Kulturë

Themelohet një fond për art feminist, në shkurt prezantohen katër vepra

Organizata Artpolis ka themeluar Fondin për Art Feminist dhe në shkurt do të prezantojë katër vepra të artisteve dhe artistëve me tema e mënyra të ndryshme të prezantimit, por me një pikësynim të përbashkët – fuqizim të vajzave, grave e grupeve të margjinalizuara dhe shpërfaqjes së pabarazisë ndaj tyre.

Artpolis përmes një komunikate ka njoftuar se më 14 shkurt nga ora 18:00 në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë performanca “Vet’♥️” nga Andi Krasniqi e Arbnora Ademi.

“’Vet’♥️’ ka për qëllim të ngritë vetëdijen te shumica mbi të vërtetat e tranzicionit dhe është e bazuar në rrëfimet e personave që janë në mesin tonë. E ndarë në katër faza në të paraqiten dëshira, ankthi, realiteti personal i personazhit , ai i rrethit dhe të dashurit e vetvetes. Sfida, sakrifica dhe gjykimet që bëhen ndaj dikujt që askush pos tij/saj nuk e di si ndjehet në atë trup”, thuhet në njoftim.

Katër ditë më vonë, më 18 shkurt, para publikut në Teatrin Oda nga ora 18:00 do të prezantohet koreodrama e Leudrita Mustafës me titull “Grua mos hesht”, që vjen si thirrje për të gjitha gratë që të mos tolerojnë padrejtësitë ndaj tyre e të kërkojnë ndihmë për t’u çliruar nga prangat e patriarkatit.

Kurse më 22 shkurt në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë baleti “Equal” me koreografi të Robert Nuhës me fillim nga ora 20:00.

“Equal është projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i cili vjen si rrjedhojë e kërkimeve të koreografisë së bazuar në teknikat më të fundit të dansit bashkëkohorë, konkretisht në improvizim të kontaktit, të cilat nxjerrin në pah shtypjen gjinore si akt i dhunshëm dhe i dëmshëm fizik e psiqik. Përmes imazheve që do të ofrojmë përgjatë kësaj performance do të pasqyrohen situata që ngritin pyetje të cilat targetojnë reflektimin e shoqërisë mbi çështjet fragjile të barazisë gjinore”, thuhet më tej.

E më 24 shkurt në Sallën Koncertale të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Prishtinës do të prezantohet vepra “Sonatë e Kristaltë” nga Entela Qarkagjija.