Kulturë

Hamamit të Madh në Prishtinë i rikthehet piktura murale

Era e mykut nuhatet sapo hapen dyert e monumentit, të cilat ka vite që janë të mbyllura. Dërrasat e vendosura për të asistuar endjen brenda objektit e muret që në një pjesë të madhe kanë marrë ngjyrë të gjelbër për shkak të lagështisë që ka depërtuar brenda, janë dëshmi e pakujdesisë së shtetit për ta ruajtur Hamamin e Madh të Prishtinës.

Edhe ashtu, historia e restaurimit të tij ka një dekadë që ka nisur, por krejt çfarë është bërë ka qenë shpenzimi i mbi 700 mijë eurove dhe humbja e autenticitetit të monumentit, shkruan sot “Koha Ditore”. Alarmimet e ekspertëve se në pritje të hapave konkretë për finalizimin e restaurimit e vënies në funksion për vizitorë, objekti po shkatërrohet gjithnjë e më shumë, nuk kanë çuar peshë.

E në gjithë kaosin brenda monumentit, që lë përshtypje sikur e ka të pamundur të shpëtohet nga dora e njeriut, ekspertë të restaurimit e konservimit nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve e kanë gjetur një vend për ta “ringjallur”.

Aty po punohet për hulumtimin, restaurimin e konservimin e një pikture murale që ndodhet në ballë të anës së majtë të korridorit hyrës të Hamamit.

Ekspertë nga IKMM-ja supozojnë se piktura murale brenda Hamamit të Prishtinës paraqet një xhami me rrethojë.

Ani pse qysh nga viti i kaluar, Komuna e Prishtinës kishte paralajmëruar që është në pritje të ndihmës financiare dhe ardhjes së ekspertëve belgë për vlerësimin e gjendjes në këtë monument pesëshekullor, ky institucion nuk ka asnjë përgjigje se çfarë ka ngjarë deri më tani... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.