Kulturë

Restaurimi midis reagimeve kundër figurës së Xhafer Devës dhe ruajtjes së monumentit

Restaurimi i Shtëpisë së Xhafer Devës është duke u kundërshtuar shkaku i ish-pronarit të saj. Por, askush nuk është marrë me vlerat arkitekturore të ndërtesës e as destinimin që do ta ketë pas konservimit dhe restaurimit. Ambasada e Gjermanisë në Kosovë e ka vënë në pikëpyetje nëse duhet restauruar Shtëpia. E Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe UNDP-ja që të heqin dorë nga projekti restaurues. Projekti i hartuar nga “CHwB Kosova” bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe të BE-së dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Implementimi bëhet nga UNDP-ja

Bashkimi i institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare për të restauruar e funksionalizuar një prej shtëpive më monumentale të Mitrovicës ka nxitur reagime të forta. E njohur si Shtëpia e Xhafer Devës, ndërhyrja në këtë monument është duke u kundërshtuar shkaku i ish-pronarit të saj. Në reagime askush nuk është marrë me vlerat arkitekturore të ndërtesës e as destinimin që do ta ketë pas konservimit dhe restaurimit, por me aktivitetin e Devës.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë e ka vënë në pikëpyetje nëse duhet restauruar Shtëpia. E Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe UNDP-ja që të heqin dorë nga projekti restaurues.

Ambasadori Rohde: Mos e shtrembëroni të vërtetën...

Restaurimi do të bëhet në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialogun ndërkomunitar dhe kohezionin social”. Projekti i hartuar nga “CHëB Kosova” bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe të BE-së dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndërkaq, implementimi bëhet nga UNDP-ja.

Punët planifikohet të nisin këtë javë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar në “Tweeter” duke shprehur shqetësimin e tij në lidhje me planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës. Ka bërë thirrje që të mos shtrembërohet e vërteta sa i përket Holokaustit.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Mbro Faktet”, ka shkruar Rohde.

Sipas tij, kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të merren si mundësi për t’u marrë me të kaluarën në mënyrë të hapur dhe të vërtetë.

“Ambasada Gjermane është e gatshme të mbështesë çdo qasje të arsyeshme ndaj kulturës së kujtesës në Kosovë”, ka shtuar ai.

Gojkoviq: Ky është një kolaboracionist famëkeq nazist...

E përtej reagimit ka shkuar ministrja e Kulturës dhe Informacionit në Serbi, Maja Gojkoviq. Ajo ka kërkuar nga BE-ja dhe UNDP-ja që të mos ndajnë mjete për rinovimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Sipas saj, Deva ka përgatitur e kryer krime ndaj serbëve dhe hebrenjve.

“Ky është një kolaboracionist famëkeq nazist, i cili ishte aktiv në formimin e Divizionit SS Skënderbeu, i njohur për përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër popullatës serbe dhe hebreje", ka thënë Gojkoviqi.

Ajo ka deklaruar se u ka shkruar përgjegjësve në BE dhe UNDP për këtë punë. Sipas saj, Xhafer Deva edhe është dekoruar nga kryenazisti Adolf Hitler.

Ish-pronari i shtëpisë, Xhafer Deva qe ministër i Brendshëm i Shqipërisë prej vitit 1943 deri më 1944 në kuadër të Këshillit të Regjencës. Deva është figurë polarizuese e historiografisë. I takoi Qeverisë që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe, e për disa të tjerë ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë.

Ministria e Kulturës dhe Qeveria e Kosovës kanë heshtur në raport me reagimet gjatë ditës së hënë. Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, nuk ka pasur përgjigje as në pyetjet e drejtuara nga KOHA.

Zyra e UNDP-së në Kosovë, si implementuese e projektit, ka pasur një përgjigje.

“Ju lutemi të informoheni se Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë është në proces të diskutimit të kësaj çështjeje me të gjithë partnerët/palët relevante dhe ne do t’ju kthejmë përgjigje së shpejti”, shkruhet në përgjigjen e Burbuqe Dobranjës, bashkëpunëtore për komunikim në UNDP.

KOHA ka marrë vesh se UNDP-ja ka thirrur Bordin në një mbledhje urgjente.

UNDP-ja, BE-ja dhe MKRS-ja vënë në pah vlerat arkitekturore

Në ditën e 4-t të këtij muaji, UNDP-ja së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kishin lëshuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me ndërhyrjet në shtëpinë e Xhafer Devës. Në deklaratë shkruhet se së bashku dënojnë fuqishëm dhe kanë zero tolerancë ndaj çdo forme të racizmit, diskriminimit, paragjykimit ose përkatësisë etnike që tenton të justifikojë ose promovojë urrejtjen dhe diskriminimin racor.

“Ruajtja dhe rehabilitimi i trashëgimisë kulturore dhe fetare nxitet nga nevoja për të siguruar ekzistencën e saj për pasardhësit, duke u fokusuar në vlerat arkitekturore të vendeve të tilla. Për sfond, Shtëpia, e vendosur në qendër të Mitrovicës, është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë”, shkruhet në deklaratë.

Aty sqarohet se që nga viti 1945, ndërtesa ka qenë në pronësi publike dhe përdoret si qendër shëndetësore, strehë për familjet e pastreha, jetimore dhe në një moment të caktuar ka shërbyer si ndërtesë komunale.

“Objekti i përket stilit modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë, me dekorime të shumta të jashtme, tipike për stilin e saj. Shtëpia është në listën e përkohshme të objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë”, shkruhet në deklaratë.

Aty sqarohet se BE-ja, UNDP-ja dhe MKRS-ja marrin parasysh me shqetësim polemikat që lidhin të kaluarën e ndërtesës dhe aktualisht janë duke punuar në alternativa për të mirën e ardhshme të komunitetit lokal dhe dialogut ndërmjet komuniteteve.

Javën e kaluar KOHA ka raportuar se në shtëpinë katërkatëshe, që e kishte ndërtuar në Mitrovicë, Xhafer Deva nuk kishte jetuar asnjëherë nuk jetoi asnjëherë.

Galeri dhe seli e institucionit të trashëgimisë kulturore

Historia mbi njëdekadëshe e restaurimit pritet të marrë fund në vjeshtë. Më 2015 Shtëpia qe përfshirë nga zjarri. E restaurimi duhet të përfshijë të gjitha instalimet në mënyrë që ndërtesa të jetë funksionale.

“Do të ruhen dekorimet që janë karakteristike për fasadën. Ato që janë dëmtuar shumë do të kopjohen me kallëp”, kishte thënë Rreze Loxha-Vitaku, drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë.

Institucioni që ajo udhëheq do ta ketë selinë në dy katet e sipërme të monumentit. Pas restaurimit kati i parë do të jetë galeri e arteve.

Arkitekti Nol Binakaj, nga fondacioni kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosova), kishte thënë se jashtë do të trajtohet fasada. Janë bërë më shumë se një dekadë kur është zhveshur fasada paraprake dhe ndërtesa ka ngelur në tulla të kuqe.

“Do të trajtohen pjesët dekorative të dëmtuara dhe do të bëhet konsolidimi i mureve pasi ka qëndruar shumë gjatë e zhveshur dhe tullat janë të dëmtuara në disa vende”, kishte thënë Binakaj.

Sipas tij, brenda do të punohet komplet enterieri. Ka thënë se janë paraparë krejtësisht instalime të reja, në mënyrë që të funksionalizohet ndërtesa.

Historia e ndërhyrjeve në këtë monsunet daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015 Shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018, ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.

MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti. Për sivjet ka paraparë 100 mijë euro. Krejt projekti i ri financiarisht peshon 300 mijë euro.

Shtëpia e Xhafer Devës (1904-1978) ka karakteristika të veçanta. “Karakteristikë e shtëpisë është se në mesin e fasadës veriore është i paraqitur qoshku (çardaku i mbyllur), ndërsa në fasadën jugore, pamje kjo nga rruga, paraqitet doksati. Në fasadën jugore janë ruajtur elementet dekorative të kohës. Përdhesja funksiononte si hapësirë afariste, ndërsa kati shfrytëzohej si etazh banimi duke e ruajtur kështu funksionin për të cilin edhe është ndërtuar”, është përshkrimi për këtë monument në databazën online të monumenteve. Aktualisht, MKRS-ja është duke e “restauruar” edhe databazën, pasi ajo nuk është funksionale prej fundit të vitit 2020.