Kulturë

Rikthimi i Merita Halilit, koncert i hapur në “Skënderbej”

Descriptive Text

Merita Halili pati një rikthim me emocione të forta në ansamblin shtetëror të këngëve dhe të valleve, aty ku ka nisur karriera e saj shumë vite më parë, dhe për më shumë, në ditëlindjen e saj.

Ajo këndoi në një koncert të hapur për publikun në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, mbrëmjen e së premtes, repertorin e saj me këngët e Shqipërisë së Mesme dhe ato që ajo i ka realizuar me ansamblin shtetëror të këngëve dhe valleve popullore.

“Një rikthim i pabesueshëm që sonte të gjindem në sheshin e Tiranës që është e zbukuruar kaq shumë dhe është një kënaqësi më shumë, që sot në ditëlindjen time unë këndoj në Tiranë. Gjithmonë më ka vlerësuar populli, dhe unë e vlerësoj shumë dhe prandaj jam shumë afër me popullin”, rrëfen Halili, shkruan KP.

Ajo dhe bashkëshorti i saj zhvillojnë aktivitetin prej shumë kohësh në SHBA, duke kënduar në skenat më të rëndësishme për publikun shqiptar dhe amerikan dhe në kthim e presin dy koncerte të rëndësishme.

“Kemi dy koncerte shumë të rëndësishme. Njëri është në gjashtë gusht, e kanë titulluar “Prej Tiranës deri në Tashkent”. Tashkent është kryeqyteti i Uzbekistanit dhe përfshin një hapësirë gjeografike kulturore muzikore. Koncerti i dytë është në 29 tetor në Symponhy Space në Brodway në Manhattan”, thotë kompozitori Raif Hyseni.

Ata kanë katër vite që kanë themeluar në “Montclair State University” Katedrën e Parë të Muzikës Shqipe për studentët e New Jersey, të cilët kanë mundësi tani të mësojnë edhe ritmet tona përveç muzikës klasike dhe jazz.

“Unë mendoj që amerikanë t e vlerësojnë shumë folkun, sepse është diçka e vjetër që vjen nga një vend i vjetër në Ballkan”, tha Halili.

Koncerti i së premtes ishte përmbyllësi i këtij sezoni për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.