Kulturë

Filharmonia nëpërmjet tingujve prek rrënjët e Pavarësisë së Kosovës

Descriptive Text

Krejt repertori i koncertit të Filharmonisë së Kosovës ka qenë si një rrugëtim që zbërthen jo vetëm historinë, por edhe traditën muzikore që shkon përtej moshës së shtetit 14-vjeçar. “Kemi dashur të tregojmë që Pavarësia e Kosovës i ka rrënjët e thella. Shqiptarët kanë qenë të pavarur të paktën në kohën e Skënderbeut”, ka thënë drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari. Dëshmia për këtë ka qenë mjeshtëria e muzikantëve, që prej presidentes Vjosa Osmani e ministrit Hajrulla Çeku janë krahasuar me kolegë skenash evropiane. Por kushtet janë larg prej tyre

“Gëzuar Dita e Pavarësisë!”, është projektuar me të kaltër e të verdhë. Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë ka marrë ngjyrat solemne në pritje të Filharmonisë së Kosovës. Tingujt i japin më shumë ngjyrim. Kur ora shënon 17:00, instrumentistët gati përballë partiturave që përmbajnë hiç më pak se shtatë vepra. Janë ato që dëshmojnë histori në kohë, por edhe që u flasin lirisë dhe rezistencës.

Për ta shpalosur saktë atë, mbrëmja qëllimisht ka nisur me uverturën nga opera “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit nga Kosova, Rauf Dhomi. Me pjesë nga opera e parë kosovare, institucioni më i lartë muzikor, përveç zbërthimit mjeshtëror, dëshmon traditën në kompozim operistik. Vepra e shkruar gjysmëshekulli më parë u flet luftës kundër pushtuesve osmanë në Kaçanik dhe ëndrrave të një dashurie në liri. Sakrifica dhe trimëria për liri kanë qenë edhe thelbi i koncertit solemn të Filharmonisë së Kosovës për 14-vjetorin e Pavarësisë së vendit, të enjten pasdite.

Si një festë ndaj rrëfimeve historike është zbërthyer në interpretim vepra “Vals i pavarësisë” e kompozuar nga këngëtari dhe kompozitori Korab Shaqiri. Qe një vepër premierë, kompozuar enkas për këtë përvjetor të shtetësisë.

“Jam shumë i lumtur që vepra u interpretua nga Filharmonia jonë”, ka thënë Shaqiri pas koncertit. Ka zbërthyer edhe motivin e veprës së tij. “Notat e veprës frymojnë nga thesari ynë popullor, por e trajtuar në vals, ku dihet që valsi është vallëzim evropian”, ka thënë ai.

Duke përcjellë frymën e së tashmes, Orkestra pas këtij interpretimi i është kthyer përsëri historisë. Nën dirigjimin e Hajrullah Sylës kanë përcjellë dramaticitetin e fragmenteve nga suita simfonike “Skënderbeu” të kompozitorit Çesk Zadeja. Me koncertin për 14-vjetorin, Filharmonia e Kosovës iu përgjigj me program të denjë një feste të tillë – por ende në një skenë që s’ua plotëson nevojat për interpretim. Në aspektin përmbajtjesor, Filharmonia e Kosovës qëllimisht ka zgjedhur një program që gërsheton kohë të ndryshme historike në nota muzikore.

“Kemi dashur të tregojmë që Pavarësia e Kosovës i ka rrënjët e thella. Shqiptarët kanë qenë të pavarur të paktën në kohën e Skënderbeut”, ka thënë drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari. Si një përshkim nëpër bukuritë e vendit është manifestuar interpretimi i veprës “Baresha” të Rexho Mulliqit. Qetësia e publikut e mbërthen sallën sa herë që ajo luhet, veçmas në data si këto. Në pjesën e dytë të koncertit, institucioni më i lartë muzikor në vend është prezantuar me kapacitet të plotë. Orkestrës i është bashkuar edhe Kori i Filharmonisë së Kosovës.

Dirigjenti Baki Jashari ka udhëhequr formacionin e institucionit që e drejton tash e sa vjet. Orkestra e Kori janë bashkuar për të përcjellë jehonën e “Dies Irae” nga “Rekuiem” e kompozitorit italian Giuseppe Verdi. Duke e përcjellë dramaticitetin e saj, orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka përzgjedhur këtë vepër nga repertori i huaj për t’ia prezantuar publikut të huaj në Kosovë, por për të përcjellë edhe dhimbjen universale të njerëzimit.

“Vepra reflekton dhimbje për viktimat gjatë gjithë historisë së njerëzimit”, tregon Jashari për KOHËN. Si thirrje për paqe në repertor ka qenë vepra e kompozitorit uellsian, Karl Jenkins. “Më mirë është paqja”, është pjesa që u interpretua nga vepra e tij “Njeriu i armatosur: Meshë për paqen”, të cilën kompozitori Jenkins ua kishte dedikuar viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Me mesazhe të tilla, Filharmonia e Kosovës është prezantuar edhe jashtë vendit. Me duartrokitje e kritika pozitive ishte pritur koncerti i Filharmonisë së Kosovës në katedralen “Saint-Louis-des-Invalides” në Paris në majin e 2019-s.

Image

Me shtatë vepra në repertor, Filharmonia e Kosovës ka rrugëtuar nëpër tinguj që dëshmojnë histori në kohë, por edhe që u flasin lirisë dhe rezistencës (Foto: Adi Beqiri)


Por, përkundër prezantimeve të suksesshme, Filharmonisë së Kosovës në shtetin e vet nuk i është bërë një “shtëpi” ku mund të prezantohet denjësisht. Kushtet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë janë larg së përmbushuri kritereve të një salle interpretimi.

Koncerti i së enjtes mbrëma nga presidentja Vjosa Osmani është vlerësuar si koncert i nivelit të filharmonive të vendeve evropiane, por që si institucion duhet t’ia ofrojnë edhe një ambient të përshtatshëm për këtë.

“Ishte një mbrëmje me shumë emocione dhe nga vlerësimet që i morën nga shumë miq e mysafirë ndërkombëtarë, patjetër që e dëshmon një nivel sikur në vendet e kryeqytetet e tjera të botës në krahasim edhe me shumë filharmoni që kanë përvojë më të gjatë. Natyrisht që neve si institucione na takon që të krijojmë kushte, një sallë shumë më të përshtatshme për koncerte të tilla të mëdha dhe kaq të vlefshme që i dhuruan publikut të Kosovës”, ka thënë ajo për KOHËN.

Në nëntor të vitit 2021, në atelienë e Pallatit të Rinisë është mbajtur edhe koncerti inaugurues i Operës së Kosovës, por që ky institucion është i tillë vetëm në letër. Koncerte solemne si këto e nxjerrin edhe më në pah nevojën e Filharmonisë për një skenë të denjë.

Edhe ministri i kulturës Hajrullah Çeku e ka vlerësuar që koncerti për 14-vjetorin e Pavarësisë së vendit dëshmon që kushtet infrastrukturore janë larg me nivelin e performancës së saj dhe për këtë thotë se do të përpiqen që të ndërmarrin hapa sa më të shpejt.

“Ne si institucione jemi duke e bërë më të mirën që në afatin më optimal ta rregullojmë çështjen e infrastrukturës fizike për këto institucione, ta kemi sallën koncertale dhe në një moment të dytë edhe Teatrit të Operës dhe Baletit”, ka thënë Çeku për KOHËN.

Historitë me inaugurime Kosova i ka goxha joshpresëdhënëse. Janë mbi një milion euro të cilat janë shpenzuar kot me qëllim të ndërtimit të teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Bile më 2009, Filharmonia bashkë me Baletin kishin interpretuar në vënien e gurit themeltar. Prej atëherë e deri më tash nuk është bërë asnjë hap për ndërtimin e atij objekti. Nga ajo kohë ka kaluar mbi një dekadë.