Kulturë

“Më shpëto nga çka jam” me estetikën e mikroorganizmave të pandemisë

Ekspozita e Dion Zeqirit është në esencë kundërpërgjigje ndaj pandemisë. Në kohën e karantinimit do t’i ruante maskat e dorëzat, më pas do t’u futej analizave mikroskopike. Prej rezultateve do të gjente format skulpturore, tek kërkonte që ta shembte të padukshmen. Aty ka gjetur estetikën që thërret “Më shpëto nga çka jam”

Një kavanoz mjafton për t’i mbajtur elementet kryesore të një realiteti të ri jetësor. Maska e dorëza, të cilat deri dje shërbenin për t’u mbrojtur nga virusi i padukshëm COVID-19, sot kur masat janë më të buta, mund të transformohen edhe në vepra arti. Këtë mund ta bëjnë si manifestim të së kaluarës që e determinon të tashmen, si një hulumtim i cili nis me metoda mjekësore, por përfundon si një krijim vizual.

Të papaluara e të rrudhura në pamje, ato qëndrojnë duke e mbushur gjysmën e kavanozit të vendosur në njërën nga mbajtëset në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Mirëpo, përtej pjesës arkivistike, ato kanë edhe një tjetër mision në ekspozitën “Më shpëto nga çka jam”. Dalin së qeni mjete “shpëtimi”, por shndërrohen në arenë analize. Të përdorura në intervalin e ecjes nga shtëpia personale e Dion Zeqirit deri te Spitali Qendror i Kosovës, ato bëhen në burim të kërkimit.

Image
Përderisa frika dhe ankthi nga COVID-19 ishin të dukshme për botën, vetë virusi që e shkaktonte këtë, nuk mund të ndihej nga shqisat njerëzore as me prekje, dëgjim a shije. Kjo është pika kryesore që e intrigoi Dion Zeqirin drejt ekspozitës së tij personale, “Më shpëto nga çka jam” e hapur në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës

Zeqiri del nga rrafshi i të gjykuarit vetëm të ndikimit shëndetësor e emocional të pandemisë, por hyn edhe në aspektin e padukshëm të saj. Përderisa frika dhe ankthi nga COVID-19 ishin të dukshme për botën, vetë virusi që e shkaktonte këtë, nuk mund të ndihej nga shqisat njerëzore as me prekje, dëgjim a shije. Kjo është pika kyç që e intrigon Zeqirin drejt ekspozitës së tij personale, hapja e së cilës u bë të premten mbrëma.

Nëpërmjet analizave mikrobiologjike, artisti që ka ekspozuar edhe në galeri të huaja, u fokusua së pari në analizat shkencore të maskave e dorëzave, qëllimi i të cilave ishte mbrojtja e njerëzve. Bashkëpunimi me stafin mjekësor të shëndetësisë publike, i solli atij identifikimin dhe fotografimin e 20 tipave të baktereve. Në ekspozitë ai i merr pamjet e tyre mikrobiologjike, të cilat i ekspozon në shirita prej 12 sosh. Mirëpo, nuk vetëmjaftohet me kaq. Format e tyre i shfaq edhe nëpërmjet digjitalizimit e përdorimit të inteligjencës artificiale, në vizualizime 3D prej plastike të tejdukshme, të cilat merrnin vëmendjen e publikut me madhësinë e ngjyrat e ndezura të së kaltrës, kuqes, verdhës e gjelbrës.

“Kur i kam parë për herë të parë si imazhe kanë ardhur nga një mjet teknologjik, mikroskop i avancuar, që na tregon se çka mund të shohim. Si të tillë desha ta bëj të njëjtën punë me kompjuterin”, ka thënë Zeqiri për KOHËN, duke përmendur se ishin algoritmet rigjeneruese ato që i kanë hyrë në punë në këtë mes.

Kontakti i shpeshtë me spitalin gjatë periudhës kur Prishtina ishte në karantinë totale para dy vjetëve, ishte fajtori kryesor i ardhjes së kësaj ekspozite.

“Atëherë ishin pak raste në Prishtinë, por ishte gjendje paniku. Gjatë asaj periudhe kur shkoja në spital dhe kthehesha në shtëpi i ruaja dorëzat e maskat. E kam krijuar një kavanoz ku kam arkivuar, nuk dija se a mund të ekzistojë një lloj bakteri e organizma edhe në këto me të cilat po mbrohemi sot”, tregon ai për nismën.

Kontribut në këtë rrugëtim thotë të ketë pasur edhe drejtori i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Xhevat Jakupi, me të cilin i ka kryer edhe analizat.

“Fillova me i pa në mikroskop të gjitha këto 20 fotografi, 12 baktere apo mikroorganizma, por që nuk kam pasur mundësi të kem një aspekt shqisor, për nuhatje, ndjenje e prekje. Çka mundet me qenë ajo që sot është e mirë? Profesori e doktori Xhevat arriti t’i bëjë disa prej testeve mikrobiologjike, e që pas asaj fillova t’i bëj disa 3D-vizualizime se si duken ato”, ka rrëfyer autori i ekspozitës “Më shpëto nga çka jam”.

Emërtimi i lindi si natyrshmëri e gjendjes emocionale, mes një jete të re dhe përshtatjes me të e mes shpresës së shpëtimit nga një gjendje ekzistuese.

Image
Arkivimi i maskave dhe dorëzave të përdorura, u bë pikënisje e hulumtimit që takon mjekësinë me artin. “Emërtimi ka ardhur nga frika që e kisha nga pandemia, gjatë udhëtimit mes spitalit dhe shtëpisë...”, ka thënë artisti Dion Zeqiri

“Emërtimi ka ardhur nga frika që e kisha nga pandemia, gjatë udhëtimit mes spitalit dhe shtëpisë, pasi e kuptova se disa baktere quheshin kështu dhe kanë efekte në trupin e njeriut, disa edhe janë permanente, pjesë e jona. Në anën tjetër, te disa trupa reagojnë në forma më indirekte. E ke atë farë tensionin e shpëtimit nga ajo që është prezent”, ka thënë Zeqiri.

Piktorja Lumturie Krasniqi ka çmuar faktin e sjelljes së një ekspozite të tillë në një ambient si Lapidariumi i Muzeut Kombëtar.

“M’u duk shumë e veçantë, diçka më ndryshe për ambientin të cilin jemi mësuar ta shohim. Është shumë bashkëkohore, më pëlqeu tematika që ka vendosur ta trajtojë, e që është padyshim prej ditëve të kaluara çka kemi përjetuar, por ende është shumë e rëndësishme dhe ia vlen”, ka thënë ajo teksa ka veçuar disa aspekte. “Më pëlqej pjesa e digjitalizuar, por edhe pyetja që po e bën. Ia ka bërë vetes, por po na bën edhe neve audiencës. Vizualisht ka dalë diçka shumë interesante, po ta tërheqë vëmendjen”.

Image
Format nisën të shfaqjen prej analizave mikroskopike

Animatorja Urtina Hoxha ka qenë e njoftuar me punën e Zeqirit në çdo proces.

“E kam parë kur ka filluar me i mbledh dorëzat në kohën e pandemisë që tek pastaj të mendoj se çka mund të bëhet si vepër arti nga kjo”, ka thënë ajo duke e cilësuar si proces interesant. “Kur kemi mbërritur te kjo pjesa më e qetë, prapë e kemi atë brengën dhe stresin që na ka shkaktuar. Mirëpo, me pa në një format të tillë gjithë atë periudhë, është interesante”. Ajo vlerëson se ka shumë punë prapa kësaj ekspozite.

“Po mendoj që është punë e mirëfilltë që ka filluar prej asaj, nuk ka mbetur në pika fillestare, por pastaj ka bërë shumë përpjekje. Ka shkuar në IKSHPK, ka bërë analiza, e ka gjetur cilat janë bakteret, pastaj e ka menduar se në çfarë formati vizual duhet të paraqiten këto vepra. Është shumë e rëndësishme të dihet i gjithë procesi i punës”, ka thënë Hoxha.

Ekspozita “Më shpëto nga çka jam” është financuar nga Komuna e Prishtinës.