Kulturë

Pianistja Lisa Sahatçiu dëshmon virtuozitetin e saj edhe në Paris

“Doja të lija një përshtypje të mirë si pianiste kosovare në një qytet si Parisi, që njihet për kulturën e tij shumëvjeçare”, ka thënë Lisa Sahatçiu për KOHËN pak orë pas koncertit atje. Dhe ia ka dalë të dëshmojë mjeshtërinë e saj kur e ka hapur koncertin me laureatët e garës “Nouvelles Etoiles” në kryeqytetin francez, në kishën “Notre Dame de Travail” që mbrohet si monument

Para kishës që u bën vend shumë ngjarjeve kulturore në Paris, kalimtarët kanë mundur të lexonin edhe emrin e pianistes së re Lisa Sahatçiu. Aty nëpërmjet një posteri është paralajmëruar koncerti që ka përfshirë laureatët e garës muzikore “Nouvelles Etoiles” në Paris.

Muzikantja 17-vjeçare nga Kosova ka qenë ajo që e ka hapur koncertin para shumë pjesëmarrësve që janë mbledhur në monumentin historik të Francës, i cili u ndërtua midis fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të njëzetë. Me fustan të kaltër, Sahatçiu ka vendosur duart njërën pas tjetrës në piano dhe ka nisur natyrshëm lojën. Atje ka dëshmuar përvojën e madhe që ka marrë nga garat muzikore dhe eventet pianistike në festivalet kosovare. Vepra që ka interpretuar në kishën franceze ka tingëlluar si një kumbim emocionesh. Pianistja e re e ka plotësuar edhe më me lëvizjet e saj gjatë lojës. Se e ka zotësinë edhe kur intensiteti i tingujve shpeshtohet, Sahatçiu e ka dëshmuar nga pjesa e fundit e interpretimit të “Nocturne Op. 48 No. 1” të Frederic Chopin. Pas interpretimit dhe duartrokitjeve nga të tria anët e sallës, Sahatçiu ka përcjellë emocionet që janë brenda veprës “Widmung” të Robert Schumann me aranzhim të Franz Liszt. Për ta arritur këtë interpretim atje, pianistja e re thotë se është përgatitur shumë, sepse synonte një përfaqësim sa më të denjë të vendit të saj.

“Doja të lija një përshtypje të mirë si pianiste kosovare në një qytet si Parisi, që njihet për kulturën e tij shumëvjeçare”, i ka thënë KOHËS Sahatçiu pak orë pas koncertit atje, të dielën.

Image

Nga të pranishmit, pianistja kosovare ka marrë shumë kritika pozitive dhe është vlerësuar për muzikalitetin e saj. Por mbështetjen më të madhe ia ka dhënë pianisti i njohur shqiptar Genc Tukiçi


“Widmung” edhe në dëgjim përcjell emocionet që janë kompozuar në nota muzikore. Vetë vepra është një dedikim muzikor që kompozitori gjerman Robert Schuman ia kishte dhuruar bashkëshortes si dhuratë martese. Aty janë zbrazur ndjenjat më të përzemërta. Pulsi i dashurisë së Schumanit për bashkëshorten e ardhshme Clara nuk fshihet prej fillimit të veprës. Aty Schuman shpreh ndjenjat e forta të dashurisë dhe pasigurisë për lidhjen që nuk e kishte aprovimin e babait të së dashurës së tij. Sahatçiu që arriti t’i përcjellë ato emocione në interpretim, e luajti këtë vepër si dedikim për një person më të veçantë në jetë – nënën e saj.

“E zgjodha si dedikim për një person të veçantë për mua, që nuk pati mundësinë të vijë me mua në Paris”, ka thënë ajo. Sahatçiu u bë pjesë e garës muzikore “Nouvelles Etoiles” në fund të vitit 2021. Nëpërmjet një performance “online” ajo arriti ta bindë jurinë për t’ia dhënë çmimin e parë. Në shkurt u ftua për të interpretuar së bashku me tre laureatë të tjerë nga Franca, Hungaria, Rusia dhe Kroacia. Interpretimi bashkë me ta, Sahatçiu thotë se i ka ndihmuar të shkëmbejë përvoja që do t’i ndihmojnë në të ardhmen. Nga të pranishmit, pianistja kosovare ka marrë shumë kritika pozitive dhe është vlerësuar për muzikalitetin e saj. Por mbështetjen më të madhe ia ka dhënë pianisti i njohur shqiptar Genc Tukiçi. Edhe në videon e publikuar në faqen zyrtare të kësaj gare shihet se pianisti shqiptar menjëherë pas koncertit ka shkuar ta përgëzojë pianisten e re. E për të nuk kanë munguar lëvdatat as në Facebook.

“Krenar për ty Lisa, pianiste dhe muzikante e shkëlqyer”, ka shkruar ai në Facebook, ku ka publikuar një fotografi me Sahatçiun pas koncertit. Sahatçiu si fituese e çmimit special në “Chopin Piano Fest” tash po bëhet gati për një aventurë tjetër pianistike në një vend tjetër të Evropës. Ajo në fillim të prillit do të koncertojë në Kunstraum-Bad Honeff në Bon të Gjermanisë.

“Shpresoj që edhe pas këtij koncerti në Bon të Gjermani të mund të kem edhe koncerte të tjera të tilla dhe të mund ta shpërndaj muzikën time kudo nëpër botë”, ka thënë ajo për KOHËN.

Sahatçiu ka filluar të luajë me piano si 7-vjeçare. Me dedikimin e madh në muzikë, ajo shpejt ka arritur të tregojë pjekuri muzikore. Nuk mungon në asnjë event pianistik që organizohet në Prishtinë. Në vitin 2017, ajo ka fituar çmimin “Pianisti i ri” të organizuar nga festivali “DAM”. Ky çmim ia dha mundësinë që ta dëshmojë veten në prill të vitit 2018, kur u ngjit në skenë për herë të parë nën përcjelljen e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës si 14-vjeçare. Lisa Sahatçiu që atëherë dëshmoi se rruga e saj me pianon do të jetë e gjatë. Tingujt e saj tash synojnë skenat evropiane.