Kulturë

Muzeu i Kalasë së Prizrenit – një rrugëtim nëpër tetë mijë vjet

Descriptive Text

I ka hapur dyert rreth dy vjet e gjysmë më parë dhe shpejt është bërë atraksion, pasi kanë ekzistuar parakushtet për këtë – lokacioni në Kalanë e Prizrenit. Muzeu u bën strehë mbi një mijë artefakteve. “Muzeu i Kalasë së Prizrenit prezanton kulturën materiale edhe të Kalasë, edhe të zonës përreth, duke kapur një gamë kohore që nga viti 6500 para erës sonë deri në luftërat ballkanike”, thotë arkeologu Shafi Gashi

Dyert e Muzeut në Kalanë e Prizrenit janë të mbyllura kur moti nuk është i mirë, dhe numri i vizitorëve në këtë monument arkeologjik mund të llogaritet me një dorë. Por tjetër atmosferë nis të mbretërojë sapo vjen pranvera, pasi aty ka çfarë të përjetohet në prezantimin e vlerave të trashëgimisë arkeologjike të kësaj ane, që përfaqësojnë historinë gjatë periudhave të ndryshme kohore.

Vrojtimi i këtyre artefakteve vizitorin sikur e çon në një udhëtim nëpër kohë, teksa kalon nga njëra vitrinë në tjetrën, për t’u njohur më afër me jetesën e veprimtarinë e popullsisë vendore dhe jo vetëm.

Ky muze është hapur në gusht të vitit 2019. Por vetëm pas disa muajsh i ka mbyllur dyert për shkak të pandemisë. Pavarësisht vështirësive të shumta, përfshirë edhe mungesën e burimeve njerëzore, gjatë këtyre dy vjetëve e gjysmë të ekzistencës, megjithatë ka arritur që të tërheqë numër të madh të vizitorëve, ashtu sikurse vetë Kalaja që është një magnet tërheqës për pjesën dërrmuese të turistëve të Prizrenit.

Top-atraksion i turizmit kulturor

“Muzeu i Kalasë së Prizrenit prezanton kulturën materiale edhe të Kalasë, edhe të zonës përreth, duke kapur një gamë kohore që nga viti 6500 para erës sonë deri në luftërat ballkanike. Ne vetëm në dy muajt e dimrit për shkak të klimës e mbyllim. Përndryshe, Muzeu ka ekstrem shumë vizitorë, është njëri prej më të vizituarve, me përjashtim në ditë të caktuara kur ia kalon vetëm Kompleksi i Jasharëve në Prekaz. Përndryshe, kemi vizitorë shumë, qoftë në pranverën e hershme, ose në vjeshtë, nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, si dhe nga vendet e tjera të rajonit”, ka thënë Shafi Gashi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës. Sipas tij, muzeu në fjalë menjëherë pas hapjes, respektivisht në periudhën para pandemisë, ka pasur vizitorë edhe nga Koreja, Japonia, nga vendet e Bashkimit Evropian e të tjera.

“Mirëpo pandemia e bëri të veten dhe në kuadër të masave anti-COVID herë pas here nga autoritetet u ndalua edhe funksionimi i muzeve”, ka deklaruar arkeologu Gashi.

Ai ka pohuar se interesimi i turistëve gjatë verës është i madh për tërë kompleksin e Kalasë.

“Kalaja gjatë verës është top-atraksion i turizmit kulturor, qoftë Muzeu, qoftë vetë monumenti si sit, qoftë edhe vetë pozita gjeografike që e bën shumë joshës për shumë vizitorë, për të shijuar gjithë natyrën përreth që e ka ky monument arkeologjik”, është shprehur Gashi.

Image
Muzeu në Kalanë e Prizrenit u hap në gusht të vitit 2019. Por vetëm pas disa muajsh i ka mbyllur dyert për shkak të pandemisë. Pavarësisht vështirësive të shumta, përfshirë edhe mungesën e burimeve njerëzore, gjatë këtyre dy vjetëve e gjysmë të ekzistencës, megjithatë ka arritur që të tërheqë numër të madh të vizitorëve

 

Me “referencë” ka ardhur në Kalanë e Prizrenit e në Muze një grup nga Shqipëria.

“Miqtë tanë nga Tirana, që e kanë vizituar më parë Kalanë e Prizrenit, na kanë sugjeruar që edhe ne ta bëjmë këtë, për ta shijuar si tërësi trashëgiminë e Prizrenit. Pas këtij përjetimi sigurisht se do të kthehemi sërish në muajin qershor për të qëndruar më gjatë në këtë vend madhështor”, ka thënë Klea Hoxha.

Shenja më e hershme e Kalasë – 3500 vjet para erës sonë

Arkeologu Gashi thekson se Muzeu në veçanti dhe Kalaja në përgjithësi kanë se çfarë t’u ofrojnë dashamirëve të trashëgimisë kulturore.

“Në kontekstin shkencor Kalaja e Prizrenit ka një histori shumë të gjatë, duke filluar me dy gjetjet e fundit që kemi, gama e vjetërsisë së Kalasë shkon deri në periudhën e Bakrit që në Kosovë e datojmë 3500 vjet para erës sonë, që i bie që gjurma më e hershme në Kala që është gjetur janë ato pak artefakte, pastaj gjatë periudhës së Bronzit ka vazhduar jeta në Kala deri në luftërat ballkanike, kur përfundimisht në vitin 1913, nga fotografitë e fundit që i kemi, përfundon jeta në Kala, dhe askush më nuk përkujdeset për Kalanë deri pas Luftës së Dytë Botërore, kur fillojnë ndërhyrjet e vogla deri në vitet ‘70”, ka treguar ai.

Image

Vend të posaçëm zënë artefaktet që nga neoliti i hershëm që vijnë kryesisht nga vendbanimi parahistorik i Vlashnjës dhe deri në luftërat ballkanike


Gashi ka përkujtuar se Muzeu në Kalanë e Prizrenit është hapur në vitin 2019 dhe ka mbi 1 mijë artefakte.

“Aty janë të prezantuara artefaktet që nga neoliti i hershëm që vijnë kryesisht nga vendbanimi parahistorik i Vlashnjës dhe deri në luftërat ballkanike. Mund të themi se ka mbi 1000 artefakte të ekspozuara, duke mos i kalkuluar plumbat e luftërave ballkanike ose predhat që janë me shumicë, që i llogarisim si një artefakt, sepse disa sosh janë të ekspozuara më shumë për efekte vizuale. Por vërtet kultura materiale e Muzeut të Kalasë është kultura materiale që kap një gamë të gjerë kohore, por që edhe për nga rëndësia e artefakteve asnjë periudhë kohore nuk është e papërfaqësuar, dhe qofshin në vendbanime, qofshin nekropolet janë të ekspozuara në vitrinat e Muzeut”, ka thënë ai.

Ai vlerëson se ekspozita në këtë muze është e nivelit të lartë.

Image

Asnjë periudhë kohore nuk është e papërfaqësuar


“Për nga niveli i organizimit lirisht mund të themi se është njëra prej ekspozitave më të mira, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, sepse edhe kultura materiale, edhe komponentët që i ka qoftë në pasaportat e objekteve, qoftë në ndriçim, qoftë në organizimin e ekspozitës janë të nivelit bashkëkohor”, ka thënë ai.

Gashi konsideron se pikërisht ky organizim i ekspozitës ka bërë që vizitorët të ndahen të kënaqur me përvojën brenda mureve të Kalasë.

“Gjithë ata që e kanë vizituar Muzeun janë ndarë të kënaqur, sepse edhe komponenti i prezantimit të kulturës materiale, edhe komponenti i narracionit të ndërtuar për çdo objekt, për çdo periudhë kohore, sikurse edhe videodokumentari, edhe katalogu, e bëjnë të plotë prezantimin e kulturës materiale të kësaj ane. Nuk duhet harruar se është bërë punë shumëvjeçare për të ardhur deri në këtë pikë”, ka thënë ai.

Puna në trajtimin e materialit arkeologjik, ku përfshihen pastrimi, restaurimi, e përshkrimi për prezantimin adekuat para publikut vazhdon ende në sallën ngjitur me Muzeun, si pjesë e përpjekjeve për pasurimin e vazhdueshëm të ekspozitës në Kalanë e Prizrenit.

Image

Puna në trajtimin e materialit arkeologjik, ku përfshihen pastrimi, restaurimi, e përshkrimi për prezantimin adekuat para publikut vazhdon ende në sallën ngjitur me Muzeun, si pjesë e përpjekjeve për pasurimin e vazhdueshëm të ekspozitës në Kalanë e Prizrenit


Muzeu në Kalanë e Prizrenit në vitin 2019 ishte hapur nga ministri i atëhershëm i Kulturës, Kujtim Gashi, i cili kishte theksuar se artefaktet e paraqitura në ekspozitë janë dëshmi të emancipimit kulturor e shoqëror të qytetërimit në Kosovë.

“Ky monument, falë përkushtimit të MKRS-së, si dhe Fondit të ambasadorit amerikan, ka marrë një pamje tjetër, krejtësisht solemne, është dhe mbetet arkivi i Kosovës sidomos për epokën, historinë e periudhës mesjetare. Po ashtu, Kalaja e Prizrenit është plotësuar edhe me një komponent shumë të rëndësishëm, pra Muzeun e Kalasë”, kishte thënë ai, duke shtuar se ekspozita në të përmban thesarin e trashëgimisë kulturore, ku paraqiten artefaktet e zbuluara kryesisht nga zona e Prizrenit dhe në Kalanë e Prizrenit.

“Në Kala janë zbuluar struktura të shumta arkitekturore, objekte të ndryshme, qoftë enë, armë, stoli, monedha të shumë epokave”, qe shprehur ai, për të sqaruar më tej se funksioni i këtij muzeu është shumëdimensional, ku krahas ekspozitës së përhershme, në këto ambiente do të mund të organizohen edhe aktivitete të ndryshme kulturore.