Kulturë

Monumentet e Prizrenit midis ndërhyrjeve emergjente dhe degradimit

Descriptive Text

Jo pak shpenzohet në ndërhyrje emergjente dhe rezultati i një qasjeje të tillë, në të shumtën e rasteve ka qenë shpëtimi i monumenteve nga shkatërrimi i tërësishëm. Aktualisht janë iniciuar afro 20 projekte për ndërhyrje të tilla dhe aso restauruese e konservuese. “Ne jemi në dijeni që veçanërisht në Qendrën Historike në raste të caktuara edhe me vetëdëshirë të pronarëve, poseduesve e shfrytëzuesve kujdesi ndaj disa prej ndërtesave, kryesisht shtëpive të banimit individual, ka munguar, ndoshta edhe qëllimshëm”, ka thënë Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren. Një çështje që shtrohet është nëse ka ndonjë afat se kur institucionet do të mund të dalin prej “ndërhyrjeve emergjente”

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka iniciuar afro 20 projekte në asetet e trashëgimisë kulturore, si në komponentin e ndërhyrjeve emergjente – masave preventive ashtu edhe në atë të restaurimit dhe konservimit. Drejtuesit e kësaj qendre kanë bërë të ditur se ndërhyrjet emergjente janë të orientuara te ndërtesat me gjendje jo të mirë statike, ashtu që të eliminohet kolapsimi i tyre, si dhe të krijohen kushtet për realizimin e projekteve restauruese e konservuese.

“Në zbatim të programit të MKRS-së për ndërhyrje emergjente – masat preventive, QRTK në Prizren ka hartuar një numër të konsiderueshëm të projekteve, duke i marrë për bazë raportet paraprake të rivlerësimit, të cilat bëhen përvitshëm për të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore në rajonin e Prizrenit, por me theks të veçantë në Qendrën Historike të Prizrenit. Bazuar në këto raporte janë hartuar projektet ideore dhe paramasat e parallogaritë për ndërhyrje në disa prej ndërtesave përkatësisht aseteve, të cilat nga ana e bashkëpunëtorëve profesionalë janë konsideruar në gjendje jo të mirë statike”, ka thënë drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha.

Kujdesi i munguar edhe i qëllimshëm

Sipas tij, programi i ndërhyrjeve emergjente – masa preventive parasheh ndërmarrjen e veprimeve që kanë të bëjnë me stabilizimin e gjendjes së ndërtesave, të cilat kanë degraduar apo kolapsuar si rezultat i moskujdesit permanent nga ana e pronarëve, poseduesve apo shfrytëzuesve.

“Ne jemi në dijeni që veçanërisht në Qendrën Historike në raste të caktuara edhe me vetëdëshirë të pronarëve, poseduesve e shfrytëzuesve kujdesi ndaj disa prej ndërtesave, kryesisht shtëpive të banimit individual, ka munguar, ndoshta edhe qëllimshëm, dhe si rezultat i moskujdesit të vazhdueshëm ka rezultuar me degradimin gradual të këtyre ndërtesave e në raste të caktuara deri te kolapsimi total i tyre. Në bazë të një vlerësimi të gjendjes që është bërë nga ana e punonjësve tanë, por edhe marrjen e ekspertizave edhe nga jashtë, është konsideruar që duhet me urgjencë të ndërhyhet në këto ndërtesa. Kjo nënkupton vendosjen e shtyllave, mbajtëseve për të penguar më tej degradimin e tyre me qëllim që t’u lejohet pastaj arkitektëve, projektuesve që të futen lirshëm pa u rrezikuar në këto ndërtesa për ta hartuar projektin detal zbatues për restaurim dhe konservim, apo për të nxjerrë konkluza se a mund të shpëtohet ajo ndërtesë apo jo”, ka deklaruar Hoxha.

Ai ka shtuar se jo të gjitha ndërtesat janë në këtë gjendje, porse disa sosh janë me të vërtetë në gjendje tejet të rëndë dhe kësisoj paraqesin rrezik për banorët që jetojnë përreth tyre dhe për kalimtarët e rastit.

“Prandaj, kjo përbën një prej prioriteteve tona më të larta. MKRS-ja vjet dhe sivjet ka rritur buxhetin për këtë kategori të ndërtesave, ka pasur një përkushtim të veçantë për krijimin e databazës se cilat janë ato ndërtesa në gjendje jo të mirë fizike apo statike. Në rajonin e Prizrenit janë identifikuar 37 ndërtesa të këtilla, prej të cilave kemi përzgjedhur disa ndërtesa më me emergjencë, në përputhje me mundësitë buxhetore”, ka sqaruar Hoxha. Sipas tij, përpjekja është brenda dy a tre vjetëve të ardhshëm të eliminohet komponenti i ndërhyrjeve emergjente dhe angazhimi të vijojë me restaurim dhe konservim.

Udhëheqësi i QRTK-së ka pohuar se ndërhyrje të tilla parashihen në ndërtesat në rrugën “Marin Barleti”, pastaj në ndërtesën e Hanit Nallbanit dhe të familjes Kovaçi, familjes Zajmi, në kullën Prenkpalaj në fshatin Zym, në xhaminë e Leshanit të Suharekës, në ndërtesën e konsullatës austro-hungareze, derisa është lidhur kontrata për restaurimin e disa mullinjve në territorin e Komunës së Malishevës, krahas me projektet e planifikuara për asetet në Komunën e Rahovecit dhe të Dragashit.

Ndërsa projektet në kuadër të programit për ndërhyrje emergjente, për të cilat së shpejti pritet të lidhet kontrata, sipas Hoxhës janë ato në Qendrën Historike, si te familjet Sokoli, Bardhi, Kabashi dhe Dorambari, e po ashtu edhe te familja Lokvica, ndërkohë që gjatë këtij viti është paraparë të lidhet kontrata edhe për restaurimin e konservimin e hamamit të Gazi Mehmed Pashës.

Synimet për përmbylljen e 15 projekteve brenda këtij viti

Image

Një tjetër aset që ka nevojë për ndërhyrje emergjente është Xhamia e Gazi Mehmet Pashës në Leshan të Suharekës, e cila sipas dokumenteve arkivore ndërtua në shekullin XVI


“Janë rreth 20 projekte, prej të cilave disa po realizohen aktualisht dhe disa janë në prag të fillimit të punimeve, meqë po pritet përmirësimi i kushteve atmosferike. Duhet cekur edhe punimet që kanë filluar vitin e shkuar në kinemanë e parë të qytetit, jemi në fazë të avancuar të punëve restauruese konservuese dhe presim që gjatë këtij viti edhe ai projekt të mbyllet. Janë diku 15 projekte që synojmë t’i përmbyllim deri nga shtatori i këtij viti, në dy segmente në komponentin e ndërhyrjeve emergjente – masat preventive dhe në restaurim dhe konservim të disa prej aseteve të trashëgimisë kulturore”, është shprehur Hoxha.

Ai ka theksuar se qëllimi përfundimtar i jetësimit të këtyre projekteve është ruajtja e këtyre aseteve me qëllim që të mundësohet bartja e këtyre vlerave edhe te gjeneratat e ardhshme.

Në anën tjetër, aktivistët e shoqërisë civile konsiderojnë se ndërhyrjet emergjente e masat preventive janë të rëndësishme, marrë parasysh gjendjen aktuale të një numri të ndërtesave të trashëgimisë kulturore. Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, Valon Xhabali, pohon se ndërhyrjet e tilla janë të domosdoshme.

“Si proces është fazë e parë, që duhet të bëhet dhe realizohet sipas prioritetit. Mendoj që nuk ka mënyra të tjera pos ndërhyrjeve emergjente në këtë kohë që jemi dhe duke marrë parasysh faktin se në çfarë gjendjeje janë një numër i monumenteve të trashëgimisë kulturore, që rrezikojnë të shkatërrohen në tërësi”, ka thënë Xhabali.

Ai ka theksuar se vendimmarrësit në të shkuarën këtë çështje më shumë e kanë parë si barrë, sesa potencial të zhvillimit, prandaj dhe është koha e fundit që të ndryshojë kjo qasje, me veprime konkrete në fushën e trashëgimisë kulturore.

“Duke e pasur parasysh faktin që në të shkuarën trashëgimia kulturore nuk ka qenë prioritet i qeverive dhe më shumë e kanë parë si barrë respektivisht obligim financiar, sesa si mundësi e potencial për zhvillim, mendojmë që është koha e fundit për të vepruar, për të ndarë buxhet për intervenime, me prioritet duke filluar prej objekteve më të rrezikuara nga shkatërrimi”, është shprehur Xhabali.

Tre shembuj: objektet që presin të shpëtohen

Image

Ndërhyrjet restauruese po realizohen në Kinemanë e parë të qytetit të Prizrenit, ku pas një kohe shumë të gjatë dhe gjendjes së rënduar synohet që t’i rikthehen vlerat dhe shkëlqimi i dikurshëm


Njëra prej ndërtesave ku parashihet ndërhyrja emergjente është Kulla e gurit e familjes Prenkpalaj, që gjendet në fshatin Zym të Prizrenit. Sipas raportit të QRTK-së, në afërsi të saj gjenden kisha e fshatit, shtëpia e Katarina Josipit, si dhe varrezat e fshatit, ku gjendet shtatorja e Nënës Terezë. Është ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer gjatë tërë kohës për banim dhe për ruajtjen e bagëtisë, derisa pozita e saj dominuese mbi fshat e bën pjesë përbërëse të peizazhit të këtij vendbanimi. Në aspektin e atributeve arkitektonike, sipas QRTK-së, paraqet një shembull të zgjidhjes arkitektonike, ku funksioni i banimit është kombinuar me funksionin ekonomik në rrethanat shoqërore, ku bujqësia dhe blegtoria kanë qenë burimet kryesore të jetesës, dhe se veçohet për nga teknika e ndërtimit të muratimit të thatë (pa llaç) të mureve mbajtëse, teknika tradicionale e muratimit me thupra të mureve ndarëse në etazhe; punime të drugdhendjes të jastëkëve (kapiteleve) të shtyllave të çardakut, rafteve, dyerve, dritareve, parmakëve prej druri të dritareve, etj. Kjo kullë paraqet ndër shembujt e paktë të këtij tipi të kullave të gurit me çardak druri që kanë mbijetuar në Kosovë. Si e tillë, kulla ngërthen në vete vlera të rëndësishme arkitektonike, shoqërore, ambientale dhe ekonomike. Raporti i QRTK-së konstaton se si rezultat i vjetërsisë së ndërtesës, mungesës së ndërhyrjeve konservuese dhe braktisjes, kulla është në gjendje shumë të keqe fizike dhe rrezikohet nga dëmtimet e mëtutjeshme, që mund të rezultonin edhe me rrënim.

Një tjetër aset që ka nevojë për ndërhyrje emergjente është Xhamia e Gazi Mehmet Pashës në Leshan të Suharekës, që bazuar në dokumentet arkivore u themelua në shekullin XVI nga Gazi Mehmet Pasha, bamirësi, i cili ndërtoi monumente të rëndësishme si xhaminë dhe hamamin në Prizren e të tjera. Raporti i QRTK-së pohon se sipas fshatarëve, muret e sotme të xhamisë janë rindërtuar më 1937, ku gjatë rindërtimit të mureve janë bërë edhe përforcime në themele, kurse si pasojë e natyrës katastrofike pjesa e sipërme e minares është shkatërruar dhe më pas meremetuar më 1993 nga vetë fshatarët.

Xhamia e Gazi Mehmet Pashës në Leshan, sipas QRTK-së, posedon vlera historike, si rezultat i ndërtimit të saj në shekullin XVI nga bamirësi Gazi Mehmet Pasha, derisa ka edhe vlera shoqërore meqë i ka shërbyer komunitetit të besimit islam në fshat. Raporti i QRTK-së konstaton se xhamia e Gazi Mehmet Pashës në Leshan, në mungesë të intervenimeve restauruese dhe konservuese është në gjendje mjaft të rëndë dhe në cenim të degradimit, prandaj dhe nevojitet urgjentisht të trajtohet me masa preventive.

Ndërsa ndërhyrjet restauruese po realizohen në Kinemanë e parë të qytetit të Prizrenit, ku pas një kohe shumë të gjatë dhe gjendjes së rënduar synohet që t’i rikthehen vlerat dhe shkëlqimi i dikurshëm.

Punimet në këtë projekt, sipas raportit të QRTK-së, kanë filluar më 21 tetor 2021, duke bërë fillimisht përforcime shtesë të strukturës së objektit pasi dëmtimet ishin rritur mjaft shumë nga viti 2016 kur janë bërë disa intervenime urgjente nga MKRS-ja në parandalimin e shkatërrimit total të ndërtesës.

Hartimi i projektit ishte bërë gjatë viteve 2016 dhe 2017, ndërsa për shkaqe të ndryshme dhe mungesë të buxhetit punimet e restaurimit nuk kanë filluar deri në vitin 2021, dhe kjo ka bërë që gjendja fizike e ndërtesës të përkeqësohet edhe më tepër, duke pasur parasysh që objekti është i pabanuar dhe pa përkujdesje një kohë të gjatë.

Ndërtesa e kinemasë së vjetër, sipas QRTK-së, përmban vlera historike, kulturore, arkitektonike dhe estetike, dhe si e tillë është pjesë e listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, meqë me sa dihet ndërtesa e kinemasë është objekti i parë në Prizren në ambientet dhe oborrin e të cilit janë projektuar filma edhe pse jo në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme. Ndërtesa e kinemasë duke qenë në shfrytëzim për aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive ka ndikuar në ngritjen e nivelit kulturor dhe rekreativ të qytetarëve të Prizrenit, duke u mundësuar edhe personave me aftësi të kufizuara (shurdhër-memecëve) të zhvillojnë aktivitete sportive si ping-pong, shah e të tjera. Përveç kësaj, ndërtesa ka vlerë arkitektonike - estetike, sidomos në fasadën jugore e cila është punuar në stilin neoklasik - secesioni me disa elemente - detaje të veçanta dekorative që dallojnë nga ndërtesat e tjera të kësaj periudhe. Kjo ndërtesë ka shërbyer për qëllime të ndryshme gjatë kohës, pasi nuk dihet saktë për çfarë qëllimi fillimisht është ndërtuar, por dihet se në kohën e luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore ndërtesa është shfrytëzuar si hotel. Duket se shfrytëzimi i kësaj godine si kinema ka zgjatur deri në vitet ‘50 të shekullit XX, kur ndërtohet kinemaja e parë e mirëfilltë “Lumëbardhi” në bërthamën e vjetër të qytetit.