Kulturë

“Anibar” në kërkim të diversitetit brenda botës së animacionit

Pas edicionit të 12-të të cilësuar si të suksesshëm, ekipi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar, “Anibar”, ka nisur përgatitjet për edicionin e sivjetmë që do të mbahet në korrik të 2022-s. Thirrjen për aplikime e ka bërë edhe nëpërmjet një animacioni unik. “Po presim me padurim për të shikuar se çfarë ka zier për këtë vit industria e animacionit”, thuhet ndër të tjera në ftesën e paralajmërimin e “Anibarit”

Me një animacion të shkurtër, të punuar nga animatori Edvin Susuri, festivali ndërkombëtar i filmit të animuar, “Anibar” kishte hapur thirrjen për edicionin e 13-të. Në një sallon ku realizohen tatuazhet, një person hyn për ta realizuar një. Në krahun e djathë ka të shkruar “Open Call”, që tregon se është hapur thirrja, e në tjetrin datën “31, mars” e me këtë tregon se kur përfundon e drejta për të aplikuar me filma. Fill pas kësaj shfaqet pamja e një shenje në rrugë, që udhëzon drejt edicionit të sivjetmë të “Anibarit”. Në 19 sekonda, Festivali ka dhënë lajmin kurse përmes një komunikate për media ka zbuluar më shumë detaje.

Është shkruar se pas një edicioni të mrekullueshëm vitin e kaluar tani kanë nisur përgatitjet për edicionin e radhës që pritet të mbahet në korrik të këtij viti.

“Ne po presim që të kemi një program divers me stile të animacionit, teknika dhe koncepte. Po presim me padurim për të shikuar se çfarë ka zier për këtë vit industria e animacionit”, është shkruar në njoftimin e ditëve më parë.

“Anibari” çdo herë gjatë korrikut në qytetin e Pejës, sjell magjinë e botës mahnitëse të animacionit. Programi shtrihet në gjashtë kategori garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Tri kategoritë e tjera janë jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.

“Anibari”, ashtu si viteve të kaluara pritet të shfaqë filma në pesë kinema, tri prej të cilave në ambient të hapur: kinemaja “Liqeni”, kinemaja “Kubat”, që gjendet në Parkun e Qytetit dhe kinemaja “Urban”. Festivali është i vetmi në Kosovë i dedikuar vetëm animacionit dhe është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend. Përveç filmave, organizatorët kanë njoftuar se edhe këtë vit do të ketë punëtori, diskutime, debate, prezantime, koncerte muzikore, kamping dhe aktivitete të tjera kreative e argëtuese.

“Vit pas viti, festivali përpiqet të shfaqë filma cilësorë, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë artistik. Përzgjedhja e filmave si gjithmonë do të bëhet në përputhje me kriteret e vendosura nga një staf profesionistësh që synojnë të balancojnë audiencën, vlerësimet artistike dhe tregun”, është shkruar në njoftim.

Aty, mes të tjerash, tregohet se Festivali për më shumë se një dekadë ka pasur ndikim veçanërisht te rinia e Pejës, por edhe përtej, duke përshirë të rinjtë në Festival dhe në përgatitjen e tij dhe duke u dhënë eksperienca që mbesin një mësim i përjetshëm.

Edicioni i vitit të kaluar ishte mbajtur prej 23 deri më 30 korrik, dhe “Anibari” kishte festuar ëndrrat, imagjinatën e lirinë nëpërmjet filmave të animuar. “Izolimi” ishte tema.

“Gjithçka përreth ‘Anibarit’ ka të bëjë me të kundërtën e izolimit, sepse: ne i bëjmë njerëzit bashkë, shfaqim filma në ambiente të hapura dhe tregojmë art pa kufij. Për më tepër, ne duam të tërheqim a të provokojmë ata njerëz që e izolojnë veten brenda një ideje të ngurtë, një besimi mosdurues e një ideologjie përjashtuese”, kishte thënë atëherë ekipi i “Anibarit”.

Pati sjellë filma që ishin shfaqur a nominuar e të tillë që edhe kishin fituar çmime në festivale të njohura, si: “Annecy International Animation Film Festival”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Sundance Film Festival” dhe shumë të tjerë.

Afati i fundit për këtë edicion është 31 marsi.