Kulturë

Kosova në 14 karikatura të KrAgit: Dhunë, liri, pavarësi, izolim...

Koleksioni i veprave të tij ka me mijëra karikatura, por në 14-vjetorin e shtetit të Kosovës, maestroja Agim Krasniqi-KrAgi shpalos një kapitull, e nëpërmjet tij krijohet rrëfimi për vendin. “Momentet e ndryshme që i kemi pasur, i kam prezantuar në karikaturë”, thotë KrAgi, dokumentues i realitetit dhe i ngjarjeve tash e gati gjashtë dekada. Me 14 karikaturat e përzgjedhura vjen Kosova e kontrasteve

Në çdo situatë nëpër të cilën kapërcente Kosova, Agim Krasniqi-KrAgi i drejtohej fletës së bardhë. Kështu merrte një qëndrim ndaj realitetit. Kur u kthehet karikaturave të tij nëpër vite, ka shumë prej të cilave nëpërmjet ngjyrave e figurave mund të lexohet një histori e Kosovës. KrAgi në studion e tij në lagjen “Arbëria” ka disa lloje të lapsave me ngjyrë. I ka vendosur të gjitha përballë ulëses së tij që t’i ketë afër në rast se i hyn në punë ndonjëri prej tyre.

Në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë së Kosovës u kthehet disa prej karikaturave të punuara ndër vite. Diku më pesimist e diku më optimist, maestroja e artit të nëntë, njëri nga pionierët në këtë zhanër, megjithatë synon një qëndrim neutral, por që është i përafërt me periudha të ndryshme historike.

Kthimi prapa me ushtarin serb

“Momentet e ndryshme që i kemi pasur, i kam prezantuar në karikaturë. Kemi ardhur te një moment kur ndonjëherë nuk e dimë ku jemi, çfarë jemi dhe çfarë po bëjmë”, thotë KrAgi. Pak a shumë karikatura thotë se ia ka dhënë mundësinë që “të paraqesë udhën e humbur në oborr”. Insiston që karikaturat të mos i komentojë shumë – thotë se komentimi i tyre është zakon i karikaturistëve të dobët. E kundërta e kësaj bëhet e qartë në veprat e tij. Figurat a simbolikat në to rrëfejnë vetë.

që është i zoti, me një karikaturë e shkruan një roman”, thotë KrAgi në fillim të intervistës para se të shpalosë 14 karikatura për 14 vjet të shtetit të Kosovës. Është veç një kapitull prej mijëra sosh sa ka realizuar gjatë karrierës së bujshme. Artisti i lindur më 1951 në Manastir të Maqedonisë, pas përfundimit të studimeve të inxhinierisë së ndërtimit, përfundoi shkollën e lartë pedagogjike të artit figurativ. Me punën artistike nisi të merrej qysh si fillorist e të parën karikaturë e botoi më 1965 në “Zëri i Rinisë” e më pas veprat e tij, pos në gazetat vendore si “Rilindja”, zunë vend edhe në ato të tjera në Jugosllavinë e asaj kohe, si “Tan”, “Predah”, “Stej”, “Elektron”, “Kolo” e të tjera.

Tek shpalos albumin e veprave, KrAgi kthehet fiks 23 vjet prapa. Një ushtar serb i armatosur me fshesën e tij nuk e kursen askënd. Viktimat janë të pafuqishme për t’iu kundërvënë këtij realiteti. Kjo kohë s’kishte qenë e lehtë as për KrAgin, që kishte ikur për në Shqipëri.

“Kjo paraqet ushtarët që kanë dashur ta pastrojnë Kosovën, të na përzënë prej Kosovës. Edhe unë isha pjesë e tyre, bashkë me familjen e viktimat. Fati deshi që të shpëtoj”, rrëfen KrAgi, i cili përjetimet e tij kishte dashur t’i vulosë në karikaturë.

Kontrasti i gëzimit të pasluftës

I ishte gëzuar fort lirisë kur ishte kthyer në Kosovë pas luftës. Por, dy dekada më pas me gjithë gëzimet, brenga që lexohet në karikaturat e tij është izolimi. Kohën pas lirisë e përshkruan me një karikaturë të hartës së Kosovës e rrethuar me yjet dhe kaltërsinë që simbolizojnë flamurin e Evropës. Një burrë me plis qëndron në kokërr të shpinës mu në mes të hartës.

“I izoluar pa punë, pa kurrgjë. Kosovën e ndiejmë si shtëpinë tonë prej së cilës nuk mund të dalim”, shpjegon KrAgi, karikaturat e të cilit kanë shëtitur nëpër shumë ekspozita ndërkombëtare. Në disa prej të cilave, Krasniqi ka marrë vetë pjesë, por kishte ëndërruar që pa kufijtë izolues do të mund të bënte shumë më tepër.

“Unë kam dashur të dal në Evropë që të shëtis, por po përtoj të shkoj te të gjitha ambasadat”, shprehet tutje ai.

Derisa në sytë e kosovarëve Evropa është një ëndërr, ai në karikaturë i ka paraqitur edhe të huajt që viteve të fundit kanë ardhur në Kosovë me misione të ndryshme. Disa prej tyre në karikatura i sheh si përfitues të shtetit më të ri në Evropë. Kolltukët me ngjyra të ndryshme e mbushin hartën. “Kosova për të ka qenë dhe është plot ulëse, ku po gjuhen dhe po kërcejnë që të vijnë. I kanë kushtet e mira këtu, luftë nuk ka dhe njerëzit i çmojnë mysafirët”, shprehet tutje KrAgi.

{gallery}

“Një vit na është bërë pesë vjet duke pritur”

Se nuk është edhe aq i kënaqur me disa prej vendimeve që solli pavarësia e dëshmon karikatura e tij e radhës. Aty është ende flamuri serb. Sipas tij, shoqëria është treguar e heshtur përballë disa vendimeve.

“Ne po jetojmë bashkë. Përse t’i ndajmë komunat, përse t’i bashkojmë komunat. Të gjithë e kemi ulur kokën. Unë nëse jetoj këtu duhet të jetoj me ligjet që ekzistojnë këtu dhe jo të kërkoj pavarësi brenda vendit”, thotë Krasniqi me zë më të ngritur sesa kur flet për karikaturat e tjera. Toni i zërit nuk i ndryshon as në karikaturën e radhës. Edhe kjo karikaturë dëshmon që KrAgi shtetësinë e Kosovës e lidh me Evropën. Në një prej karikaturave atë e ka ilustruar nëpërmjet ujkut. Delet e mbushin të gjithë hapësirën përreth. Në përsëritjen e këtij cikli, thotë se shpejt kaluan dy dekada në të cilat kosovarët vazhdojnë të mbesin të bindur dhe të izoluar.

“Një vit na është bërë pesë vjet duke pritur, por deri kur kështu”, thotë Krasniqi.

Pjesa më e madhe e karikaturave të tij për Kosovën janë realizuar mbi ngjyrën e kaltër dhe të verdhë. Por ndryshe prej karikaturave të tjera, një prej tyre është pa ngjyra, por me laps. Personazhi i tij kapërcen nëpër pesë nivele të ndryshme. Në nivelin e tretë e arrin kolltukun që simbolizon pushtetin, por në të pestin përfundon prapa grilave. KrAgi nuk do ta komentojë shumë, thotë se edhe pa ngjyra karikatura flet vetë.

“I kemi përjetuar këto gjëra, por ne akoma s’po bëhemi të mençur”, e përfundon me kaq komentimin e saj ai. Megjithëse izolimi paraqitet në pjesën më të madhe të karikaturave të tij. Ai aty paraqet edhe një anë tjetër të tij – dëshirën e madhe për t’u larguar nga vendi. Tri personazhet e tij kanë valixhe dhe rrinë gati për t’u larguar me mundësinë e parë. KrAgi thotë se kjo godet më së shumti në realitetin aktual.

“Tash po thonë si të bëhen vizat, 80 për qind e qytetarëve do të ikin. Tash po fluturojnë si këtu lulet që shpërndahen me frymë”, shpjegon tutje ai, teksa kalon te karikatura tjetër ku demokracia është e mbështjellë në formë të dhuratës. Është e punuar me shumë kujdes. Babadimri është dhurues i demokracisë që dhurohet në praninë e policit. Qytetarët të gjithë i kanë duart në të – por demokracia sipas interpretimit të KrAgit nuk po përdoret në mënyrën e drejtë. KrAgi i rreket realitetit me misionin që dikush të reflektojë mbi atë që paraqitet në karikatura. “Nuk jemi në nivel. Unë e kam shpjeguar nëpërmjet karikaturave dhe ajo duhet t’i bjerë dikujt në sy dhe të thotë ngadalë se ndoshta ky KrAgi ka të drejtë”, rrëfen Krasniqi me një ton insistues në atë që thotë. Përveç flamurit të shtetësisë së Kosovës, KrAgi teksa shpalos karikaturat e tij e kthen vëmendjen në një me flamurin e Shqipërisë. Burri me veshje tradicionale shqiptare është i dalë nga rrënojat. Flamurin kuqezi e mban me bindje mbi supe. Kjo e kthen KrAgin te dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Kur e hap zemrën dihet ku jemi”

“Kur e kemi fitu lirinë, i thosha vetes nuk kemi nevojë për tjetër flamur, e kemi ne flamurin tonë. E kemi ndërruar flamurin siç na kanë thënë të tjerët”, thotë KrAgi, i cili shton se edhe në përcaktimin e flamujve kanë humbur rrugët. Nuk vonon dhe kalon te karikatura tjetër. Edhe aty është flamuri kuqezi, por i vendosur në një simbol në formë të zemrës. Për ta zbuluar atë zemra duhet të zgjerohet nga dy duart. Kur e tregon këtë karikaturë, fituesit të shumë shpërblimeve edhe jashtë vendit i kthehet buzëqeshja.

“Kur e hap zemrën dihet ku jemi”, vazhdon ai. Krenar e bën përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Ekipin e Kosovës e ka vizatuar në një autobus ku janë të vendosur flamujt e Kosovës dhe të Shqipërisë. Autobusi duket sikur fluturon. Kështu e shpreh gëzimin KrAgi për pranimin e Kosovës në FIFA. Karikaturisti kosovar kur shfleton karikaturat që tregojnë shtetin në sytë e tij – e ka futur në një prej tyre edhe flamurin amerikan. Në yjet e këtij flamuri me thjerrë del një yll në të verdhë. Është Kosova në të.

KrAgi s’vonon të kapërcejë te karikatura tjetër. Para kësaj shtron një pyetje. “Ç’të them për Kosovën? S’mund të themi asgjë, jemi mbyllur”, shprehet ai teksa në duar mban karikaturën e 13-të, ku harta e Kosovës e përfaqëson kapakun e një konserve. Shton se populli po mundohet të ecë tutje dhe për këtë kalon te karikatura e fundit që personazhi i tij është palaçoja në një varkë me mjete me të cilat vështirë që ecet tutje. Shikimi me habi i këtij personazhi i shpjegon të gjitha. Pasi që përfundon shpjegimin e 14-të karikaturave në mesin e 1 mijë sa ka punuar gjatë karrierës së tij, KrAgi uron për më shumë punë.

“Shpresoj që secili prej jush të bëheni ambasador kur keni për çka ta përfaqësoni vendin e juaj”, thotë ai. Historia e Kosovës dhe çdo ngjarje në të do të jetë një imazh më shumë në punimet e KrAgit. Ai është një dokumentues përmes ngjyrave.