Kulturë

Veprat nga Austria për Kosovën – përgjigje “rithemelimit” të historisë

Descriptive Text

Janë raporte ditore konsujsh austro-hungarezë për Vilajetin e Kosovës prej vitit 1870 deri më 1914, që zbardhin detaje për çka kishte ndodhur në hapësirën që ata mbulonin. Janë përmbledhur nga Oliver Schmitt dhe Eva Anne Frantz, e bashkë me serinë prej 5 vëllimesh të martën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, është përuruar edhe “Ballkani në shekullin XX – Një histori post-perandorake”, e Schmittit

Janë gati katër dekada të përshkruara nga konsujt e Perandorisë Austro-hungareze. Telegramet nuk prekin vetëm çështjet politike, por ofrojnë të dhëna ekonomike, sociale e kulturore. Krejt bashkë ofrojnë një pasqyrë në detaje të Kosovës, prej vitit 1870 deri më 1914. Pesë vëllimet që rrumbullakojnë materialet arkivore të Akademisë Austriake të Shkencave sa i përket Kosovës, janë përuruar të martën në Prishtinë.

Seria në gjermanisht “Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherr­schten Koso­vo 1870-1914. Berichte der Österreich-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan” (Politikë dhe shoqëri në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Njoftime të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani Qendror) e përgatitur nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz, bashkë me veprën e akademikut Schmitt, “Ballkani në shekullin XX – Një histori post-perandorake” kanë sjellë në Kosovë, historianin e njohur zviceran.

Në një ceremoni të veçantë, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, veprat e promovuara janë vlerësuar si kontribut tejet i rëndësishëm për historinë e shtetit më të ri në Evropë.

742 raporte si një mozaik për Vilajetin e Kosovës

Për pesë vëllimet, akademik Rexhep Ismajli ka thënë se përbëjnë material që ofron ndihmesa konkrete për historinë e Kosovës. Derisa ka folur për materialin e përmbledhur arkivor, ka treguar se vëllimet sjellin raportet e konsujve austro-hungarezë në Vi­lajetin e Kosovës, konkretisht nga Prizreni, Shkupi, Mitrovica, por ndonjëherë edhe nga Ma­nastiri, Shko­dra, Selaniku, Beogradi, Vjena a Stambolli.

“Pra kemi një përkufizim të parë territorial: Vilajeti i Kosovës nga viti 1918 e deri në fund të perandorisë Osmane, përfshirë dhe dy vjetët e tur­bullt ballkanikë nën sundimin serb pastaj”, ka thënë akademik Ismajli. Sipas tij, në këto vështrime raportimesh të gjera janë përfshirë interesa dhe raporte politike, ekonomike e të tjera, që popullin shqiptar shumicë të kësaj hapësire e ndërlidhin me të tjerët si serbët, bullgarët, myslimanët sllavë, mala­ziasit dhe organizimet përkatëse brenda vendit në raport me administratën osmane.

“Botimi që kemi përpara më duket një përgjigje e mirë ndaj të gjitha përdorimeve të doku­mentit dhe të tendencave për të ‘rithemeluar’ historinë pas përmbysjeve ideologjike që kanë ndodhur ndërkohë: kemi këtu në 4 libra të gjitha raportet e konsujve austro-hungarezë për Kosovën nga Vi­lajeti i Kosovës”, ka thënë ai. Sipas akademik Ismajlit, raportet e konsujve janë dhënë në origjinalin e tyre, shumica gjermanisht, por ka dhe frëngjisht e italisht. Ka sqaruar se një pjesë e raporteve janë njoftime ditore të konsujve për çka kishte ndodhur në hapësirën që ata mbulonin, por shumë shpesh ka ndër to dhe analiza të thelluara të situatës, të raporteve midis vepruesve të ndryshëm shoqërorë dhe parashikime se nga mund të lëvizin gjërat. Ka sqaruar se duke kërkuar në këtë arkiv për as­pektet kulturore si Komisia Letra­re e Shkodrës, ka ndeshur një letër të panënshkruar nga një ushtarak aus­triak që i drejtohej eprorit në Vjenë me vrojtimin se në strukturat komanduese në terren kishte shu­më zyrtarë që shqiptarëve u drejtohe­shin në gjuhët sllave të jugut.

“Shpjegimi që kishte marrë – ata e kuptojnë, nuk i kishte mjaftuar atij dhe shtronte pyetjen: ku shpie kjo? Për të evituar paqartësitë e këtij lloji, har­tuesit e këtyre përmble­dh­jeve kanë zgjedhur t'i japin lexuesit shënime të shkurta biografike për secilin ra­portues dhe për marrësit e tyre. Me shënime të këtij lloji është mbushur vëllimi V i botimit”, ka thënë Ismajli. Ka treguar se në këto vëllime janë përfshirë 742 raporte që prihen nga një parathënie e gjatë e Oliver Jens Schmitt, ku jepen shpjegime për hapësirën, për Vilajetin, për raportet midis aktorëve të ndryshëm popullativë e shtetërorë, të fuqive të mëdha, të lë­vizjeve popullore e të konflikteve.

Image
“Ne jemi shumë të hapur. Është një kritikë që mund ta bëj në adresë të Bashkimit Evropian se këto marrëdhënie vuajnë nga regjimi i vizave që është tani një realitet. Është një pengesë e madhe për marrëdhëniet tona. Kosova është i vetmi vend në rajon që vuan nga mungesa e vullnetit politik për heqje të vizave”, ka thënë Oliver Schmitt të martën në ASHAK (Foto: Driton Paçarada)

“Ballkani i shekullit XX…” prej perandorive te shtetet

Akademiku Jusuf Bajraktari i ka bërë një paraqitje veprës së anëtarit të Akademisë Austriake të Shkencave, Oliver Jens Schmitt, “Ballkani në shekullin XX – Një histori postperandorake”. Por në raport me prezantimin e 5 vëllimeve, Bajraktari ka qenë tejet më i zbehtë në paraqitjen që ka bërë.

Ai ka thënë se problemeve të shekullit të kaluar në Ballkan, autori ka arritur t’u japë përgjigje të qëndrueshme në pyetjet se edhe pas 100 vjetësh nga shpërbërja e tri perandorive dhe zëvendësimit të tyre me shtete nacionale, nuk kishte arritur të krijohet një zhvillim më harmonik, më i qetë e më i qëndrueshëm nga të gjitha aspektet e mundshme. Ka treguar se vepra ndahet në 6 kapituj.

“Botimi fillon me hyrjen ku autori trajton historinë e shthurjes post-imperiale të Ballkanit dhe merret me problemin e trajtimit të fenomeneve dhe ngjarjeve socio-politike dhe pasojat e luftërave nga aspekti shkencor”, ka thënë ai. Ka sqaruar se në pjesën e dytë trajtohet dekada e parë e luftës 1912-1923 në të cilën bëhet fjalë për tri Lufta Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore si synim për të përmbysur rendin e vjetër.

“Ndërsa në pjesën e tretë autori analizon Ballkanin midis dy luftërave botërore. Këtu bëhet fjalë për shembjen e perandorive dhe formimin e rendit të ri të shteteve. Përfundon me shoqëritë postimperiale të masave”, ka thënë ai. Akademik Bajraktari ka sqaruar se kapitulli i katërt mban titullin “Dekada e dytë e luftës 1939-1949” dhe fillon me trajtimin e Luftës së Dytë, rendin politik të Ballkanit, regjimet pushtuese dhe rezistencën në krahasim.

“Në kapitullin e 5-të trajton historinë e vendeve të Ballkanit nga fundi i Luftës së Dytë e deri te shembja e sistemit komunist në Ballkan dhe shpërbërjen e Jugosllavisë...”, ka thënë ai, duke bërë të ditur se vepra përmbyllet me një përfundim të thuket dhe shtojcën ku është literatura e përdorur dhe paraqitet pasqyra e hartave të përdorura.

Schmitt: Marrëveshjet, zyrtare – për jetë akademike duhen njerëz

Vetë akademiku Oliver Schmitt që është autor edhe i veprave “Arbëria Venetike”, “Kosova”, “Skën­derbeu”, “Shqiptarët” e të tjera, ka thënë se ka udhëtar drejt Kosovës edhe për të promovuar e rigjallëruar bashkëpunimin shkencor austro-kosovar edhe për të bërë publicitet për disa programe që i kanë si ofertë sidomos për gjeneratën e re të studiuesve e hulumtuesve kosovarë.

“Shpresojmë shumë se mund të intensifikohet bashkëpunimi”, ka thënë profesori i Universitetit të Vjenës. Sipas tij, marrëveshjet janë diçka zyrtare por për jetë akademike duhen njerëz. Disa herë ka thënë se janë shumë të hapur për bashkëpunime.

“Ne jemi shumë të hapur. Është një kritikë që mund ta bëj në adresë të Bashkimit Evropian se këto marrëdhënie vuajnë nga regjimi i vizave që është tani një realitet. Është një pengesë e madhe për marrëdhëniet tona. Kosova është i vetmi vend në rajon që vuan nga mungesa e vullnetit politik për heqje të vizave”, ka thënë ai.

Për vëllimet me material arkivor, ka thënë se akademik Ismajli i ka analizuar shumë mirë kufijtë dhe mundësitë e raporteve austro-hungareze për Ballkanin. Ka treguar se në mesin e raporteve ka një elemente të veçantë që është interesi i diplomatëve jo vetëm për marrëdhëniet zyrtare, por edhe për politikën lokale.

“Për historianët që merren me historinë e Gjakovës, Prizrenit e Mitrovicës së asaj kohe, raportet duhet të lexohen e interpretohen me kujdes. Ofrojnë të dhëna interesante që nuk gjendet në burime të ndryshme”, ka thënë ai. Ka sqaruar se këta janë libra akademikë dhe të tillët zakonisht janë shumë shtrenjtë. Por çdo student mund t’i lexojë falas online.

“Kjo për ne është një politikë e re, pasi kemi interesin se materiali duhet të shfrytëzohet e përdoret, sidomos nga studentët kur e dimë që buxheti i studentëve është i kufizuar”, ka thënë Schmitt. Krejt në fund ka përsëritur se shpreson fort që ceremonia e së martës të jetë një hap i një procesi afatgjatë të bashkëpunimit ku do të përfshihen edhe shumë shkencëtarë të rinj.