Kulturë

Adem Gashi - laureat i çmimit “Azem Shkreli”, si pasurues i poezisë shqipe

Adem Gashi është laureati i sivjetmë i çmimit kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”. Juria ia dha çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” Mehmet Krajës. Xhevdet Bajraj mori çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja”. Çmimin për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” e mori Blerina Rogova – Gaxha. Ndërkaq çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” iu dha Col Mehmetit

Prishtinë, 28 shkurt – Si pasurues i poezisë shqipe, Adem Gashi është laureati i sivjetmë i çmimit kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, që bashkë me çmimet e tjera letrare u nda në kabinetin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit mesditën e së hënës.

Arsyetimi i jurisë në përbërje prej Agim Vincës, Majlinda Bregasit, Isak Shemës, Ag Apollonit dhe Ervina Halilit qëndroi në faktin e pasurimit të poezisë shqipe “me tema, ide, ndjenja, motive, mjete dhe forma shprehëse”.

Për autorin, i cili ia ka kushtuar 40 vjet të jetës krijimtarisë letrare, kryetari i jurisë, Agim Vinca, ka thënë se është një mjeshtër i rrallë i vargut.

“Në fillimet e tij krijuese u përball me censurën dhe ndalimin e botimit, por falë punës dhe talentit, si dhe përkrahjes së disa krijuesve me ndikim i kaloi pengesat dhe i hapi rrugë vetes”, ka thënë Vinca për autorin e 20 përmbledhjeve me poezi, tri vëllimeve me tregime, dy romaneve dokumentare dhe dy librave me shkrime eseistike.

Gashi ka qenë gazetar për disa vjet në Radiotelevizionin e Prishtinës, në revistën “Ora” e udhëheqës i programit për Kosovën në Radiotelevizionin Shqiptar. Ai ka qenë në këtë periudhë edhe nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, teksa më 2002 qe emëruar këshilltar i lartë politik në MKRS. Ai është përkthyer edhe në gjuhët rumune, serbokroate, gjermane e angleze.

“Edhe kur shkruan në varg të lirë, gjë që ndodh shpesh edhe kur shkruan me varg të matur, gjë që ndodh më rrallë, edhe kur krijon me standardin gjuhësor kombëtar, edhe kur këndon me gegë, ai krijon poezi me vlerë”, ka thënë profesori Vinca, derisa ka lexuar arsyetimin e jurisë.

Me rastin e marrjes së çmimit, Gashi ka thënë se gjatë punës së tij në MKRS e kishte propozuar idenë e ndarjes së çmimeve nacionale për veprimtari letrare. Ka shtuar se nuk e kishte menduar se do ta merrte pas disa vjetësh.

“Atëherë as në skajet e imagjinatës nuk më përftonte ideja se edhe unë do të jem laureat”, ka thënë ai. Në të njëjtën kohë ai shtoi se beson në profesionalizmin e jurisë, e cila ia ndau çmimin.

“Ka vite që më ka bezdisur emërtimi ‘juria profesionale’, lexoja se si çdo manifestim, shkollë, qytet e lagje kishte juri profesionale. Kur shihja përbërjen ishte një arsimtar i batit, një i amvisërisë e të tjerë. Por më bëtë të bëj një vetëqortim, dëshmuat se kur dua dhe di mund të bëj një juri me përgjegjësi e kulturë”, përfundoi Gashi.

Me romanin “Liria ime” akademiku Mehmet Kraja mori çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”. Me tematikë lirinë njerëzore në rrafshin individual e social, juria ka thënë se personazhet e drejtuesit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës “kanë lirinë dhe pa lirinë e vet”.

“Vepra është konceptuar në formën e tregimeve që mund të lexohen edhe më vete, edhe si tërësi. Secili rrëfim ka një personazh kryesor, kryesisht nga diaspora”, qe arsyetimi i jurisë. “Kraja është mjeshtër i rrëfimit, veteran i narracionit në të gjitha nivelet që ruan koherencën e stilit e gjuhës”.

Vetmia, vdekja, lufta dhe pasojat e saj bëjnë që toni i rrëfimit te “Liria ime” të jetë i zymtë, teksa vepra u cilësua si hulumtuese e zonave të errëta të shpirtit njerëzor.

“Mendoj që është një nga traditat më të mira të ambientit tonë kulturor”, tha akademiku për traditën e përvitshme të ndarjes së çmimeve. “Vura re që juria e kishte lexuar romanin”, ka thënë si me ironi shkrimtari, që vjet u vlerësua për vepër jetësore.

Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” iu nda poetit, i cili jeton në Meksikë, Xhevdet Bajraj, për librin “Burri që lozte me engjëjt”. Në mungesën fizike të tij çmimin e pranoi i vëllai, Fadil Bajraj.

“Është një poemë që ka personazh një burrë shurdhmemec që e humb të folurit që në fëmijëri. Është rrëfim i gjerë poetik konkret e autobiografik që flet për dashurinë, bujarinë, jetën, vdekjen e gëzimin në një gjuhë gati prozaike ku mund të shkruhet kështu poezia edhe pa ndërlikime të mëdha”, ishte arsyetimi i jurisë. Sipas arsyetimit, duke e evokuar jetën e një njeriu fatkeq, por shpirtbardhë me të cilën ka lidhje familjare, poeti evokon edhe një pjesë të historisë më të re të Kosovës, sidomos të Rahovecit, qytetit nga vjen.

Në garën prej 3 aplikimesh për çmimin për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” e mori Shaip Grabovci, për dramën për fëmijë “Zëra nga vitrina”.

“Jo vetëm me përgatitje për bashkëveprim social drejt një mirëqenie të shëndetshme dhe kulture të komunikimit, por edhe me proces analitik të koncepteve bazë të perceptimit psiko-social, siç janë dituria, guximi, vetëvlerësimi”, shkruhet në arsyetimin e çmimit të cilin e pranoi vajza e laureatit, Arbnesha Grabovci- Nixha.

Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” e mori Blerina Rogova-Gaxha për studimin “Vdekja në letërsinë moderne shqipe”.

“Vdekja në letërsinë moderne shqipe” trajton temë të madhe dhe filozofike duke e krahasuar atë me veprën letrare të tre të autorëve shqiptarë Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli, të cilët janë preokupuar shumë për këtë temë dhe e kanë trajtuar në forma të ndryshme”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. “Vdekja si personifikim, metaforë dhe e bekuar janë veç disa nga variantet e shfaqjes së vdekjes në veprat e këtyre autorëve”.

Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” iu dha ish-gazetarit të KOHËS, Col Mehmeti, për përkthimin e veprës “Meditime” të Mark Aurelit, e cila u çmua për profesionalizmin e përkthimit.

“I përkthyer në shqip nga një gjuhë që e njohin fare pak njerëz në mjedisin tonë, nga greqishtja e vjetër”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. “Për ta dhënë në mënyrë sa më autentike mendimin dhe botëkuptimin e autorit, përkthyesi ka aktivizuar leksikun arkaik të shqipes që përkon me përmbajtjen e veprës dhe pak a shumë edhe me frymën e kohës kur është shkruar ajo”.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka falënderuar jurinë duke e cilësuar se ka bërë një “punë jo shumë të lehtë, por profesionale dhe objektive”. Çmimi për vepër jetësore ka vlerë financiare prej 5 mijë eurosh e çmimet e tjera nga 2 mijë e 500 euro. Tradicionalisht MKRS-ja këto çmime i ka ndarë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt, por këtë vit ndarja është bërë me 11 ditë vonesë.