është më tepër një tregim i një individi të ri të zgjuar që me ndihmën e motrave të saj e merr çështjen e mirëqenies së saj në duart e saj.

Albana Nila është regjisore e lindur në vitin 1999 në Pejë. Aktualisht është në vitin e fundit të studimeve bazike në Regji Filmi dhe Televizion në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Nila gjithashtu ka përfunduar një semestër të shkëmbimit me “Erasmus+ICM” me Universitetin Masaryk për Film dhe Kulturë Audiovizuale në Republikën Çeke.

Ajo ka shprehur bindjen se mundësia e ofruar nga “DokuFest” krijon lehtësi për jetësimin e projektit të saj filmik, por edhe prezantimin e këtij tregimi në arenën ndërkombëtare. Njëherësh ka theksuar se ofrimi i këshillimit dhe mentorimit është i nevojshëm për krijuesit e rinj.

“Bashkëpunimi me DokuFestin ngrit përgjegjësitë dhe në të njëjtën kohë edhe e bën më të lehtë punën në vazhdimësi të projektit. Si komunitet relativisht i vogël i artistëve, mundësitë e depërtimit rriten me anë të fondeve të tilla alternative dhe kështu, edhe krijohet një hapësirë e re për filmbërësit e rinj për qasje edhe në audienca ndërkombëtare. Me anë të ndihmës së mentorëve po ashtu filmbërësit e rinj e kanë më të lehtë të krijojnë një rrugëtim të denjë për filmat e tyre”, ka thënë Nila për KOHËN.

Në anën tjetër, udhëheqësi i Departamentit “DokuLab” në “DokuFest”, Eroll Bilibani ka pohuar se programi ‘Promovimi i Shoqërisë Demokratike përmes Artit dhe Kulturës’ që mbështetet nga Ambasada Suedeze në Kosovë, ka gjetur përkrahje edhe nga Komuna e Prizrenit, falë edhe dimensionit për ofrimin e përkrahjes për krijuesit e rinj, në mënyrë që të jetësojnë projektet e tyre filmike dhe ato ti prezantojnë para një audience më të gjerë.

“Ky program synon t'u përgjigjet sfidave të shoqërisë bashkëkohore, si erozioni i institucioneve demokratike dhe mungesa e dialogut dhe përfshirjes, duke bashkuar artin dhe kulturën me çështje më të gjera shoqërore”, ka deklaruar Bilibani.

Sipas tij, parashihet që të ndahen 5 grante të tilla.

“Ky është granti i parë që u ndahet filmbërësve të rinj, dhe gjatë këtij viti do të shpallen edhe 2 thirrje të tjera, së pari në gjysmën e dytë të muajit maj, dhe pastaj në muajin nëntor të këtij viti. Në vitin 2023 do të ofrohen edhe dy grante të tjera, duke e sjellë numrin total në 5 grante për projekte filmike dedikuar filmbërësve nën moshën 30-vjeçare nga Kosova. Një nga elementët kyçë të këtij programi është dhënia e granteve me qëllim të mbështetjes së talentëve vendës në filmbërje, regjisorëve dhe producentëve të rinj për prodhimin dhe distribuimin e tregimeve lokale në për audiencat ndërkombëtare, duke promovuar kështu tregimet lokale të parë nga këndvështrimi i artistëve të rinj”, është shprehur Bilibani.

Sipas tij, këto grante kanë për qëllim të ofrojnë financim alternativ për realizimin e filmave në Kosovë, që synojnë artistët dhe kineastët e rinj kosovarë, të cilët mund të zhvillojnë dhe finalizojnë projektin brenda një afati kohor të caktuar.

“DokuFest” në qershor të vitit të shkuar pati nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me SIDA-n përkatësisht Ambasadën Suedeze, ku palë e përfshirë është edhe Komuna e Prizrenit, që synonte forcimin e kapaciteteve organizative, por edhe bashkëpunimin me institucionet e filmbërësit suedezë. Në këtë kuadër, DokuFest parasheh vazhdimin e bashkëpunimit me Institutin Suedez të Filmit si rreth filmbërjes, ashtu edhe promovimit të kineastëve të rinj në të dyja vendet përkatëse.