Kulturë

“Looking In/Looking Out” me gratë nëpër gjenerata të ndryshme

Chuck Blue Lowry tenton të reflektojë mbi përditshmërinë e grave të ndryshme – pa dallim moshe e prejardhjeje. “Decorum” titullohet videoja artistike e saj që është prezantuar të martën mbrëma në galerinë “Paper” në kryeqytet. Ky prezantim artistik ka ardhur pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ekspozita “Looking In/Looking Out” përfshin dy video artistike prej saj, fillimisht kishte zënë vend “Tate Modern”

“Çfarë do të thotë të jesh grua?”, është pyetja që e kishte preokupuar për shumë kohë artisten britanike, Chuck Blue Lowry. Prej saj variuan shumë pyetje me të cilat artistja britanike u ka dhënë formë dy projekteve. Synon një audiencë më të gjerë. Edhe në ekranin e vendosur në galerinë “Paper” në Prishtinë, ajo ka përcjellë pyetje që lidhen me identitetin e gruas, lidhur me mënyrën e sjelljes së tyre në ambiente të caktuara. Këtë e ka bërë nëpërmjet mimikave të shumë grave në video. Ato duhet t’u adaptohen sjelljeve të ndryshme në hapësirën e përbashkët.

Gratë në dukje ndryshme lëvizin brenda të njëjtin realitet – shfaqen e largohen nga ekrani për disa herë me radhë me veprime të ndryshme. Dilemat i kanë të njëjta. Zërat që i përcjellin në sfond ua mohojnë veprimet që i bëjnë. Ekrani i ndarë në tri pjesë shtjellon histori të ndryshme paralelisht. Aty përcillen edhe mesazhe. Gratë janë të vendosura në setin me ngjyra të ndryshme. Veprimet e tyre në tryezë, duke bërë grim, në ulëse e diku duke dëgjuar muzikë shpërfaqin nevojën e tyre për t’u ndjerë të lira aty ku janë. Loja e personazheve duket edhe më e gjallë, teksa fokusi ndërrohet vazhdimisht. Disa prej grave mbajnë shami. Kjo e bën të dukshëm një element të artistes për të inkuadruar gra të kulturave të ndryshme – të cilat duhet t’i përshtaten të njëjtit vend.

Chuck Blue Lowry tenton të reflektojë mbi përditshmërinë e grave të ndryshme – pa dallim moshe e prejardhjeje. “Decorum” titullohet videoja artistike e saj që është prezantuar të martën mbrëma në galerinë “Paper” në kryeqytet. Ky prezantim artistik ka ardhur pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ekspozita “Looking In/Looking Out” përfshin dy video artistike të realizuara nga Chuck Blue Lowry. Ekspozita fillimisht kishte zënë vend “Tate Modern”, në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Londër dhe në Southbank Centre të Londrës. Videoja artistike “Decorum” nuk është e vetmja me të cilën ajo ka synuar të hedhë dritë mbi realitetin e gruas. Artistja britanike këtë e ka bërë fillimisht në videon artistike me titull “I’ll be your mirror”. Pyetjet e saj që hulumtojnë të qenët grua i ka shpalosur në këtë video. Biseda bëhet me gruan e parë që e ka takuar në jetë – nënën. Kjo bisedë goxha personale, e ka bindur artisten që të vazhdojë hulumtimin, kësaj radhe duke e zgjeruar rrethin e grave me të cilat punon.

“Doja ta hulumtoja këtë temë më në thelb dhe këtë e bëra me një grup më të madh grash nga mosha 8 deri në 100-vjeçare në Londër. Aty flasim për rregullat e pashprehura të grave në shekullin 21, për gjërat që na thuhet që nuk duhet t’i bëjmë”, ka shpjeguar ajo për KOHËN. Kjo video rreth 10 minuta është realizuar me organizatën humanitare në Londër “Magic Me” dhe artistet Sue Mayo, Pooja Sitpura, me muzikë realizuar nga Verity Standen. Pëshpërima që u kërkon grave të heshtin dëgjohet jo rrallë herë si refren në videon e realizuar. Aty përcillen edhe mesazhe fuqizuese e përqafime mes grave. Përmes kësaj artistja ka dashur të shprehë gratë të cilat e përqafojnë realitetin e njëra-tjetrës. Përmes kësaj Lowry ka dashur të përcjellë mesazhe universale për sfidat dhe arritjet e grave. Me dëshirën më të madhe e ka bërë edhe në Kosovë.

“Është e mrekullueshme të jem për Ditën Ndërkombëtare të Gruas këtu. Mendoj që kemi arritur shumë lidhur me te drejtat tona si gra, por ka edhe shumë për të bërë. Këta filma hulumtojmë jo vetëm sfidat, por edhe kënaqësinë që na sjell të qenët grua dhe ky është mesazhi ndërkombëtar që dua ta shpreh edhe këtu”, ka thënë tutje ajo.

Qasja e artistes nëpërmjet videos është vlerësuar edhe prej pjesëmarrësve që kanë qenë në ceremoninë hapëse të ekspozitës “Looking In/Looking Out”. Një mesazh i tillë nga artistja britanike është parë si një formë e mirë e reflektimit.

“Ishte e veçantë me pa një interpretim të lëvizjeve dhe të reagimeve ndër gjenerata prej një pikëpamjeje jashtë Kosovës”, ka shkruar Renea Begolli në librin e përshtypjeve për ekspozitën. Nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama shkëmbime të tilla me artistë të huaj janë shumë të rëndësishme për t’i përcjellë mesazhet nga një perspektivë tjetër.

Image

Chuck Blue Lowry: “Doja ta hulumtoja këtë temë më në thelb dhe këtë e bëra me një grup më të madh grash nga mosha 8 deri në 100-vjeçare në Londër. Aty flasim për rregullat e pashprehura të grave në shekullin 21, për gjërat që na thuhet që nuk duhet t’i bëjmë”


“Jemi me fat që e kemi këtu një artiste me renome botërore si Chuck Blue Lowry. Është mirë që ka ardhur më 8 mars. Temat që i trajton ajo në artin e saj janë shumë të interesante dhe e edhe që ndërlidhen me Ditën e Gruas”, ka thënë Rama për KOHËN.

Galeria “Paper” do ta ekspozojë punën artistike të artistes britanike për gati tre muaj. Pas shumë planifikimeve, data e hapjes së ekspozitës është caktuar si formë përkrahjeje për gratë.

Gazmend Ejupi, kuratori në këtë galeri, ka thënë se nëpërmjet punës së artistes britanike dhe artistëve të tjerë ndërkombëtarë me të cilët kanë bashkëpunuar, synojnë të përcjellin një qasje frymëzimi për artistët vendorë.

“Është e rëndësishme të ekspozohet punë e këtyre artistëve sepse i frymëzon artistet e rinj për një qasje të mediumeve që është e zbehtë si video-instalacione dhe performancë. Është tejet me rëndësi që këto praktika të realizohen sepse nuk kërkon edhe kosto të madhe. Mund të realizohen me një telefon”, është shprehur Ejupi për KOHËN.

Pjesa e dytë e ekspozitës me videon artistike “I’ll be your mirror” do të fillojë të shfaqet prej 28 prillit. Deri atëherë vizitorët e galerisë mund ta shikojnë videon artistike “Decorum”.

Chuck Blue Lowry është regjisore, moderatore dhe ligjëruese. Ajo është specializuar në artin si praktikë sociale. Lowry i kushton një fokus të veçantë shkëmbimit dhe tregimit ndërmjet brezave. Ajo është e interesuar të bëjë punë që bashkon zërat e atyre që shpesh janë të keqinterpretuar. Për këtë arsye, ajo ka punuar me një gamë të komuniteteve në mjedise të ndryshme, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar. Puna e Chuck është prezantuar në galeri dhe festivale duke përfshirë: Tate Modern, Instituti Britanik i Filmit, The Barbican, Festivali i Grave të Botës, Festivali i Filmit të Shkurtër në Londër, Qendra e Arteve Battersea, Galeria Whitechapel dhe Charcoal në Hong Kong.