Kulturë

“Romeo e Zhulieta”, në vallëzim me jetën për triumfin e dashurisë

Descriptive Text

Është e njohur ndër shekuj historia që shpalos, por mesazhi i saj rikthehet fuqishëm në kohë trazirash si këto të sotmet. Ka të bëjë me jetën dhe dashurinë që s’njeh çmim. Apo më saktë, me jetën që s’bën dot pa dashuri e harmoni midis njerëzve. Ky është edhe mesazhi që potencon koreografi ruso-amerikan, Konstantin Uralsky. “Dashuria për njëri-tjetrin, dashuria për ëndrrat, për traditat. Dashuria, pa të cilën jeta nuk është e mundur”, ka thënë ai për të shtuar se ky është misioni i artit. Baleti Kombëtar i Kosovës është vlerësuar për “Romeo e Zhulietën”, e kushtet dhe skena ku është inskenuar janë një tjetër kapitull

Monologu që iu paraprin të gjitha lëvizjeve, i nxjerr balerinët në skenë. Me topa në duar në të bardha, balerinët shfaqen në fillim të shfaqjes. Trupa e baletit në skenë përfaqëson dy familje të pasura: Kapuletët dhe Montagët. Kjo hetohet në veshjet e balerinëve – kostumet e të cilëve duken mbretërore. Loja e tyre e zhvendos publikun në Veronë. Ballkoni në ballë të skenës shërben si vend i shkëmbimit të sinjaleve të forta. Në jo pak skena, dashuria do të jetë lajtmotiv i shfaqjes.

Por, rruga te ajo s’është fort e lehtë. Prehja e dy të dashuruarve prishet shpesh. Balerinët kur në vallëzimin e tyre nxjerrin shpatat, muzika në sfond bëhet me shpotitëse. Është një element i rëndësishëm për ta futur publikun në një prej historive më të trishta të dashurisë. Skena të tilla tregojnë për një gjendje të paqëndrueshme në mes të dy familjeve. Lufta mes tyre është skenë e përsëritur më shumë se një herë në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës në premierën e parë për këtë vit nga Baleti Kombëtar i Kosovës, që është dhënë të enjten mbrëma. Shkëndijat e dashurisë midis dy të rinjve të familjeve të hasmëruara bëjnë që skenat e përleshjes të mos paraqiten shpesh. Romeo nga Montagët bie në dashuri me Zhulietën e Kapuletëve. Historia e armiqësisë mbetet një pengesë, por një tregim i zbehtë përballë asaj që krijohet mes dy të rinjve. Me koreografi të Konstantin Uralskyt dhe asistent-koreografit Yury Romashko, baleti shqiptar në lëvizje e ka vënë në skenë historinë më tragjike të dashurisë që e njeh bota. Është një histori e shkruar shekuj më parë, por për të cilën publiku është përherë kureshtar. Është një ndër veprat më të njohura të dramaturgut të madh anglez të shekullit XVI, William Shekespeare. Kësaj shfaqje i dha ritëm, kompozitori rus Sergei Prokofiev në vitin 1935 ose 1936 kur e punoi shfaqjen për Baletin e Kirovit. Rezultati që dha ajo në skenë u bë inspirim për koreografë anembanë botës për t’i dhënë jetë në lëvizje kësaj historie. Koreografi ruso-amerikan, Konstantin Uralsky, ka bërë koreografi për teatrot e vallëzimit në mbarë botën, si në SHBA, Itali, Bolivi, Ukrainë e Bullgari. Me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës ka punuar për gati tre javë. Por, fillimi nuk kishte qenë i lehtë. Për shkak të pushtimi të Ukrainës nga Rusia, Ministria e Kulturës fillimisht kishte kërkuar të ndërpriten provat për shkak të prejardhjes së koreografit. Me tre javë punë intensive, ata kanë arritur që të vendosin në skenë një prej shfaqjeve më dinamike. Në premierën e së enjtes mbrëma nga publiku ka marrë shumë duartrokitje.

“Ka qenë një premierë e mrekullueshme. Ka pasur shumë energji pozitive, ajo çfarë ka bërë trupa është e mahnitshme. E kam përcjellë këtë trupë për disa vjet dhe mendoj që kanë bërë një hap të madh. Audienca të jep një ndjenjë të mrekullueshme. Jam plot emocion pas premierës”, ka thënë koreografi Uralsky për KOHËN, pak minuta pas shfaqjes.

Image
Trupa e baletit në skenë përfaqëson dy familje të pasura: Kapuletët dhe Montagët (Foto: Arben Llapashtica)

Në lëvizje e skena të ndryshueshme, balerinët i kanë qëndruar besnikë konceptit të koreografit: që të përcjellin mesazhin për triumfin e dashurisë. Romeo dhe Zhulieta rrëzohen e ngrihen bashkë. Lamtumirat e tyre janë gjithnjë të vështira. Harmonia mes tyre prishet sa herë që në skenë nuk mbesin vetëm.

“Performanca jonë është një shfaqje për dashurinë. Dashuria për njëri-tjetrin, dashuria për ëndrrat, për traditat. Dashuria, pa të cilën jeta nuk është e mundur”, ka thënë koreografi Uralskyt, i cili një kohë kishte qenë pjesë e baletit të Bolshoit. Me ta nëpër botë ka realizuar veprat më të njohura të baletit. Në vitin 1998, ai u vendos në New York ku themeloi Shkollën Ruse të Baletit në Long Island. Është rikthyer në Kosovë për të punuar një shfaqje që e ka shumë për zemër e të cilën e ka luajtur edhe me trupa më të mëdha të baletit në botë. Në Kosovë e ka punuar me një ritëm intensiv e të shpejtë provash. Kjo dinamikë e punës thotë se i ka shembur të gjitha sfidat dhe ngrohtësia që e ka gjetur te trupa e baletit kosovar nuk gjendet lehtë diku tjetër.

Image
Në lëvizje e skena të ndryshueshme, balerinët i kanë qëndruar besnikë konceptit të koreografit: që të përcjellin mesazhin për triumfin e dashurisë (Foto: Arben Llapashtica)

“Është e veçantë ta bësh këtë shfaqje me një trupë më të vogël. E kam bërë këtë shfaqje me trupa anembanë botës. Por, ndonjëherë me disa trupa duhet të japësh më shumë, kjo sjell diçka te t’i dhe atëherë duhet si një show e jo vetëm vallëzim. Është diçka që të hynë në zemër dhe në kujtime. Kjo ndodhi sonte”, i ka thënë KOHËS koreografi Uralsky. Errësira ka qenë një ndërprerje e shpeshtë mes skenash që edhe ashtu janë dinamike. Shfaqja “Romeo e Zhulieta” është ndarë në dy akte në teatrin kosovar. Me një pauzë rreth 10 minutash, balerinët e kanë kthyer më me intensitet pasionin që ngërthen historia e shfaqjes. Jeta zhvillohet në mënyrë jolineare, gjithçka është e thurur. Frati Laurance bëhet një udhëzues në mes. Zhulieta (Mërgime Morina), e veshur në të bardha, në çdo çast është e gatshme ta kurorëzojë dashurinë me martesë. Romeo është portretizuar nga balerini Fatmir Smani, i cili ka thënë se ndihet i lumtur që për 50-vjetorin e themelimit të këtij institucioni po e fusin në repertor një shfaqje si “Romeo dhe Zhulieta”.

“Ky rol ka qenë sfida më e madhe në karrierën time, po besoj edhe për gjithë grupin duke e pasur parasysh edhe kohëzgjatjen e shfaqjes që ka qenë rreth dy orë dhe provat që kemi pasur mundësi t’i bëjmë vetëm tri orë. Është një barrë e madhe ta kem këtë rol, e falënderoj koreografin që ma ka besuar”, i ka thënë Smani, KOHËS.

Image
Prehja e dy të dashuruarve prishet shpesh. Balerinët kur në vallëzimin e tyre nxjerrin shpatat, muzika në sfond bëhet me shpotitëse. Është një element i rëndësishëm për ta futur publikun në një prej historive më të trishta të dashurisë (Foto: Arben Llapashtica)

Uralsky është i kënaqur me rezultatin që dha trupa e baletit në skenë dhe zhvillimin e saj përgjatë viteve. Më 2009 pikërisht me BKK-në përgatiti shfaqjen “More than two to tango”, që erdhi si balet njëaktësh. Atë periudhë e ka përshkruar si një eksperiencë shumë të mirë. Ka thënë se nuk e dinte se ku po shkonte kur u nis për në Kosovë. Ai gjithë punën në këtë shfaqje ia ka dedikuar themeluesit të baletit në Kosovë e ish-drejtorit të BKK-së, Ahmet Brahimajt, i cili vdiq më 7 maj 2020.

“Ka qenë një njeri i rëndësishëm për këtë trupë. Të kthehem me tragjedinë që ai nuk është më me neve, natyrisht që kjo i dedikohet atij sepse ai do të jetojë gjithmonë në kujtimet e mia”, është shprehur Uralsky. Koreografit ruso-amerikan do t’i duhet të pushojë pak pas dedikimit që ia ka marrë kjo shfaqje në Kosovë. Sa i përket përjashtimit të artistëve rusë nga jeta kulturore nëpër institucionet më të rëndësishme në botë, ai ka thënë se arti ka mision t’i bashkojë njerëzit.

“Arti është veçmas për njerëzit dhe arti duhet t’i bashkojë njerëzit. Arti është që t’i flasim njëri-tjetrit, që ta bëjmë këtë botë më të mirë. Ky balet flet për jetën dhe dashurinë dhe rëndësinë e secilës jetë dhe ndonjëherë bëjmë hapa të pafalshëm që ta humbasim atë. Kjo për mua është ajo që bën arti. Nuk ka rëndësi në cilin vend të botës jam, unë besoj fuqishëm se ky është misioni i artit”, ka thënë ai për KOHËN.

Image
Me një pauzë rreth 10 minutash, balerinët e kanë kthyer më me intensitet pasionin që ngërthen historia e shfaqjes. Jeta zhvillohet në mënyrë jolineare, gjithçka është e thurur (Foto: Arben Llapashtica)

Ata që e mbajnë dashurinë në skenë për më shumë se dy orë, nën lojën e vazhdueshme të përplasjeve përreth, përfundojnë në dysheme duke bërë sakrificën më të madhe për njëri-tjetrin.

“Romeo dhe Zhulieta” edhe në Kosovë shpërfaq çiftin që s’ia del ta mendojë jetën pa tjetrin.

Për ish-balerinin, Jonuz Beqiraj, dy balerinët në role kryesore kanë arritur të portretizojnë në mënyrën më të denjë personazhet. Por, sipas tij, mungesa e kushteve për një shfaqje të tillë hetohet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Rolet kryesore janë role shumë mirë të realizuara, loja e ansamblit është më e zbehtë shkaku i skenës së vogël. Koreografi e ka bërë një punë në shpejtësi, kjo shfaqje do donte më shumë përgatitje dhe një ansambël më të madh. Shfaqja është realizuar edhe me mundësitë që u ka dhënë skena”, ka thënë Beqiraj për KOHËN.

Repriza e parë e shfaqjes “Romeo dhe Zhulieta” është anuluar për të premten pasi që kjo ditë është shpallur ditë zie në nderim të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën në moshën 84-vjeçare. Repriza e kësaj shfaqje pritet të jepet përgjatë muajit prill.