Kulturë

Restorant në Kalanë e Vushtrrisë me leje të shtetit

Kalaja e Vushtrrisë, nga një hapësirë publike që është shfrytëzuar për seminare, aktivitete rinore e kulturore, do të shndërrohet në restorant.

Në qendër të pjesës së vjetër të qytetit, monumenti më i rëndësishëm i zonës, me struktura që mendohet se datojnë që nga shekulli II, do të shfrytëzohet për qëllime komerciale, shkruan sot Koha Ditore.

Pa ndonjë thirrje publike, por vetëm me një marrëveshje, të lidhur midis Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe biznesmenit Mentor Salihu, ka bërë që të shpërthejnë reagime sa i përket destinimit të objektit.

Biznesmeni Salihu është i biri i dajës së kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku. Përderisa i pari i Komunës nuk ka reaguar, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka kundërshtuar dhënien me qira të Kalasë. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, institucion që njihet si pronar i këtij monumenti, e ka konfirmuar marrëveshjen, por nuk ka dhënë detaje të saj. Punimet për hapjen e restorantit tashmë kanë nisur. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)