Kulturë

Teleferiku për në Kalanë e Prizrenit ende larg, buxheti 3 milionë euro

Descriptive Text

Ka së paku pesë vjet që përmendet si projekt kapital, por teleferiku për në Kalanë e Prizrenit nuk gjendet as si projekt. Qeveria e re e këtij qyteti thotë se së shpejti do të nisin procedurat. Ndonëse në raportet e punës së ish-qeverisjes komunale të Prizrenit thuhet se është hartuar projekti për teleferikun, megjithatë nga kabineti i kryetarit, Shaqir Totaj, kanë theksuar se nuk është trashëguar asnjë projekt për të. Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2022, figuron se MMPHI për periudhën 2022-2024 ka planifikuar 3 milionë euro për projektin

Sigurimi i qasjes alternative për njërin prej lokaliteteve më të vizituara në Prizren përkatësisht në Kosovë është shqyrtuar gjatë viteve të shkuara, por pa ndonjë rezultat konkret në praktikë. Së fundmi edhe qeveria e re komunale e Prizrenit planifikon që ta realizojë projektin e ndërtimit të teleferikut për në Kalanë e Prizrenit.

Sipas zyrtarëve komunalë, së shpejti do të fillojnë procedurat për realizimin e këtij projekti kapital. Ndonëse në raportet e punës së ish-qeverisjes komunale të Prizrenit thuhet se është hartuar projekti për teleferikun, megjithatë nga kabineti i kryetarit, Shaqir Totaj, kanë theksuar se nuk është trashëguar asnjë projekt lidhur me teleferikun për në Kalanë e Prizrenit.

“Qeveria jonë lokale nuk ka trashëguar asnjë projekt për teleferikun për në Kalanë e Prizrenit nga qeverisja e kaluar e VV-së, sepse ky projekt është anuluar nga ta kur e kanë marrë pushtetin në vitin 2017”, ka thënë zyrtarja për marrëdhënie me publikun, Jona Hoxhaj.

Ndërkohë edhe autoritetet e trashëgimisë kulturore pohojnë se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për marrjen e pëlqimit për teleferikun për në Kalanë e Prizrenit, përjashtuar procesin e zhvilluar rreth pesë vjet më parë.

“Deri më tani nuk kemi pranuar asnjë shkresë zyrtare lidhur me projektin për teleferikun në Kala. Përtej kësaj nuk kemi informacion, as që është diskutuar nga dikush lidhur me këtë projekt. Ne nuk kemi pasur asnjë ftesë për të marrë pjesë në ndonjë takim lidhur me këtë projekt, rrjedhimisht nuk kemi as ndonjë informatë për këtë projekt”, ka deklaruar Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

As Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk është ftuar për konsulta eventuale.

“Në momentin e anulimit të projektit rreth katër vjet më parë kemi qenë në ngjarje, pastaj nuk na është kërkuar ndonjë raport shkencor ose justifikim se cila është mundësia për t’u bërë. Si IAK më nuk na është kërkuar ndonjë raport ose opinion për këtë çështje. Nuk e di as që është bërë ndonjë debat dhe sot e kësaj dite ne nuk kemi ndonjë informacion të saktë se si ka mbetur fati i projektit të teleferikut për në Kala", është shprehur Shafi Gashi nga IAK-ja. Ai ka shtuar se ka qenë ithtar i idesë që Kalaja e Prizrenit të ketë një qasje më të përshtatshme. “Edhe me ligj është obligim që t’u ofrohet qasje të gjitha grupmoshave, të gjithë personave me aftësi të kufizuara, shtatzënave e të tjera. Kjo nuk ka ndodhur deri tani dhe nuk i di arsyet, por është shqetësuese. Gjithsesi nëse realizohet ky projekt do ta kishte rritur ekstrem numrin e vizitorëve të Kalasë”, ka thënë Gashi, duke shtuar se kalatë në qendrat e tjera evropiane kanë bërë zgjidhje moderne për këtë çështje. Sipas tij, duhet të bëhet një zgjidhje sa më ideale, duke mos dëmtuar vizurat e Kalasë, duke qenë edhe sa më afër bërthamës së qytetit, ashtu që turisti pas vizitës në qendër të ngjitet edhe në Kala.

Në verën e vitit 2017 KOHA kishte raportuar se si autoritetet lokale e qendrore të trashëgimisë kulturore kishin refuzuar kërkesën, përkatësisht projektin ideor të Komunës së Prizrenit për ndërtimin e infrastrukturës për qasje në Kalanë e qytetit. Pavarësisht nga ky refuzim, organet komunale të Prizrenit patën iniciuar procedurat e prokurimit për këtë projekt, duke vlerësuar se autoritetet e trashëgimisë kulturore i kanë shkelur afatet ligjore për dhënien e përgjigjes në kërkesë.

Në mars të vitit 2018 kryetari i atëhershëm, Mytaher Haskuka, kishte marrë vendim për anulimin e projektit të teleferikut për në Kalanë e qytetit, me arsyetimin se projekti ideor ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, dhe se nuk janë marrë pëlqimet përkatëse nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe Këshilli i Trashëgimisë Kulturore, derisa një pëlqim i tillë nuk është kërkuar as nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.

Pas kësaj qeveria Haskuka në vitin vijues kishte raportuar se ka ndërmarrë hapa për hartimin e projektit për teleferikun në Kala. Në raportin e punës për periudhën janar-dhjetor 2019 të Komunës së Prizrenit, në të cilën kohë kjo komunë udhëhiqej nga kryetari Mytaher Haskuka, në kapitullin e projekteve me rëndësi, për teleferikun thuhej se “është hartuar projekti nga ana e kompanisë zvicerane Geode, sipas Ligjit për Qendrën Historike, Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe kritereve të tjera të domosdoshme”.

Ndërkaq në ueb-faqen e Komunës së Prizrenit mund të gjendet vendimi i datës 1 tetor 2020, me të cilin ish-kryetari Haskuka kishte miratuar propozimin për lejimin e realizimit të projektit për studimin e fizibilitetit për teleferikun. Aty gjithashtu figuron edhe një kontratë e nënshkruar në dhjetor të vitit 2020 për studimin e fizibilitetit për teleferikun, në vlerë mbi 14 mijë eurosh.

Lidhur me këtë çështje, në fillim të vitit 2021 pati reaguar OJQ “EC Ma Ndryshe”, duke theksuar se odiseja e projektit për teleferikun e Kalasë së Prizrenit është e mbështjellë me shumë paqartësi, ndërkohë që kishte akuzuar edhe pushtetin e atëhershëm për mostransparencë lidhur me këtë projekt të rëndësishëm. Kjo organizatë nga organet e atëhershme komunale pati kërkuar sqarime se: përse është hartuar fillimisht projekti ideor për Kalanë e Prizrenit dhe pastaj është kërkuar hartimi i studimit të fizibilitetit; pse Komuna e Prizrenit ka përdorur qasjen “e përmbysur” në projektin e planifikimit të teleferikut; nëse ka paguar mjete financiare për hartimin e projektit ideor e të tjera, dhe pati njoftuar se nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët përgjegjës.

Rishtazi në pyetjen nëse ekziston ndonjë studim i fizibilitetit lidhur me teleferikun për në Kalanë e Prizrenit, zyrtarja për marrëdhënie me publikun, Hoxhaj, i ka thënë KOHËS se “studimi i fizibilitetit është bërë nga qeverisja paraprake e PDK-së”.

Në të njëjtën kohë ka shtuar se Komuna e Prizrenit ka në plan që ta realizojë këtë projekt.

“Planet tona janë që të vazhdohet me projektin dhe të realizohet, së shpejti do të fillojmë procedurat”, ka thënë Hoxhaj.

Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2022 figuron se MMPHI për periudhën 2022-2024 ka planifikuar 3 milionë euro për projektin e teleferikut në Prizren.