Kulturë

Kushtrim Sheremeti zyrtarisht drejtor i Teatrit, politika në prapaskenë

Qysh se doli emri i Kushtrim Sheremetit si kandidat në krye të listës për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës, u ndez debati nëse ai është i përshtatshëm për këtë pozitë. Në mesin e kundërshtarëve qenë deputetë e militantë të partisë në pushtet, dhe për akuza u përdorën edhe postime arkivore të Sheremetit, kur ai kritikonte e shante militantë të VV-së. Por së paku tash për tash, politika ka mbetur në prapaskenë, e planet e drejtorit të ri – që vjen pas një sage prej dy vjetësh, e dy muajve të tjerë prej se ai u vlerësua maksimalisht – janë që ta ndërkombëtarizojë Teatrin Kombëtar të Kosovës

Pavarësisht reagimeve të disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, militantëve të kësaj partie e mëdyshjes së Ministrisë së Kulturës, aktori Kushtrim Sheremeti së paku sipas ligjit, për katër vjetët e ardhshëm do të jetë drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Të martën Sheremeti ka nënshkruar kontratën me Ministrinë e Kulturës. Këtë e ka bërë gati dy muaj pasi Këshilli Drejtues i TKK-së e nxori atë si kandidatin më të vlerësuar në garën për pozitën kryesore në TKK. Ministrisë së Kulturës i është dashur kohë shtesë që të vendosë për procesin qysh prej 16 shkurtit, kur Sheremeti doli i pari në raport me Avni Dalipin, Xhemail Agajn e Blerim Krasniqin. Aktorja Vlora Merovci nuk i kishte plotësuar kushtet e konkursit.

TKK-ja bëhet me drejtor pas një zvarritjeje dyvjeçare. Prej ditës së 18 janarit të vitit 2020, Agim Sopit i kishte skaduar mandati. Për të ardhur te drejtori i ri janë dashur tri konkurse, shoqëruar me anulime, rishpallje e të tjera procedura.

I pyetur për objektivat e tij, për drejtimin e TKK-së, Sheremeti ka thënë se nuk ka çfarë të shtojë pos platformës që ka prezantuar.

Sheremeti synon që TKK të jetë i hapur ndaj vetvetes, vendit dhe botës, të rrisë numrin e vizitorëve të institucionit nga 40 deri në 45 mijë veta në vit e të krijojë një ambient pozitiv pune me efekt afatgjatë.

“Të krijohen mekanizma bashkëkohorë të promovimit të shfaqjeve; të plotësohen mungesat e stafit dhe trupës artistike; të rritet prodhimi i dramës kombëtare, si dhe të zhvillojmë dramaturgjinë shqiptare; anëtarësimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës në të gjitha mekanizmat kryesore teatrore në Evropë dhe botë”, shkruhet në platformën e tij të cilën ia kishte prezantuar edhe Këshillit Drejtues të TKK-së.

Ai synon që TKK-ja të jetë në hartë të dukshme të punës teatrore në skenën ndërkombëtare e po ashtu në institucion të jetë i organizuar dhe i zhvilluar festivali ndërkombëtar i teatrit.

“Pjesëmarrja e prodhimeve të TKK-së në festivale ndërkombëtare të teatrit; të krijohen kuadro të reja për punë në TKK; të ketë një grup shumë më të avancuar dhe profesional të punëtorëve; TKK të mbetet teatri më i suksesshëm nga teatrot që flasin shqip dhe të jetë një prej teatrove më të suksesshme në rajon”, shkruhet në platformën e tij. Secilën pikë e ka elaboruar para Këshillit Drejtues të TKK-së në përbërje të Armend Smajlit, Ben Apollonit, Gresa Pallaskës, Rebeka Qenës, Shkurte Aliut, Visare Aliut dhe Brikena Mulliqit.

Në shkurt kishte mjaftuar njoftimi i Ministrisë së Kulturës se aktori Kushtrim Sheremeti është kandidati i suksesshëm për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës që të shpërthenin edhe akuzat se ai nuk është i duhuri.

Nëpër rrjete sociale, diskursi qe kryesisht politik, e nga anëtarë të partisë në pushtet ka pasur të ashtuquajtura distancime prej përzgjedhjes.

Gjuhë të ashpër kundër Sheremetit kishte përdorur deputeti i VV-së, Haki Abazi.

“Distancohem publikisht nga përzgjedhja e Kushtrim Shermetit si drejtor i Teatrit Kombëtar. 20 vjet zhvatje e degradim të vlerave nuk kanë ndodhur vetvetiu. Kishte edhe krijues, edhe zbatues të agjendës, por edhe përfitues…”, kishte shkruar ai në profilin e tij në Facebook dhe më pas kishin shpërthyer akuzat e militantëve. Aktorit që ishte nisur drejt postit të kreut të institucionit më të lartë teatror në vend, i ishin “nxjerrë nga arkivi” edhe sharje që dikur ua bënte VV-së a militantëve të saj.

E Ministria e Kulturës kishte shpejtuar të sqaronte se procesi nuk kishte marrë epilog.

“Procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar. Këshilli Drejtues i TKK-së ka përfunduar vlerësimin e kandidatëve pas intervistimit (me shkrim dhe me gojë). Ministria e Kulturës do t’i ndjekë afatet ligjore për zhvillimin e hapave të mëtutjeshëm…”, shkruhej në njoftimin e MKRS-së që për shumë artistë ishte i panevojshëm.

Edhe Sheremeti është provuar në politikë si pjesë e Lëvizjes për Bashkim. Ka qenë këshilltar politik i ish-ministrit të Disporës, Valon Murati.

MKRS-së i janë dashur gati dy muaj që të shqyrtojë ankesat e Avni Dalipit dhe të Xhemail Agajt. Dyshja kishte pretenduar që gjatë procesit nuk ishin përfillur rregullat ligjore, por sipas MKRS-së ka ndodhur e kundërta.

Se Shermeti ka nënshkruar kontratën me MKRS-së, Këshilli Drejtues, bazuar në prononcimin e kryetares së këtij organi, Shkurtë Aliu, nuk është në dijeni.

“Ne si këshill nuk kemi informacion nga MKRS-ja për vendimin e Komisionit të Ankesave e rrjedhimisht nuk e dimë nëse është nënshkruar kontrata nga z. Sheremeti”, ka thënë Aliu në një përgjigje me shkrim.

Prej janarit të vitit 2020, kur TKK-ja mbeti pa drejtor të përgjithshëm, deri në dhjetor të atij viti, nuk u hap konkurs fare. Më 27 dhjetor ishte hapur konkursi, i cili ofronte mundësinë e kandidimit deri më 10 janar 2021. Në mars punonjësi i MKRS-së, Naser Shatrolli, u bë drejtor. Fiks dy muaj më vonë, më 12 maj 2021, u anulua krejt procedura. Ky vendim ishte marrë pas ankesës së kundërkandidatit Blerim Krasniqi. Kandidat tjetër ishte edhe Kushtrim Sheremeti, i cili kishte bërë edhe akuza për ndërhyrje politike në proces. Konkursi i radhës që u anulua qëndroi i hapur për dy javë, prej 13 deri më 27 nëntor 2021. E i fundit qe i hapur prej 8 janarit deri më 22 janar të këtij viti.

Aktualisht TKK-ja është në proces edhe për zgjedhjen e udhëheqësit artistik. Kandidatë për këtë pozitë janë: Sokol Plakolli, Arta Muçaj, Erson Zymberi, Saranda Elshani, Elhame Kutllovci e Dea Venhari-Dragaj. Institucioni më i lartë teatror në vend është pa udhëheqës artistik qysh prej qershorit të vitit 2019, pasi regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar. Si pasojë, as për sivjet nuk ka repertor vjetor sa u përket dramave që do të inskenohen.