Kulturë

Kompania nga Beogradi hesht për artefaktet që u morën në Novobërdë

Kompania që kishte përsipër të bënte restaurimin e Kalasë së Novobërdës, “KOTO”, u është shmangur pyetjeve rreth faktit se disa artefakte të këtij lokaliteti arkeologjik kanë përfunduar në Beograd. Sipas kompanisë, gjatë viteve 2015 dhe 2016 në Novobërdë janë bërë punë profesionale. Por shembjet e fasadës së gurtë atje e dëshmojnë të kundërtën, bashkë me punimin shkencor që nxjerr në pah se prej qytetit mesjetar u morën edhe artefakte

Kompania beogradase që ka bërë konservimin dhe restaurimin e pjesës së epërme të Kalasë së Novobërdës deklarativisht thotë të ketë bërë punë profesionale. Faktin se artefakte të Kalasë kanë përfunduar në Beograd dhe po studiohen me financim të shtetit serb, “KOTO” e shmang.

Më 2015, kompania me themelues dhe pronar Zlatan Tomiqin, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Studiuesit serbë kanë nisur publikimin e rezultateve të studimeve të artefakteve të nxjerra në atë periudhë, të cilat janë marrë pa dijeninë e institucioneve vendëse.

Por në përgjigje për KOHËN, “KOTO” ka thënë të jetë bërë punë profesionale. Kanë sqaruar se nga viti 2015 deri në vitin 2016, kompania ka kryer punimet në këtë projekt, bazuar në kontratën me numër 4500273110 të datës 25 maj 2015, të nënshkruar me UNESCO-n si zbatuese e procedurës së prokurimit të financuar nga Bashkimi Evropian.

“Theksojmë se absolutisht të gjitha punimet kërkimore dhe konservuese e restauruese i kemi kryer me leje të vlefshme në përputhje me rregulloret ligjore, rregullat profesionale, metodologjinë dhe teknologjinë plotësisht në përputhje me dokumentacionin e projektit të miratuar nga UNESCO si zbatues dhe me mbikëqyrjen e duhur të organeve kompetente”, shkruhet në përgjigjet që KOHËS ia ka përcjellë nëpërmjet postës elektronike zyrtari ligjor i kësaj kompanie, Darko Gligorijeviq.

KOHA të hënën ka raportuar se një punim shkencor i botuar në dhjetor të vitit të kaluar në numrin e 40-të të revistës arkeologjike “Journal of Archaeological Science” nxjerr në dritë marrjen ilegale të artefakteve nga Kalaja e Novobërdës. Por “KOTO” nuk ka pasur përgjigje në pyetjet direke: me çfarë leje janë dërguar artefaktet në Beograd, dhe po ashtu me çfarë leje bëhet studimi i tyre.

Edhe restaurimi ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar.

Në anën tjetër, Zyra e BE-së ka sqaruar se gjatë punimeve janë zbuluar mbetje të rëndësishme arkeologjike, si dy objekte banimi, një ndërtesë për komandantin e asaj hapësire, një kishë, më pas një hamam i vogël me oxhak e po ashtu edhe sistemi i ngrohjes prej hipokausti.

“Gjithashtu, gjatë punimeve të kryera nga viti 2015 deri në vitin 2017, janë zbuluar një numër i madh objektesh dhe artefaktesh prej qelqi, qeramike, metali, eshtra kafshësh, si dhe gjyle topi e armë mesjetare”, shkruhet në përgjigje. Aty bëhet me dije se projekti është monitoruar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe kontraktuesi ia ka dorëzuar Institutit gjithsej 56 çanta dhe kontejnerë me gjetje arkeologjike. “Kontraktuesi ka siguruar edhe restaurimin e objekteve të caktuara dhe ia ka dorëzuar Muzeut të Kosovës”, shkruhet në përgjigjet e Zyrë s së BE-së dërguar KOHËS javën e kaluar. BE-ja, deklarativisht, del të jetë e painformuar për parregullsi.

“Ne nuk jemi në dijeni të ndonjë shkeljeje që ka ndodhur gjatë zbatimit të kontratës. Çdo kontrabandë e mundshme është çështje e agjencive të zbatimit të ligjit”, shkruhet në përgjigjet e përcjella nga zyrtarja për komunikim, Enisa Rashlanin-Kasemi.

Të martën e javës së kaluar, MKRS-ja është përgjigjur duke thënë se ky institucion e ka të rëndësishme që të konfirmojë me saktësi dokumentare faktin e nxjerrjes jashtë territorit shtetëror të artefakteve që janë gjetur gjatë zbatimit të projektit të restaurimit të Kalasë së Novobërdës. Në përgjigje shkruhet se MKRS-ja konsideron se ky projekt, nisur nga mënyra se si është dizajnuar dhe aprovuar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, ka shumë paqartësi dhe mund të thuhet se është përcjellë me përplot dritëhije.

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, mbikëqyrës i projektit restaurues, ka thënë se nuk është korrekte të merret materiali nga punëkryerësit.

“E dimë se në bazë të marrëveshjes – kontratës për punë – kompania ‘KOTO’ nga Beogradi nuk ka pasur të drejtë të realizojë gërmime arkeologjike. Nuk ka realizuar gërmime arkeologjike. Ka pasur për detyrë pastrimin e depozitimit të materialit të rënë shekullor brenda Kështjellës, për të realizuar konservime-restaurime në ‘Qytetin e Epërm’ të Kështjellës”, ka thënë Rexha të martën. Por punimi shkencor e konfirmon se jo krejt materiali arkeologjik i është dorëzuar IAK-ut.

Një pjesë ishte marrë në Beograd. Grupi i autorëve i përbërë nga Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinski, e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, kanë publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkura e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga Kalaja e mesjetës së vonë e Novobërdës (Ballkani Qendror). Punimi është publikuar në revistën “Journal of Archaeological Science”.

Zyra rajonale e UNESCO-s në Sarajevë deri në fund të javës së kaluar nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

Studimi i pesëshes nga Serbia është përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik dhe nga Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi.

“Dëshirojmë të falënderojmë gjurmuesin e Novobërdës, dr. Marko Popoviq, nga Instituti i Arkeologjisë, Beograd, për krijimin e qasjes dhe mbështetjen në analizimin dhe publikimin e materialit”, kanë shkruar autorët. Arkeologu Marko Popoviq, i cili vdiq në vitin 2020, ishte studiues i arkeologjisë mesjetare. Ai ka qenë i ngarkuar si mbikëqyrës në punimet që janë zhvilluar në Kalanë e Novobërdës.

Një grup arkeologësh nga Kosova dhe Shqipëria, që kishin vizituar punishten në tetor të vitit 2015, kishin konstatuar shumë parregullsi. Për këtë kishin përgatitur një raport, i cili nuk ishte marrë parasysh nga institucionet e Kosovës.