Kulturë

Institucionet nuk ndërhyjnë në monumentin që e shpallën të rrezikshëm

Descriptive Text

Prishtinë, 2 mars - Distanca e tri institucioneve shtetërore nga shtëpia-monument e Musli Hoxhës, në qendër të Prishtinës, është gati e njëjtë. Por Ministria e Kulturës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Komuna e Prishtinës, tash e një muaj nuk kanë bërë ndonjë hap për të ndërhyrë në monumentin në qendër të kryeqytetit, i cili është rrethuar me shirita si objekt që paraqet rrezik për kalimtarët, pasi mund të shembet.

Një masë të tillë e kishte ndërmarrë Qeveria e kryeqytetit në ditën e parë të muajit të kaluar. Madje në objektin që mbrohet me ligj si aset i trashëgimisë kulturore nuk është ndërhyrë, edhe pse ka tetë muaj prej se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka alarmuar MKRS-së dhe Komunën e Prishtinës, se ky objekt dhe 12 të tjera në Prishtinë janë në gjendje të keqe dhe paraqesin rrezik për qytetarët.

Përderisa krejt këto institucione kanë buxhet për të bërë ndërhyrje, adresojnë përgjegjësinë tek njëra-tjetra dhe përmendin procedurat, njohësit e trashëgimisë kulturore konsiderojnë se rasti i monumentit të rrethuar në kryeqytet dëshmon mosreagimin e shtetit, i cili duhet të ketë njësit për ndërhyrje të shpejtë në monumente. Në fillim të shkurtit, Komuna e Prishtinës kishte njoftuar se shtëpia-monument e Musli Hoxhës në rrugën “Luan Haradinaj” është rrethuar për shkak gjendjes së keqe dhe paraqet rrezik për publikun. Objekti i ndërtuar më 1927, gjendet në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).